Bordi merr vendim, Mentor Shala shkarkohet nga RTK

Bordi i Radio Televizonit të Kosovës, i cili është votuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, ka marrë vendim në mbledhjen e sotme për të shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të televizionit, Mentor Shalën, shkruan KultPlus.

“Z. Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkimin që e ka aprovuar Bordi i RTK-së.

Shala do të zëvendësohet nga Arsim Halimi, deri sa të zgjedhet një kandidat tjetër në këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.

Propozimin për shkarkimin e Shalës e ka bërë Shkumbin Ahmetxhekajt, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK. /KultPlus.com

A është normale të transmetohet seriali “Çka ka shpija” në RTK? Kështu përgjigjet Mentor Shala

Zëvendësdrejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala, e ka konsideruar si normale transmetimin e serialit “Çka ka shpija”, serial ky i cilësuar si kontrovers si shkak i përforcimit të stigmatizimeve shoqërore.

Shala, në emisionin ‘Pressing’ në T7, ka thënë se i pëlqen si përmbajtje një serial televiziv i këtillë.

“Çështja e programeve mbetet në shije personale. Mendoj se i përqesh dukuritë tona cilat i kemi, tash a kish mujtë mu bo ma mirë, s’po di çka me thanë, nashta kish mujtë mu bë ma mire”, ka deklaruar ai.

“Tash tregom pse s’po të duket normale, nashta pajtohna nashta s’pajtohna. Çështja e programeve mbetet në shije personale”, ka shtuar tutje ai./ KultPlus.com

U akuzua për gjuhën e përdorur ndaj Doarsa Xhelilit, Shala: Nuk ka të bëjë me seksizëm

Deputetë e juristë të mediave kanë reaguar ashpër lidhur me fjalorin e përdorur nga zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Mentor Shala ndaj deputetes, njëherit kryetares së Komisionit Parlamentar për Media, Doarsa Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili në një intervistë rreth katër ditë më parë e kishte përmendur Shalën, si zyrtar të RTK-së, ndërsa ky i fundit përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se po i duket se Doarsa e ka mendjen vetëm tek ai dhe e ka ftuar për një takim.

Sot, Shala në emisionin ‘Pressing’ në T7 ka folur për herë të parë lidhur me këtë, për të cilën tha se i ka kërkuar falje personalisht, Doarsa Kica-Xhelili.

“Normalisht është pak me ironi, nuk ka të bëjë me seksizëm. Nëse ajo mua nuk më fton në komision dhe flet për mua vazhdimisht, sigurisht që vjen një reagim. Unë nuk mendoj që është reagim seksist. Unë i kam kërkuar falje asaj personalisht. Unë i kërkoj falje nëse ajo është ofendu, por mendoj që ne si persona përgjegjës, është mirë që para se të dalë e të etiketojë nëpër format më të ndryshme, fillimisht t’i verifikojë ato informacione që ka e pastaj të dalë në përfundim”, tha ai.

Por, gjithë këtë, Shala e arsyeton duke thënë se ajo është marrë me shumë të pavërteta, dhe sipas tij, Kica-Xhelili është dashur ta ftojë atë në Komision që të raportojë.

“Mënyra qysh m’u drejtove i bjen që kam bë diçka keq. Unë atë nuk e njoh dhe skom pasur rast me u taku me të asnjëherë. Edhe është një periudhë e gjatë që ajo zhdimisht merret direkt me mua edhe punët e mia në RTKI në të kaluarën. Merret me shumë të pavërteta, pak a shumë i di burimet ka i merr por së paku ajo si kryetare e komisioni që ka të bëjë me RTK, nëse ka ndonjë informacion ish dashur me thirr zv/drejtorin, me thirr në komision dhe me sqaru. Ajo në asnjë rrethanë s’e ka pa të arsyeshme”, tha ai.

Deklarata e Shalës ka marrë reagime edhe nga deputetë si dhe nga jursitja e mediave, Flutra Kusari e cila ka kërkuar që RTK-ja të ndërmarrë menjëherë masa disiplinore.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Sindikata e RTK-së, për të cilën thotë se gjuha e përdorur nga Shala është e turpshme dhe e pamoralshme.

“Gjuha e përdorur nga zv. drejtori Shala është e turpshme dhe e pamoralshme, dhe si e tillë ka shkaktuar indinjatë të thellë edhe në mesin e të punësuarve të RTK-së. Sindikata distancohet nga ky fjalor i gërditshëm dhe primitiv, duke kërkuar që ky person të shkarkohet menjeherë nga të gjitha përgjegjësitë në RTK”, thuhet në reagimin e tyre.

“Normalisht është pak me ironi, nuk ka të bëjë me seksizëm. Nëse ajo mua nuk më fton në komision dhe flet për mua vazhdimisht, sigurisht që vjen një reagim. Unë nuk mendoj që është reagim seksist. Unë i kam kërkuar falje asaj personalisht. Unë i kërkoj falje nëse ajo është ofendu, por mendoj që ne si persona përgjegjës, është mirë që para se të dalë e të etiketojë nëpër format më të ndryshme, fillimisht t’i verifikojë ato informacione që ka e pastaj të dalë në përfundim”, tha ai./ KultPlus.com

RrGK dënon gjuhën seksiste të Shalës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerjen e gjuhës seksiste e mizogjeniste ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.

Sot, zëvendësdrejtori gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, i është drejtuar me këtë gjuhë deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila njëherit është edhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Media.

Pa u lëshuar në polemikën ndërmjet Kica-Xhelilit e Shalës, gjuha e Shalës duhet dënuar, dhe si e tillë nuk përket askund, e aq më pak në televizionin publik- pagat e së cilit paguhen nga taksat e qytetarëve.

Gjuha e Shalës është seksiste e diskriminuese ndaj grave, si dhe për më tepër mirëmban dhe riprodhon raportet veçse të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave. 

Çdo fjali e Shalës në publikimin e tij të bërë në rrjetin social Facebook është seksiste e diskriminuese. Asnjë fjali e Shalës nuk është kritikë për punën e Kica-Xhelilit si deputete- post që ajo e mban nga votat e qytetarëve. Shala, thjesht nuk do të duhej të merrej fare me pamjen e deputetes Kica-Xhelili, apo të cilës do deputete tjetër.

Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Sindikata e Pavarur e RTK-së: Fjalori i zv.drejtorit Shala i gërditshëm dhe primitiv, distancohemi

Sindikata  e Pavarur e RTK-së (SPRTK) ka reaguar ashpër lidhur me fjalorin e përdorur nga zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Mentor Shala ndaj deputetes, njëherit kryetares së Komisionit Parlamentar për Media, Doarsa Kica.

Kica-Xhelili në një intervistë gjatë mbrëmjes së djeshme e kishte përmendur atë, si zyrtar të RTK-së, ndërsa Shala përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se po i duket se Doarsa e ka mendjen vetëm tek ai dhe e ka ftuar për një takim

Lidhur me këtë, Sindikata e RTK-së thotë se gjuha e përdorur nga Shala është e turpshme dhe e pamoralshme

“Gjuha e përdorur nga zv. drejtori Shala është e turpshme dhe e pamoralshme, dhe si e tillë ka shkaktuar indinjatë të thellë edhe në mesin e të punësuarve të RTK-së. Sindikata distancohet nga ky fjalor i gërditshëm dhe primitiv, duke kërkuar që ky person të shkarkohet menjeherë nga të gjitha përgjegjësitë në RTK.

Nuk është hera e parë që ky person, në cilësinë e drejtorit si dhe të zv. drejtorit gjeneral të RTK-së, përdor fjalor fyes e denigrues ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Bashkangjitur gjeni edhe statusin e Shalës. /gazetaexpress/ KultPlus.com