RrGK tejet e shqetësuar për sulmin seksual ndaj të miturës në shkollë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon ashpër incidentin e fundit të sulmit seksual ndaj një të miture nga arsimtari i saj në një shkollë në Deçan.

“Jemi thellësisht të shqetësuara dhe të indinjuara nga një shkelje kaq e rëndë e besimit dhe e sigurisë së vajzave tona të reja. Ky akt i tmerrshëm i sulmit seksual shërben si një kujtesë e fortë se ne duhet t’i japim përparësi mbrojtjes së vajzave dhe të miturve brenda shoqërisë sonë, madje edhe brenda në shkolla. Është koha e fundit që shoqëria dhe institucionet të marrin qëndrim kundër këtyre krimeve dhe të sigurojnë që autorët të marrin dënimin e merituar, pa asnjë kompromis”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se është dëshpëruese të shohësh që këto sulme ndaj vajzave ndodhin pikërisht para syve tanë, ndërkohë që institucionet shpesh nuk arrijnë të japin drejtësinë dhe masat e duhura parandaluese. Ngjarja në institucionin arsimor ku nxënësit duhet të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur nxjerr në pah një situatë alarmante. Nuk mund të mos pyesim veten se sa raste të tjera nuk raportohen.

RrGK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë si çështje me prioritet të madh, ashtu siç duhet me çdo rast tjetër të ngacmimit dhe sulmit seksual. Shkollat, në veçanti, duhet urgjentisht të krijojnë mekanizma të fuqishëm për të trajtuar rastet e dhunës, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.

Kujtojmë se në raportin “Nga Ligjet në Vepra: në Monitorimi i reagimit institucional ndaj dhunës me bazë gjinore në Kosovë”, RrGK ka këto rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit:

Të mbahen  trajnime për edukatorët dhe psikologët për format e dhunës me bazë gjinore; si të identifikohen shenjat e dhunës me bazë gjinore; dhe si të ndihmon të referohen këtë raste.

Të përfshihet materiali mësimor mbi barazinë midis grave dhe burrave, respektin e ndërsjellë, rolet gjinore jo stereotipike, dhunën me bazë gjinore dhe mënyrën e raportimit të tij në kurrikulat arsimore të përshtatshme për grupmosha të ndryshme, siç parashikohet nga Konventa e Stambollit.

Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për rritjen e numrit të psikologëve në shkolla.

Së fundi, është jetike të theksohet se ashtu si në rastet e tjera të dhunës me bazë gjinore, RrGK do të kërkojë drejtësi dhe do të monitorojë nga afër këtë rast dhe masat e marra. Ne kërkojmë largimin nga puna si mësimdhënës dhe të njejtit t’i shqiptohet dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh dënim i deri në 7 vjet. / KultPlus.com

RrGK-ja reagon ashpër: Shqetësuese, aktgjykimi për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thonë se me shqetësim kanë pranuar lirimin e të akuzuarve për abuzim seksual të personave nën moshën 16 vjeçare, përcjell KultPlus.

Ata kanë reaguar, duke thënë se në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.

“Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që ‘në mungesë të provave’ nuk është provuar fajësia e të pandehurit”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se e mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raportoi rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim: ‘Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm’ “, thuhet në reagimin e RrGK-së.

RrGK shtont tutje se gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm”.

Siç thuhet në reagim, duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.

“Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se: ‘Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë’ “.

Tutje, sipas RrGK-së përpos që gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese.

“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011”.

Lexoni të plotë reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës: 

Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.

E mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raporton rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pranon Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim:

“Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm”.

Gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm” – duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.

Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se:

“Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë”

Tutje, përpos që në paragrafin më lart, gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese:

“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011.

Tutje po i citojmë edhe disa nga arsyetimet tjera skandaloze të gjykatës, përkatësisht, Departamentit për të Mitur, në lidhje me shfajësimin e të pandehurit:

Duke iu referuar faktit që e dëmtuara e mitur, vazhdimisht ka dhënë detaje të reja, dhe data gjatë të cilave është abuzuar, gjykata thekson:

“Ky ndryshim në deklarim me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe raste të tjera të cilat nuk ishin treguar më herët, në vlerësimin e gjykatës, shpërfaq një tendencë të dëmtuarës së mitur së pari për DRAMATIZIM të situatës dhe paraqitje të pandehurit si veçanërisht abuzues në raport me fëmijët.”

Gjykata e konsideron se një e mitur, e cila në kohën kur raporton rastin kishte 11 vjeç, është në gjendje të krijojë skenare të abuzimit seksual, madje në detaje, (për arsye se gjykata i liston rastet të cilat i ka shpjeguar e mitura, tejet qartë dhe rrjedhshëm).

Sidoqoftë, e konsideron se fajësia e të pandehurit është e diskutueshme, për arsye se “është krejtësisht e pabesueshme që e dëmtuara e mitur, po qe se të ekzistonte sulmi seksual i cili pretendohet, të mos ta kishte shprehur atë apo të vërehej nga persona të tjerë, përfshirë nga nëna e saj” dhe përkundër faktit që ekzistojnë provat materiale për dhunën konstante fizike të cilën e ka shkaktuar i pandehuri ndaj nënës së të miturës.

Shkeljet ligjore në këtë vendim janë të shumta duke filluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës e cila nuk e ka kualifikuar veprën penale në pajtim me nenin 198 paragrafin 2, lidhur me paragrafin 5 pikën 7 të Kodit të Përkohshëm Penal, pasi që i dyshuari ishte njerku i saj, por kualifikimi është bërë vetëm me paragrafin 2 të KPK-së, e që ka qenë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin.

Tutje, Gjykata Themelore e Prishtinës e liron të dyshuarin, me arsyetimin kinse “në mungesë të provave” kur në të njëjtën gjykatë janë paraqitur prova të shumta dhe gjykata ka refuzuar procedimin dhe ekzaminim të tyre, përfshirë provat si në vijim:

  1. a) Letrën e shkruar nga e dëmtuara, në të cilën e njëjta rrëfen për gjendjen e rëndë emocionale dhe fizike, si pasojë e abuzimit ndër vite, dhe e cila është konfirmuar të jetë e shkruar nga vajza e mitur, nga Agjencioni i Forenzikës;
  2. b) Dëshmitë e përreth katër personave të përfshirë, përfshirë zyrtarë policorë;
  3. c) SMS kërcënues për tërheqjen e raportimit të rastit, i drejtuar ndaj nënës së të dëmtuarës, i dërguar nga i pandehuri;
  4. d) Raportet mjekësore të së dëmtuarës, të cilat kanë vërtetuar gjendjen e rëndë të së miturës;

Gjykata pa treguar arsyet, ka refuzuar nxjerrjen e ekspertizës mjeko ligjore, edhe pse ka ekzistuar një kërkesë nga ana e Prokurorisë dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar për nxjerrjen e kësaj ekspertize e cila do të kishte me qenë prova kryesore e rastit.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Përkundër kësaj, ne çdo ditë po dëshmojmë dështimin institucional, dhe tutje, tendencën për fajësimin e viktimave, të cilat nën rrethana tejet të kufizuara, po zgjedhin të raportojnë rastet, pikërisht tek institucionet të cilat po i neglizhojnë ato.

Duke e pasur parasysh këtë, RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.  /KultPlus.com

RrGK dhe Strehimoret reagojnë në komentet e KGJK-së e KPK-së për punën e organizatave joqeveritare

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe të gjitha Strehimoret e Kosovës reagojnë ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK) ndaj deklaratës së tyre të fundit.

“Që nga themelimi i tyre dhe deri tani organizatat joqeveritare dhe strehimoret kanë qenë gjithmonë aty për të gjitha viktimat e dhunës në baza gjinore, edhe në rastet kur policët, prokurorët dhe gjyqtarët kanë shkelur ligjin dhe nuk iu kanë dalë në ndihmë viktimave të dhunës në baza gjinore”, thuhet në reagimin e RrGK’së dhe Strehimoret.

Sipas këtyre organizatave, gjuha e përdorur e KGJK-së dhe KPK-së si “në mëshirën e OJQ-ve”, ul rëndësinë dhe përçmon punën që OJQ-të kanë bërë deri tani qoftë me këshillim, përfaqësim, monitorim dhe strehim të viktimave të dhunës me bazë gjinore.

“Viktimat e dhunës në baza gjinore nuk ndjehen të sigurta dhe nuk gjejnë përkrahje e ndihmë në institucionet e Kosovës sepse deri tani institucionet tona kanë dëshmuar se si dështojnë të mbrojnë ato.

Rasti i fundit na tregon edhe njëherë dështimin e institucioneve në mbrojtje dhe sjellje të drejtësisë për gratë. Prandaj, viktimat e dhunës në baza gjinore gjejnë dhe kanë gjithmonë përkrahjen e organizatave joqeveritare”.

Sipas tyre, institucionet e drejtësisë duhet te bashkëpunojnë me organizata joqeveritare pasi që janë këto të fundit të cilat janë gjatë gjithë kohës në terren, takohen me viktima të dhunës në baza gjinore çdo ditë, njohin nevojat e tyre, kane ekspertizë gjinore edhe ndjeshmëri gjinore, të nevojshme për trajtimin e rasteve sipas kërkesave te Konventës se Stambollit dhe njohin shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në çdo rast që kanë trajtuar deri tani.

“Strehimoret, po ashtu kane përvojë të gjatë në njohjen dhe evidentimin e neglizhencës institucionale, sidomos nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve, dhe policisë, si pasojë e të cilës puna e tyre dhe siguria e tyre rrezikohet përditë”.

Prandaj, RrGK thërret në koordinim dhe bashkëpunim ndër-institucional, në sigurimin e trajtimit të drejtë të viktimave të dhunës në baza gjinore.

“RrGK do të vazhdojë punën në këshillim ligjor, përfaqësim dhe monitorim në gjykata për të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore”./ KultPlus.com

RrGK organizon ekspozitën “Dhuna nuk fshehet  mrena mureve” 

 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, më 06 maj nga ora 10:00-16:00 te Sahat Kulla në Malishevë do të organizojë hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.

Kjo ekspozitë, sipas RrGK-së, ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.”, u bë e ditur në komunikatën e RrGK-së.

Kjo ekspozitë do të përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women #EVAW dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA)./KultPlus.com

Së shpejti lansimi i raportit “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, Agjencionin Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), Institucionin e Avokatit të Popullit si dhe akterë të tjerë të rëndësishëm me 7 prill 2022 nga ora 10:00 deri në 12:30 në hotel Sirius ose në Zoom, do të bëhet lansimi i botimit të dytë të raportit “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”.

Dy nga bashkëautorët nga RrGK do të paraqesin gjetjet kryesore dhe rekomandimet që rezultojnë nga hulumtimi.

Pas prezantimit, do të ketë diskutim me institucionet kryesore lidhur me mundësite e zbatimit të këtyre rekomandimeve.Linku për Zoom: https://us06web.zoom.us/j/83344852482 / KultPlus.com

RrGK dënon gjuhën seksiste të Shalës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerjen e gjuhës seksiste e mizogjeniste ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.

Sot, zëvendësdrejtori gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, i është drejtuar me këtë gjuhë deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila njëherit është edhe Kryetare e Komisionit Parlamentar për Media.

Pa u lëshuar në polemikën ndërmjet Kica-Xhelilit e Shalës, gjuha e Shalës duhet dënuar, dhe si e tillë nuk përket askund, e aq më pak në televizionin publik- pagat e së cilit paguhen nga taksat e qytetarëve.

Gjuha e Shalës është seksiste e diskriminuese ndaj grave, si dhe për më tepër mirëmban dhe riprodhon raportet veçse të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave. 

Çdo fjali e Shalës në publikimin e tij të bërë në rrjetin social Facebook është seksiste e diskriminuese. Asnjë fjali e Shalës nuk është kritikë për punën e Kica-Xhelilit si deputete- post që ajo e mban nga votat e qytetarëve. Shala, thjesht nuk do të duhej të merrej fare me pamjen e deputetes Kica-Xhelili, apo të cilës do deputete tjetër.

Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj RrGK e dënon ashpër çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat progresive të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

RrGK kërkon përfshirjen e grave në dialogun me Serbinë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar përfshirjen e grave në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në reagimin e RrGK-së thuhet se është shqetësuese mospërfshirja e asnjë gruaje në ekipin e ekspertëve për këtë proces.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Reagimi i plotë:

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra.

Përmes kësaj letre publike, RrGK, si rrjet që përfaqëson interesat e 158 organizatave anëtare, zotohet se do të monitorojë të gjithë procesin e dialogut, duke kërkuar vazhdimisht që ekipi negociues të jetë gjithëpërfshirës dhe që prioritetet e grave të jenë pjesë e agjendës.  RrGK kërkon përfshirjen e grave në ekipin dialogues, si dhe përfshirjen e prioriteve të grave në temat që do të diskutohen. Po ashtu, kujtojmë se RrGK në të kaluarën ka kërkuar përfshirjen në dialog të së paku një gruaje me përvojë nga shoqëria civile, ashtu siç përcaktohet edhe nga Rezoluta 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po ashtu, edhe Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim të barabartë të grave në pozita të tilla vendimmarrëse.

Kështu, RrGK rithekson se jemi të gatshëm të ofrojmë emra të grave të kualifikuara, si dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt arritjes së një procesi demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili është qenësor për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. 

Gjatë vitit që lamë pas, i cili shënoi 20 vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325, RrGK u dërgoi letër të hapur Qeverisë së atëhershme të Kosovës dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčák. RrGK shprehu shqetësimin për mos përfshirje të grave në ekipe negociuese si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të propozuar emra të grave me përvojë në këtë fushë, duke listuar po ashtu nevojat e identifikuara në raportin tonë të fundit “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”.

Ky raport ka identifikuar se nevojat e grave dhe vajzave ndaj këtij procesi mbesin të ngjashme me ato që gratë kanë ngritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ky raport, poashtu theksoi faktin se një paqe e qëndrueshme arrihet vetëm atëherë kur ka përfshirje të barabartë të grave dhe burrave. Gjithashtu gratë nuk priren të nënshkruajnë marrëveshje të cilat ato nuk do të mund t’i zbatonin.

Si e tillë, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në agjendën e dialogut të përfshijë nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave të ndryshme në Kosovë, të identifikuara rishtazi në këtë raport:

•       Të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogun, si përmes përfshirjes në ekipin zyrtar të negociatave ashtu edhe në konsultime publike;

•       Të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë;

•       Të sigurojë kthimin e personave të pagjetur;

•       Të sigurojë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe

•       Të sigurojë kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.   

Që nga viti 2006, RrGK ka qenë aktiv duke përcjellur dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke përfshirë këtu temat dhe përbërjen e ekipit negociues, dhe do të vazhdojmë të jemi zë aktiv në këtë fushë, derisa gratë dhe nevojat e tyre të jenë të përfshira barabartë në dialog. / KultPlus.com

RrGK: Zgjedhjet dëshmuan forcën e grave, përpjekja për barazi vazhdon

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. 

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019), përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse. Nga gjithsej 120 ulëse do të jenë 44 deputete apo 36.6%, kurse në legjislaturën e kaluar kjo shifër ishte 32.5% apo 39 deputete.

Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj. Sipas rezultateve të deritanishme të shpallura nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve vetëm 11 prej 44 deputeteve të zgjedhura kanë pasur nevojë për kuotë për të siguruar ulësen parlamentare, kurse 33 gra kanë fituar pa kuotën gjinore.

Kjo nuk është barriera e vetme që gratë thyen në këto zgjedhje. Ato arritën këtë përfaqësim sado që ishin të nënpërfaqësuara në listat zgjedhore të partive politike, kjo duke kujtuar se asnjë nga partitë politike, as këtë herë, nuk zbatuan Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj).

Gratë po ashtu mposhtën faktin që nuk ishin të përfaqësuara barabartë as në debate televizive e as në fushatë. Numërimi i fuqisë së grave vazhdon me faktin që nga dhjetë më votuarit në këto zgjedhje, katër prej tyre janë gra. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur në top dhjetëshe ishin vetëm dy gra. Zëri i gruas bëhet edhe më i fuqishëm kur vërejmë së mbi 60% të grave morën pjesë në votime, dhe se një grua u bë personi më i votuar në histori që pas shpalljes së pavarësisë.

Kjo është një fitore e lëvizjes së grave në Kosovë, e cila po ashtu dëshmon se vota e qytetarëve për gratë e sjell ndryshimin pozitiv e aq të nevojshëm. Kjo lëvizje feministe për më shumë se 15 vjet u mbështet dhe u forcua nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të drejtat e grave, duke përfshirë këtu edhe kontributin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për fuqizimin e gruas në politikë në nivel lokal bashkë me Lobin për Barazi Gjinore (Lobi) ndër të tjerash.  

Për kontekstin historik të këtij triumfi të grave, Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Artpolis, si dhe anëtare e Bordit të RrGK-së, thotë “në fakt kjo është fitore historike e RrGK-së dhe lëvizjes së grave në Kosovë. Indikatori më i saktë që përpjekjet me dekada dhe vota nga gratë për gratë e sjell ndryshimin”.

“Njëherit, kjo situatë mund të shërbejë edhe si koha e fundit kur partitë politike duhet të reflektojnë se nuk ka thjesht e vetëm “çështje të grave”, por se barazia gjinore është çështje e të gjithë shoqërisë”, shton Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa.

Megjithatë, përderisa jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, RrGK do të vazhdojë përpjekjet e kahmotshme drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, si dhe do të kërkojë llogaridhënie e transparencë për politikat që prekin mirëqenien dhe të drejtat e grave, si prej të zgjedhurve po ashtu dhe prej Qeverisë që pritet të formohet.  / KultPlus.com

Safete Rugova nderohet me çmimin “Sevdije Ahmeti”

Çmimi “Sevdije Ahmeti” këtë vit u nda për aktivisten Safete Rogova, për kontributin e saj në fuqizimin dhe arsimimin e grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.

“Edhe pse në kohë pandemie RrGK nuk u ndal kurrë së punuari. Ju falenderoj nga zemra që sot më nderuat me çmimin “Sevdije Ahmeti”. Për mua, Sevdija mbetet ndër gratë më të fuqishme që Kosova ka pasur ndër vite” , tha Safete Rogova, aktiviste dhe fituese e çmimit të RrGK-së “Sevdije Ahmeti” për vitin 2020.

Duke qenë se Sevdija ishte ideatorja dhe shtylla e lëvizjes së grave në Kosovë, e këtu flitet në veçanti për vitet ’90, këtë vit këtë çmimi është lidhur po me një grua që nismat në luftën e saj për fuqizimin e vajzave dhe grave dhe arsimimin e tyre e ka nisur po në të ’90-tat. Në fakt ajo, bashkë me bashkëthemeluesen e simotrat tjera, sivjet shënojnë edhe 30 vjetorin e themelimit të shoqatës Motrat Qiriazi. Këtë vit çmimi Sevdije Ahmeti ju nda Safete Rogovës.

Safetja, fëmija i pestë (nga gjithsejt nëntë sa ishin), në vitin 68, luftën e saj e nis kur thyen tabutë e asaj kohe dhe vendosi të studjojë dramën e të bëhej aktore. Aty filloj jeta e saj me teatrin. E gjeti veten në skenë me fjalën e thënë të çiltër, të sinqertë nga zemra, nga ndjenja, nga e gjithë ajo që fjalës skenike i jep jetë, forcë, ndjeshmëri, fjalës që publikun e josh dhe e bën për vete. Kështu është Safetja edhe pas mbi 120 roleve të realizuara.

Po Safetja nuk mbeti vetëm aktore. Ajo është edhe veprimtare dhe humaniste. Duke mos dashur të rrëmbehet nga amullia e ujrave të ndotur politik serbosllave që në fillim të viteve 90-të, Safeten e shohim të formojë bashkë me të shoqin Nuredinin, motrën Igballen dhe shumë arsimdashës, shoqatën për emancipimin dhe arsimimin e gruas “Motrat Qiriazi”. Një mision i ri. Një mundësi më shumë për shpirtin e një veprimtareje, e nje humanisteje. Kështu fillon angazhimi i aktivisteve në Has, Viti, Shipol, Kamenicë dhe anekand Kosovës. Me një përkushtim të madh iu rrekën punës në teren duke mos kursyer as mundin, as kohën e as shpirtin. Dhe kur kriza politike po thellohej në Kosovë, kur doli në dritë rezistenca e armatosur kundër një dhune të paparë të pushtetit serb, shoqata “motrat Qiriazi” ndërroi diskursin e vet dhe u vu në shërbim të të zhvendosurve nga zonat ku po zhvilloheshin luftimet e armatosura, duke ju ndihmuar, duke i përkrahur dhe duke qëndruar pranë të dëbuarve ditë e natë për ta zbutur sado pak dhimbjen për dëbimin nga vatrat e tyre. Ishte ky mision njerëzor për ta mbrojtur jetën e të dëshpëruarve dhe për ta ushqyer shpresën e tyre.

Duke e përcjellë jetën dhe veprimtarinë artistike të Safetes, sidomos të kësaj humanisteje, e frymëzuar dhe e mbështjellë me shumë dashuri me sarin bardh e blu gjegjësishtë, kostumin e shenjtë të humanistes së madhe Nënës Terezë, Safete Rogova, me vetëdije apo pa te, në mënyrë fare të natyrshme e përmbushi jo vetëm amanetin e Motrave Qiriazi por edhe amanetin e shenjtë të Nënës Terezë për rrugëtimin e saj të quajtur Jetë.

Ndër shumë mirënjohje e shpërblime që Safetja ka marr për punën e vet në Teatër e veprimtari të tjera, dëshmojnë shpërblimet “unaza e Katit”, “aktorja më e mirë e vitit 2000”, “mirënjohje nga gratë deputete”, “qytetare nderi e Hasit”, “medaljen e argjendt nga presidenca 2012”, “çmimin për vepër jetësore” nga Ministria e Kulturës.

Në vitin 2018, për ta nderuar figurën e Sevdije Ahmetit, RrGK krijoi çmimin Sevdije Ahmeti me të cilin çdo vit do të nderoheshin figura grash që kanë lënë gjurmë në lëvizjen e grave dhe avancimin e pozitës së gruas në Kosovë./ KultPlus.com

RrGK-ja pas lirimit të burrit nga Mitrovica që dyshohet se dhunoi vajzën e tij: Kërkojmë masë mbrojtëse për 17-vjeçaren

Pas rastit të 17-vjeçares që dyshohet se u dhunua nga babai i saj, Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat.

E për këtë ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës, ku në një komunikatë për media duke kërkuar masa mbrojtëse për 17-vjeçaren.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Arsyeja kryesore për lirimin e tij, edhe pse kishte prova bindëse, përfshirë këtu edhe deklaratën e 17 vjeçares, ishte se prokuroria kishte dështuar të ofronte dëshmi të mjaftueshme për ta bindur trupin gjykues për fajësinë e tij. Kjo ka bërë prokurorinë ta përdorë të drejtën e ankimimit duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit”, thuhet në reagimin e tyre.

“Trajtimi i incestit vazhdon të mbetet tabu, si nga shoqëria ashtu edhe nga institucionet. Sa seriozisht trajtohet incesti na e dëshmon më së miri edhe ky rast. 

Madje, vite më parë nëna e viktimës kishte raportuar dhunën që po e përjetonte nga bashkëshorti i saj, i dyshuar për dhunimin seksual të vajzës. I njëjti, vite më parë ia kishte ndaluar të miturës shkollimin. Po ashtu, raportimet e nënës së viktimës për përjetimet e dhunës në familje, të drejtuara në stacionin policor, kishin hasur në vesh të shurdhër. Po të trajtoheshin sipas kornizës ligjore fillimisht këto raportime, do të parandalohej edhe përjetimi më i tmerrshëm i të miturës, përjetim ky që do të lerë pasoja gjatë në shëndetin mendor të saj. Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën, pasi që u shpall i pafajshëm, i dyshuari u rikthye sërish të jetojë në shtëpinë e njejtë me viktimat e tij, gruan ndaj të cilës për vite me radhë po ushtronte dhunë në familje dhe vajza e cila ishte dhunuar seksualisht nga ai. Qendra për Punë Sociale, si organ përgjegjës për kujdesin e të miturve ishte distancuar nga çdo përgjegjësi duke u arsyetuar se nuk kishin çfarë tjetër të bënin”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave të Kosovës.

RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuriria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën. RrGK-ja ka kërkuar që babai i 17-vjeçares të mos jetojë në liri si dhe po presin nga prokuroria që të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën.

“RrGK ngrit shqetësimin se të jetuarit në të njëjtin ambient me ushtruesin e dhunës, përveç që dëmton mirëqenien psikologjike të saj, mund të ndikojë edhe në frikësim dhe kërcënim për të raportuar sërish, tani që rasti është në rigjykim. I bëjmë thirrje Qendrës për Punë Sociale ta trajtojë rastin me seriozitet, duke i kërkuar që të ketë edhe bashkëpunim me strehimoret për të mitur në mënyrë që të miturës t’i ofrohet strehim në rast se ajo ka nevojë, si edhe ndihmë psikologjike. Ne i bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës, që të përgjigjet konform obligimeve ligjore në rastet e raportimeve të dhunës. Presim që edhe Mbrojtësit e Viktimave ta asistojnë prokurorinë që të sjellin drejtësinë.

Incesti sado që është temë tabu, ndodh në çdo shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë tonë, andaj ne kërkojmë drejtësi dhe trajtim të duhur për viktimat e incestit.

Gjithashtu ju njoftojmë se RrGK do ta monitorojë trajtimin e këtij rasti si dhe do të jemi në gatishmëri për të ndihmuar që drejtësia të triumfojë”, thuhet në reagimin e tyre.

Të premten që lamë pas, në emisionin “Udhëve” të RTK-së, u bë publik rasti i së miturës 17 vjeçare e cila ishte përdhunuar seksualisht nga babai i saj, në rajonin e Mitrovicës. /Express/ KultPlus.com

RrGK i dërgon letër Kryeministrit Hoti për shkarkimin e Selmanajt

Pas deklaratës së deputetit Driton Selmanaj për çështjen e të pagjeturve, Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Republikës së Kosovës, Abdullah Hotit, ka kërkuar shkarkimin e Selmanajt.

KultPlus ju sjell letrën e plotë të RrGK:

I nderuar Kryeministër Hoti,

Çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ashtu siç kanë treguar hulumtimet, duke përfshirë këtu edhe hulumtimin e ardhshëm të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Ku është vendi im në tryezë”, çështja e të pagjeturve është ndër çështjet më të rëndësishme që qytetarët e Kosovës duan të adresohet nga qeveria, drejt arritjes së paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. Andaj, kjo është një çështje e rëndësishme për RrGK-në dhe anëtaret e saj.

Që nga përfundimi i luftës, populli i Kosovës dhe veçanërisht familjet e të pagjeturve vazhdimisht kanë kërkuar që të adresohet çështja e të pagjeturve, nga qeveria si dhe nga akterët ndërkombëtarë që ndërmjetësojnë proceset paqeruajtëse. Pa adresuar këtë çështje kyçe, nuk mund të ketë paqe të vërtetë për qindra familje që nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre.

Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën.

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta.

Madje, në vitin 2009, Thirrjet e Nënave – organizatë kjo që përfaqëson nënat e Gjakovës që ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre, të lodhura nga premtimet e zbrazëta të qeverisë, nisën grevën e urisë. Ato kërkonin të vërtetën. Edhe pse qeveria premtoi, kjo çështje nuk u zgjidh as atëherë.

Në mesin e udhëheqësve tanë politikë, Saranda Bogujevci ka shërbyer si një nga zërat më të fortë që kemi pasur, duke qenë vetë e mbijetuar e mizorive çnjerëzore. Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Për dallim prej saj, në anën tjetër, kemi një zyrtar qeveritar, zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, i cili jo vetëm që nuk i përfaqëson plotësisht interesat e qytetarëve të Kosovës, por madje po fyen drejtpërdrejt ata dhe përfaqësuesit e tyre si Saranda Bogujevcin, e cila ka përfaqësuar zërat tanë. Si zëvendëskryeministër, deklaratat e tij nuk përfaqësojnë thjesht atë si individ, por ato përfaqësojnë Qeverinë e Kosovës. Kështu, përmes tij, qeveria po ofendon qytetarët e saj.

Në vitin 2015, Jabllanoviç, atëherë Ministër i Qeverisjes Lokale, si përfaqësues i qeverisë ofendoi familjet e të pagjeturve. Populli i Kosovës u ngrit dhe kërkoi shkarkimin e tij. Pas kësaj, kryeministri i atëhershëm, Mustafa, e shkarkoi atë. Kjo është hera e dytë që një ofendim i tillë vjen nga qeveria, dhe rezultati tani nuk do të duhej të ishte ndryshe.

Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona.

Duke qenë se grumbullimet e njerëzve dhe protestat masive nuk janë të lejuara me masat për luftimin e pandemisë COVID-19, unë personalisht kam marrë vendim që të qëndroj para qeverisë për një orë, çdo ditë pune, duke filluar nga sot në ora 12:00, derisa Selmanaj të shkarkohet. Pas shumë viteve mbështetje për zërat e të pagjeturve, nuk do të isha besnike ndaj vetes dhe bindjeve të mia si aktiviste për të drejtat e njeriut, nëse do të rrija duarkryq dhe të shikoja në heshtje teksa qytetarët ofendohen mu nga njerëzit që janë zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat tona. Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë.

Derisa zërat tanë të dëgjohen! / KultPlus.com

RrGK reagon për tekstet shkollore: Një sistem edukativo-arsimor që rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor

Rrjeti i Grave të Kosovës nëpërmjet një reagimi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth pabarazitë gjinore që shfaqen përbrenda teksteve shkollore. Kjo organizatë kërkon nga Ministria e Arsimit përmirësimin e literaturës, shkruan KultPlus.

‘’Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi shpreh shqetësim për faktin që tekste shkollore që mirëmbajnë pabarazitë gjinore ende vazhdojnë të jenë në përdorim nga nxënësit’’, thuhet në reagimin e tyre.

Si model për këtë reagim është marrë libri i klasës së pestë ‘’Njeriu dhe Natyra’’, në të cilën në pjesën e detyrave të shtëpisë shtrohet pyetja “Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?’’. Përderisa raportimet në media për këtë fenomen kanë nisur tre vite më parë, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asgjë.

‘’RrGK kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që në  konkursin e hapur së fundi për tekste shkollore të reja dhe materiale për të gjitha klasat, të përmirësojë tekstet si ky i lartcekuri dhe të sigurohet për integrimin e perspektivës gjinore’’, thekson Rrjeti i Grave të Kosovës.

Rast tjetër përmendet edhe fjalët e hasura si “Nëna kryen punët e shtëpisë”, e të cilat për RrGK-në nuk mbesin vetëm një lëshim.

‘’Nëse nuk veprohet menjëherë, një sistem edukativo-arsimor si ky vetëm se rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor, i cili veçse është mjaft shqetësues dhe një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot si shoqëri, organizata e institucione’’, shtojnë tutje kjo organizatë.

Përmirësimi i kurrikulës dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore është pjesë e programit të RrGK-së./KultPlus.com

“Edhe sa herë duhet me na vra?”, RrGK proteston para Prokurorisë speciale për rastet e dhunës ndaj grave

“Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa herë duhet me na vra?”, “Mos i jep zemër dhunuesit”, dëgjoheshin zëra grash duke protestuar para Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehën pakënaqësinë e tyre për dënimet e ulëta për vrasësit e grave, shkruan KultPlus.

Ky aksion i RrGK u lejua nga Policia e Kosovës të zhvillohej nga 5 persona dhe të jetë “simbolik”. Organizatoret mbanin pankartat “17 gra të vrame, edhe sa të tjera për me ju çel sytë?”, “Asnjo Mo”, “Nuk ka arsyetim”. Ato kërkuan drejtësi për çdo grua që ka qenë viktimë e dhunës, madje për rastet që kanë përfunduar me vdekje ato mbajtën 5 minuta heshtje.

Përgjatë vitit 2020 kanë vdekur 6 gra dhe ky numër vlerësohet si alarmant për RrGK. Ashtu siç u shpreh koordinatorja kundër Dhunës në Baza Gjinore në kuadër të këtij rrjeti, Erëza Kurti, arsyeja e protestimit përpara Prokurorisë, anipse vendimin e cakton Gjykata, qëndron në faktin se ato kërkojnë që veprat të kualifikohen siç e meritojnë dhe ashtu siç i kanë kryer.

“Kemi pasur raste që ka ndodhur tentim në vrasje dhe janë kualifikuar si dhunë në familje. Jo, ajo nuk është dhunë në familje sepse tentim vrasja është një shkallë para vrasjes dhe ne jemi të shqetësuar deri në këtë pikë që mos të ndodh edhe vrasja”, theksoj koordinatorja Kurti.

Poashtu sipas RrGK rasti i vrasjes së dyfishtë të Petër Ndrecajt do të duhej të ndëshkohej me burgim të përjetshëm dhe jo 24 vite e gjysmë.

 “Ku është drejtësia u themi institucioneve relevante, a është drejtësia vetëm për burrat, a është ky shtet vetëm i burrave? Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucione me i hap sytë”, u prononcua për media Erëza Kurti.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati reaguar ditë më parë për dënimin e shqiptuar ndaj Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij./KultPlus.com

RrGK dënon uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecajn, për vrasjen brutale të bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018.  

Dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.   

Vepra penale “Vrasje e rëndë” në rastin Ndrecaj bart në vete dy kualifikime ligjore; vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj si dhe vrasjen e fëmijës (vajzës 9 vjeçare). Për këtë vepër penale parashihet dënim me burgim të përjetshëm, në rastin konkret rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, siç janë; mënyra e kryerjes së vrasjeve dhe fakti që viktimat kanë qenë të pambrojtura është dashur të ndikojnë në ashpërsimin e dënimit duke ju shqiptuar dënim me burg të përjetshëm të pandehurit Ndrecaj.

Kujtojmë se qëllimi i sanksionit është rehabilitimi i kryerësit të veprës si dhe krijimi i vetëdijes publike që personat që kryejnë vepra të tilla ndëshkohen. Ulja e dënimit ndaj Ndrecajt, jo vetëm që nuk do ta rehabilitojë atë, por do të shërbejë si motiv për të tjerët që të kryejnë vepra të ngjashme.  

Besojmë fuqishëm që Prokuroria do të ushtrojë ankesë dhe se Gjykata e Apelit do ta ndryshojë këtë aktgjykim për t’i shqiptuar dënim maksimal të pandehurit. / KultPlus.com

Burri e goditi gruan 10 herë me thikë, reagon RrGk: Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me dhunën që po raportohet ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook RrGK ka reaguar për rastin e një ditë më parë ku një grua u godit 10 herë me thikë nga burri i saj. Sipas tyre përderisa gratë janë duke përjetuar dhunë, drejtësia është duke fjetur në gjum.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherish që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.

Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës

RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe do t’i shfrytëzojë të githa mundësitë ligjore që dorasi të marrë dënimin më të lartë. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm apo si diçka e mbyllur dhe private. / KultPlus.com