Më 14 shtator fillon edicioni i tretë i “Kino Kosova” në Bernë

Kino Kosova, festivali me filma të përzgjedhur të shkurtër, dokumentarë dhe artistikë nga dhe rreth temës së Kosovës, organizohet në Zvicër dhe tregon perspektiva të ndryshme nga vendi dhe pasqyron lidhjen e veçantë mes Zvicrës dhe Kosovës, përcjellë KultPlus.

Edicioni i tretë i Kino Kosova do të mbahet nga data 14 deri më 18 shtator në Bernë. Përveç filmave, gjatë festivalit do të ketë edhe evente të tjera anësore, si lexim me autorin nga Kosova Shpëtim Selmani dhe autoren nga Zvicra me origjinë nga Kosova Meral Kureyshi, koncert me artistë nga Kosova, diskutime në podium etj.

Sabahet Meta është bashkëthemeluesi i organizatës Kulturalink dhe iniciator i festivalit të filmit Kino Kosova. / KultPlus.com

Autorja zvicerane Meral Kureyshi vjen me promovim dhe diskutim në Qendrën Multimedia

Në kuadër të promovimit të romanit “Elefantët në kopsht” të Meral Kureyshi në gjuhën shqipe do të mbahet edhe një diskutim publik letrar me autoren zvicerane Meral Kureyshi e gazetarin kosovar Enver Robelli, përcjellë KultPlus.

Përveç diskutimit e leximit të fragmenteve të këtij romani, publiku do të ketë mundësi bashkëbisedimi me autoren mbi krijimtarinë e saj letrare, Prizrenin si inspirim si dhe trendet bashkëkohore të letërsisë.

“Që nga debutimi i saj me këtë roman, ajo është një zë prijës i letërsisë së re zvicerane”, ka shkruar gazeta prestigjioze zvicerane Suddeutsche Zeitung mbi Kureyshin.

Meral Kureyshi (1983) ka lindur në Prizren. Më 1992 ajo mërgoi në Zvicër. Ka studiuar në Institutin Zviceran të Letërsisë në Bernë. Romani “Elefantët në kopsht” ka qenë i nominuar për çmimin letrar të Zvicrës, ka marrë disa çmime letrare ndërsa është i përkthyer edhe në disa gjuhë botërore.

Promovimi dhe diskutimi do të mbahet të mërkurën më 16 tetor në Qendra Multimedia në Prishtinë. Kjo ngjarje fillon në ora 19:00. / KultPlus.com