Letra e Mit’hat Frashërit nga Greqia: Çarja na ka ndarë Gegë e Toskë

Pardje, në mbledhjen e parë të shqiptarëve të Selanikut, në mes të fjalëve dhe të punës, u hoqa një grimë më nj’anë dhe desha të mbledh mejtimet.

Ai theatër i madh ish mbushur plot me djem të mëmëdheut tonë, gjithë mbledhur aty për të dëgjuar fjalët e bashkimit dhe të shqiptarisë. Kisha përpara meje një tufë mëmëdhetarësh, të gjithë sytë qepur mbi atë mësallë (bango), përpara së cilës ish folësi: gjithë me një vërejtje të feshme po pritnim, po dëgjonim.

Kjo ish për ne një pamje e re, një pamje, që s’e kishim ndjerë kurrë, se ish hera e parë që shihnim kështu të mbledhur shqiptarët në një mbledhje vëllazërie. Rrotullova një sy mbi gjithë këta burra: ishin atje nga gjithë anët e vendit tonë, nga veriu, nga jugu, nga lindja, nga perëndimi, ishin atje shqiptarët e çdo qyteti, e çdo fisi, e çdo feje, e çdo besimi!

Shpresa se do t’i sjellin një më të mirë mëmëdheut, besimi se do punonin për të mirën e këtij vendi, i kish mbledhur aty gjithë këta trima të zgjedhur, këta vëllezër të vlejtur. Më çdo fjalë “mëmëdheu”, sa herë që zihesh në gojë kjo fjalë, kjo tubë njerëzish ndjente një dridhje në dejet e saj, ndjente një frymë në trupin e saj.

Duke folur, po mejtohesha: kam këtu përpara syve kaq trima, gjithë të ndershëm dhe burra të gjallë. Zemra u rreh me një gjak të fortë, mendja u shkëlqen në sy, shpirti është i kulluar dhe i gjallë, fuqia u ka mbushur gjithë rëmbat. Kaq mend, kaq fuqi, kaq shpirt, fort më të rrallë mund të shohë njeriu në një mbledhje të tillë. Edhe këta shqiptarë, këta djem të një mëmëdheu të mbështjellë tani këtu, po rrëfejnë gjithë bukurinë, trimërinë dhe gjallërin’ e tyre.

E lumtur, njëqind herë e lumtur ajo mëmë, që ka kaq djem të vlefshëm, kaq lastarë të gjallë.
Por, përnjëherë përpara syve m’u shfaq një pamje tjetër, m’u kujtua një pamje e largët: pashë Shqipërinë tonë të mbetur kaq të varfër, kaq pas, kaq e harruar! Qysh, pra, kjo racë kaq e fortë, këta djem kaq të mirë, ky komb që ka më të mirën dhe më të mençmen e kokëve (se kështu thot’ i dituri VIRHOV) qysh, pra, kjo gjindje e gjallë dhe me kaq shpirt, e ka lënë mëmën e saj të harruar? Qysh bëhet që shqiptarët, të cilët kanë bërë kaq punë të mëdha për botën, që i kanë dhënë shpirt dhe nder të botës, s’kanë bërë fare gjësendi për veten e tyre?

Kujtimi i Shqipërisë, kujtimi i atij vendi të ngratë, i atij mëmëdheu, kaq i harruar dhe i shkretuar, më prapsi gjithë atë gaz, që më kishte ndjerë shpirti! Sytë m’u turbulluan, lotët m’i mbushën dhe zemra m’u thye: gjendjen e sotme të Shqipërisë e pashë shumë të ligë dhe koha e shkuar m’u duk shumë e zezë, retë e errëta, që kanë mbuluar vendin tonë, m’u dukën shumë të thella!

Po ky dëshpërim s’mbajti veçse një grimë. Si një njeri që bie në det dhe vete në fund, pastaj përnjëherë del përmbi ujët dhe ndien erën e kulluar, ashtu dhe mua dëshpërimi m’u praps, hodha dhe një vështrim mbi gjithë këta vëllezër, që rrinin përpara meje dhe thashë: “Jo, jo, një mëmëdhe me kaq djem të mirë s’mund të humbasë: një komb me kaq shokë të vlejtur s’mund të shuhet!”

Shqiptarin gjer më sot e ka lënë në errësirë çarja dhe ndarja: çarja na ka ndarë Gegë e Toskë, çarja na ka ndarë fis me fis, çarja na ka ndarë qytet me qytet dhe, duke qenë të ndarë kështu, s’kemi mundur kurrë që të mejtojmë të mirën e gjithë mëmëdheut dhe të gjithë kombit.

Po tani, tani që shohim të mbledhur këtu djemtë gjithë anëve të Shqipërisë, tani po hapet një ditë të re për ne dhe grindjet, që na kanë helmuar jetën, do të prapsen fare. Tani e paskëtaj do ta dimë fort bukur, që njeriu do të përparojë vetëm me përpjekjet dhe me punët e tij; tani që qeveria u ndreq dhe na dha lirinë, tani pa humbur kohë do të mejtohemi për të mirën e vet, për lumturinë tonë, për lartësinë e vetes sonë. Rrojtja është e atij që punon, e atij që përpiqet dhe derdh djersë, e atij që lufton për të rrojtur!

Edhe kombi ynë, ky komb, që e shohim edhe këtu përpara nesh me djemt’ e tij, do të rrojë, do të zërë të jetojë dhe të ngjallet, se është një komb me gjithë të mirat, është një komb me frymë, është një komb i palodhur, është një komb trim, besnik dhe punëtor: është një komb me shpirt dhe me mendje, edhe gjithë këto virtyte s’e lenë kurrë që të humbasë!

LUMO SKËNDO
Selanik, 26 gusht 1908 / KultPlus.com

Autorizimi i Mid’hat Frashërit për Dhimitër Fallon, Greqia të kërkojë Kosovën për Shqipërinë

Historiani Kastriot Dervishi në një shkrim pati publikuar një dokument të vitit 1944, të Luftës së Dytë Botërore.

Dervishi shkruan se ky dokument i është marrë pas vdekjes Dhimitër Fallos, letër e cila tregon se Balli Kombëtar kishte shkëmbyer informacione me qeverinë Greke.

“Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mid’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza, Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të)”, shkruan ndër të tjera Dervishi.

Më tej Dervishi polemizon dhe me historianin Pëllumb Xhufi, ku shkruan se “Ndryshe nga ç’thotë z.Xhufi, Mid’hat Frashëri ka synuar që të bëjë palën greke për të luftuar në konferencën e paqes në mënyrë që Kosova dhe viset e tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë. Kjo sepse kufijtë nuk caktohen nga marrëveshje partish, por në konferenca të rangut ndërkombëtar me pjesëmarrjen e fuqive”./ KultPlus.com

Mid’hat Frashëri, gjurmë të pashlyera si politikan, diplomat dhe publicist

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përcolli sot faktet më të rëndësishme mbi figurën e Mid’hat Frashërit, një nga personalitet e diplomacisë shqiptare në periudhat më të vështira të kombit shqiptar, ndërsa kemi hyrë në nëntorin e Ditës së Flamurit.

Mid’hat Frashëri la gjurmë të pashlyera si politikan,diplomat dhe publicist në disa nga periudhat më kritike për kombin shqiptar. Në kohën kur Shqipëria kërcënohej të copëtohej nga shtete ballkanike, Mid’hati ishte një ndër delegatët që firmosën deklaratën e pavarësisë në Vlorë dhe u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai botoi me dhjetëra shkrime në gazeta evropiane të kohës për të bërë të njohur Shqipërinë dhe çështjen e saj, që rrezikonte të humbiste pavarësinë dhe integritetin territorial në bisedimet për paqen pas luftës.

Në vitet 1919-1920, Mid’hat Frashëri u emërua anëtar i delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris, por dhe si përfaqësues i zërit të “Vatrës” në këtë konferencë. Në nëntor të vitit 1920, ai u emërua kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve, ku qëndroi deri në vitin 1922. Gjatë kësaj kohë ai u ngarkua me punë pranë Republikës Franceze. Në vitet 1923-1926, Mid’hat Frashëri, u emërua ministri i parë fuqiplotë shqiptar në Athinë. Ai, gjatë këtij mandati trajtoi me profesionalizëm të spikatur dhe përkushtim kombëtar problemet e nxehta të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vende fqinje. Nga 1926, ai iu përkushtua jetës së tij personale dhe si shkrimtar e publicist duke krijuar një bibliotekë të rrallë për nga pasuria e saj. Në videon e publikuar nga Xhaçka, dëgjohet zëri i Mid’hat Frashërit, kur thotë se: “Pushtimi i Shqipërisë prej komunistëve dhe largimi i aleatëve nga toka jonë, detyroi shumë shqiptarë që të marrin rrugën e mërgimit”./atsh/KultPlus.com

“Kam parë shumë shqiptarë, që duan të shkruajnë, pa marrë mundimin të lexojnë më parë”


Nga Mid’hat Frashëri

Një shqiptar kur merr pendën në dorë dhe zë të shkruajë, një mijë të vështira i dalin përpara: nuk gjen dot fjalë, nuk i lidh dot këto fjalë dhe të shumtave s’u di ortografinë. Duke qenë se gjuhën e flasim, këto të vështira e çuditin njeriun dhe mestohet pse ca gjuhë që nuk i di dhe aq mirë për të folur, i shkruan më lehtë dhe më drejt

Për të gjetur përgjigjen e kësaj, duhet më parë që të na mbushet mirë mendja se gjuha në të folur është e lirshme dhe me të shkruar është ndryshe. Njeriu nuk shkruan dot kurrë ashtu si flet, se një shkrim i tillë bëhet i shëmtuar dhe për të qeshur, nëse nuk zbatojmë rregullat e shkronjëtores; kur shkruajmë duhet t’u vëmë re mirë fjalëve, frazave, ortografisë. Për t’i ditur këto rregulla të shkrimit, duhet që njeriu të ketë lexuar shumë.

Edhe ne shqiptarëve kjo na mungon.

Kam parë shumë shqiptarë, që qahen nga rëndësi e gjuhës dhe s’kanë marrë kurrë libër në dorë. Kam parë ca të tjerë, që duan të shkruajnë, pa marrë mundimin të lexojnë më parë.

Që të mundim të jemi të zotë të përdorim pak pendën, duhet të kemi lexuar, të kemi jo vetëm lexuar sa për të shkuar kohën, po duke vënë shumë re shkrimin, librat shqip, që janë shkruar gjer më sot. Duhet më parë të dimë gjithçka mbi gjuhën tonë, duhet të nxëmë gjithë sa është bërë, sa është gatuar për shqipen.

Këtu më kujtohet një anekdotë e vogël; trembëdhjetë vjet më parë, me guximin q’i ep njeriut djalëria, desha të shkruaj ca gjëra në gjuhën time. Kisha kënduar, që kur isha fare i vogël disa libra shqip, kisha marrë shije dhe dëshirë të madhe, desha të nis duke shkruar një Dhetregonjë, për të bërë një varg librash diturakë, edhe dorëshkrimin ja shpura Naim Frashërit, që ta shihte.

E kam si sot në mend. E këndoi, duke vënë shumë re disa faqe të defterit, këndoi nga mezi dhe nga fundi. Mandej me atë zë dhe mënyrë, këshilla: me ato fjalë q’ai dinte t’i thoshte aq mirë, më dha këto:

“Gëzohem që ke shkruar, po mos u lodh; të këshilloj që më parë të këndosh gjithë sa libra shqip, edhe këta s’janë të shumtë – që kanë dalë. Këndo dhe mëso edhe shkronjëtoren, se shkronjëtorja është rrënj’e gjuhës, pa ditur mirë rregullat e shkronjëtores, nuk mund të shkruash drejt e bukur”.

Këto fjalë gjithnjë i kam ndër mend, se këto fjalë na rrëfejnë të metat tona, të metat që kanë gjithë ata që shkruajnë.

Librat, që janë shkruar gjer më tani s’janë të shumtë, po sa vallë mes të tyre janë shkruar mirë? Një këndim me pak vërejtje do të na tregojë se ata që shkuajnë pa lajthim të madh, janë fort të paktë, shumë të paktë.

Më të shumtët e atyre, që shkruajnë, për fat të keq, s’dinë as më të parat rregulla të gjuhës sonë. Duke shkruar, s’marrin fare mundimin të mestohen për bukurinë dhe tjeshtësin’ e gjuhës. Ata s’kanë matur kurrë thellësin’e gjuhës, hollimet e saj dhe kjo padije u jep guxim, i bën të besojnë se janë shumë të ditur.

Edhe kështu, shkrimet janë plot lajthime gjuhe, shkronjëtoreje dhe ortografie. / KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga këndvështrimi Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com