MEPJ dërgon mbi 17 mijë tekste shkollore në 21 vende të ndryshme në Diasporë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, çdo vit të ri shkollor siguron mbështetje me tekste mësimore për fëmijët e diasporës shqiptare.

Për vitin shkollor 2020-2021, do të dërgohen 17 079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës.

Konkretisht, dje u nisën tekstet drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Çekisë, ndërsa sot janë nisur tekstet drejt Belgjikës, Spanjës, Rumanisë, Francës dhe Turqisë, për të vijuar më tej me shtetet e tjera.

“Ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sonë është ky moment i vitit! Duke u uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë në diasporë, një vit të mbarë shkollor, dëshirojmë t’ju jemi pranë në mësimin e gjuhës amë, me shpresën që të kontribuojë në rritjen e dashurisë për atdheun”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së. / atsh/ KultPlus.com