Me qenë Gegë

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Fre n’gjuhë asht standardi, kmishë e ngushtë për mue,
Kostum i premë keq,
As për darsëm as për deke.
Shkurt e shqip: me folë n’standard s’due,
As me heshtë n’standard s’di
Se muzikën ma bân hunda e ma nxjerr goja gege.

Të jesh gegë,
S’asht si me qenë gegë,
As si me kenë gegë,
As si m’u kanë gegë.

Fati jonë i nemun asht
Mbas Babelit nëpër gjuhë me u rrekë.

Oh, e di,
Ma mirë asht me pasë nji gjuhë n’botë
Po menia e Akilit s’âsht gjâ para asaj t’Zotit
Gurët e gjuhës që Kullën s’e bânë dot
Bien pa prâ’ e na i ndjejmë si pikat e lotit.

Shqiponja jonë ka dy krahë e dy krena,
Po Standardi mban veç nji dialekt mrena,
Tjetri rrnon si endacak
Herë fle në ndonji prag,
Herë kollitet nëpër sokak,
Nerth n’shi e n’borë, pa gjetë kund konak.

Lumtunia e tyne e kufizueme
Andrron me qenë e pafund
Si dhimbja e gegës n’paskajore.

Me qenë Gegë
A don me thanë me pasë nji motër si Toska
Që knaqet pranë oxhakut derisa ti n’acar,
Edhe pse pa ngrânë, le t’themi “mbas darkës”,
Shtyp hundën për dritare tu’ e pa motrën
Dhe nis e ngrohesh vetëm prej imazhit të flakës?

Me qenë Gegë
A don me thanë me qenë fmijë bastard
I babës Standard?

Po prit!
Kur leu baba, fmija kish moshën e Drakullës.
Pra, babë a bir, ndëgjo mirë: po s’u bane burrë,
Ke me ra dekun prej gurëve të Kullës!