Michelle Gurevich me koncert debutues te Lumbardhi në Prizren

E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthurë humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.

Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.

Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re “Goodbye My Dictator”, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.

Biletat për koncert mund të blihen te Kino Lumbardhi në Prizren, në Bubble Pub në Prishtinë dhe në Radio Bar në Tiranë.

Koncerti i Michelle Gurevich te Lumbardhi mbështetet nga Banka Raiffeisen në Kosovë. / KultPlus.com