‘The Van’ i Erenik Beqirit fiton çmimin ‘Rai Cinema Channel’ në Cinelido

Regjisori shqiptar Erenik Beqiri me dramën ‘The Van’ ka fituar çmimin ‘Rai Cinema Channel’ në Cinelido (Festival i Filmit në Itali), përcjellë KultPlus.

‘’Një skenë e papërpunuar dhe e drejtpërdrejtë, një shfaqje reale dhe bindëse nga interpretimi i shkëlqyeshëm i protagonistit që kërkon të fitojë një të ardhme tjetër, larg dhunës dhe varfërisë me një kosto. Një dramë njerëzore që godet shikuesin dhe e shtyn atë të vërë në dyshim vlerën e paçmuar të së ardhmes’’, thuhet në njoftimin e bërë nga kompania e prodhimit ‘Rai Cinema’.

Filmi i metrazhit të shkurtër “The Van” me regji të Erenik Beqirit dhe me kooproduksion mes Shqipërisë dhe Francës, ka qenë edhe në shumë festivale prestigjioze të filmit, ku ka marrë edhe çmime të shumta.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard, Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj. / KultPlus.com

Filmi ‘The Van’ nga Erenik Beqiri, hyn në listën e ngushtë në kategorinë ‘Live Action Short Film’ në Oscars

Dhjetë filma kanë hyrë në listën e ngushtë në kategorinë e ‘Live Action Short Film’ për në Akademinë e çmimeve Oscar. Në këtë dhjetëshe, hyn edhe filmi ‘The Van’ i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, shkruan KultPlus.

‘The Van’ i Erenik Beqirit ka qenë edhe në shumë festivale prestigjioze të filmit, ku ka marrë edhe çmime të shumëta.

Ndërkaq, më poshtë gjeni listën e filmave të tjerë që janë pjesë e kësaj liste të ngushtë:

“Bittu”
“Da Yie”
“Feeling Through”
“The H00uman Voice”
“The Kicksled Choir”
“The Letter Room”
“The Present”
“Two Distant Strangers”
“The Van”
“White Eye”
. / KultPlus.com

Dy filma shqiptarë fitojnë çmime në festivalin e filmit në Barcelonë

Festivali i Filmit “Star” në Barcelonë ka shpërblyer me çmime dy filma shqiptarë, shkruan KultPlus.

Filmi i metrazhit të shkurtër Më e bukur se pranvera’  me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin e filmit më të mirë romantik në ‘Star Film Festival’ në Barcelonë.

Në anën tjetër, Filmi ‘The Van” në këtë edicion nga Erenik Beqiri, ka fituar Çmimin për aktorin më të mirë.

Me rastin e ndarjes së çmimeve, në fjalën e jurisë për filmin “Më e bukur se pranvera” thuhet se kjo vepër artistike është një shtjellim inteligjent dhe romantik.

“Performanca shumë të mira të karaktereve, duke u thelluar në mënyrë perfekte në personazhe. Situata anormale, të çuditshme të cilat e mbajnë spektatorin ne pritje, duke dëshmuar një histori romantike shumë të ndryshme nga ato të zakonshmet. Regji perfekte ne planin artistik dhe atë teknik. Planet dhe kuadrot e krijuara me shumë stil”, kanë vlerësuar juria profesionale.

Në rolet kryesor në këtë film paraqiten aktorët e nohur May-Linda Kosumovic, Agron Shala, Fidan Jupolli dhe Beslidhje Bytyqi. 

Në anën tjetër, filmi “The Van” flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj./ KultPlus.com

“Furgoni” i Enerik Beqirit merr vlerësime nga revista prestigjioze

Revista prestigjioze ndërkombëtare e artit dhe kinematografisë, mxdwn.com e vlerëson filmin “Furgoni” (The Van) të Enerik Beqirit si një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave.

Kujtojmë se “Furgoni” ka qenë përzgjedhur në Festivalin e Kanës mes filmave që u përcollën për publikun ndërkombëtar.

Ja çfarë shkruan mxdwn.com:

Sa larg do të shkonit për familjen? Skenaristi dhe regjisori shqiptar Erenik Beqiri eksploron këtë pyetje dhe më shumë se kaq në filmin e tij të shkurtër por tronditës “Furgoni”, (The Van), i cili u dha premierë në 2019 në festivalin e Filmit në Kanë. Flet për një luftë brezash midis babait dhe birit në një dramë të shkurtër familjare, ndërsa dy burra kokëfortë shqiptarë të ndarë nga brezi dhe idealet përpiqen të kërkojnë një të ardhme të mirë. Ben (Phenix Brossard) nuk do të ndalet nga asgjë për të larguar veten e tij dhe të atin nga Shqipëria ndërsa përpiqet në rrugën e tij për një biletë për në Angli.

Kjo përfshin pjesëmarrjen në ndeshje të paligjshme të boksit në një furgon në lëvizje, ku vetëm një fitues mund të mbetet gjallë. Ndërkohë babai i tij (Arben Bajraktaraj) një punëtor ndërtimi i mbetur i ve, nuk pranon të lërë ëndrrat e tij për të pasur një biznes të ndërtimit.

Beqiri përdor një dialog të mprehtë, të përmbledhur dhe pamje intime. Ai godet aq fort me pamjet sa duket se Ben nuk do të shpëtojë kurrë. Trauma psikologjike e Benit nuk kërkon dialog në përshkrimin e saj, pasi e shohim atë në fytyrën e tij. Ndjekim çdo plagë e lëndim dhe ndjejmë çdo goditje.

Në fund, “Furgoni” (The Van) është një film i shkurtër mahnitës që hulumton thellësitë komplekse të dashurisë mes një babai dhe një djali dhe sa larg janë të dy të gatshëm të shkojnë për njëri-tjetrin. Beqiri krijon një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

“The Van” garon për çmim në “Manaki Brothers”

“The Van” i Erenik Beqirit, i cili në maj të këtij viti u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes, vazhdon rrugëtimin nëpër festivale.

Të enjten është shfaqur në kuadër të edicionit të 40-të të festivalit ndërkombëtar të kineastëve të filmit “Manaki Brothers”, në Manastir. Është në kategorinë e filmave të shkurtër që janë në garë për çmimin “Small Camera 300”.

Përveç “The Van”, në këtë festival janë shfaqur edhe dy filma të tjerë të regjisorëve shqiptarë: “Shpia e Agës” e regjisores Lendita Zeqiraj dhe “Derë e hapur” i regjisorit Florenc Papas. Filmat e tyre ishin pjesë e programit jogarues “European Cinema Prespective”. Festivali, i cili i shpërblen drejtorët e fotografisë, ka filluar më 14 shtator dhe do të përfundojë sot, kur ndahen edhe çmimet.

Darijan Pejovski, selektor i programit të filmave të shkurtër, ka thënë se në dhjetë filmat që janë pjesë e kësaj gare, përfshirë edhe filmin “The Van”, mund të shihen qartë shkathtësitë e drejtorëve të fotografisë.

“Në një kohë kur vazhdojmë të dëgjojmë se kinemaja evropiane është në krizë, nga qindra aplikime, ne kemi zgjedhur dhjetë filma, shumica prej të cilëve rastësisht ndodh që janë evropianë. Ky është një tregues që e ardhmja dhe potenciali qëndrojnë saktësisht te filmat e shkurtër, pavarësisht nëse ne po flasim për krijues me përvojë apo studentë”, ka thënë ai.

Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgoni) sjell Shqipërinë e viteve ’90, kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Filmi, në të cilin në role kryesore janë aktori francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, u dha premierë botërore në maj të këtij viti në Festivalin e Filmit në Cannes.

Beqiri ka thënë se përzgjedhja për “Manaki Brothers” është kënaqësi dhe një vlerësim për punën që drejtori i fotografisë, Guillaum le Grontec, bëri në xhirime. Ai dhe ekipi i filmit ishin të pranishëm në shfaqjen e filmit në Festival. Sipas tij, e rëndësishme gjatë prezantimeve të tilla është që filmi të arrijë të këtë ndikim emocional te shikuesit.

“Mundësia që festivalet të japin për të ekspozuar filmin te një grup i madh shikuesish, është një kënaqësi dhe privilegj, pasi që mendoj se filmi realizohet për t’u ndarë me audiencën”, ka thënë ai. E sa i përket pjesës së çmimeve, ai ka thënë se nëse fiton do të ishte një vlerësim edhe më i madh.

Në “Manaki Brothers” më 17 shtator u shpalos edhe jeta e pesë grave të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë, personazhe të filmit të gjatë debutues të regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj, “Shpia e Agës”. Drejtor i fotografisë është Sofian el Fani, që mban meritat edhe për filmat si “Timbuktu”, “Blue Is the Warmest Colour”, “It Must Be Heaven” dhe “Black Venus”./koha.net/KultPlus.com

Filmi shqiptar “The Van” shfaqet sot në Festivalin e Cannes

Filmi i metrazhit të shkurtë “The Van” me regji të Erenik Beqirit është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare në Festivalin e Filmit në Cannes, një ndër festivalet më prestigjioze në botë, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtë më kooproduksion mes Shqipërisë dhe Francës është përzgjedhë në mesin e 11 filmave në këtë kategori.

“The Van” (Furgoni) do të shfaqet sot para publikut të Cannes dhe është në konkurencë për Palmën e Artë.

Filmi flet për një djalë rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dalë vetëm një fitues.

Me role kryesore në këtë film janë aktorët: Phenix Brossard , Arben Bajraktaraj dhe Afrim Mucaj. /KultPlus.com