145-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, ekspozitë me materiale arkivore nga Shqipëria e Kosova

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kanë shfaqur sot ekspozitën e titulluar “Lidhja e Prizrenit”.

Në këtë aktivitet të organizuar me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, DPA-ja dhe ASHAK-u risollën në vëmendje prapavijën, orvatjet dhe synimet e kësaj organizate me karakter politik, përmes paraqitjes së dokumenteve të vyera.

Të pranishëm në këtë aktivitet qenë Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut, Hysen Azemi, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.

Mes materialeve arkivore të ekspozuara në Sheshin e Dëshmorëve, gjendeshin thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve për kundërshtimin e copëtimin të trojeve të vendit, si edhe memorandumi dërguar Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtohen vendimet e Kongresit të Berlinit.

Ndërsa ditën e djeshme, më 10 qershor 2023, u mbajt në Manastir Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që erdhi në vazhdën e një tradite solide ndërveprimi mes institucioneve bashkëpunuese, DPA-së, ASHAK-ut, Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).

Ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtej kufirit diskutuan mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm./atsh/KultPlus.com

Presidenti Begaj në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Projektoi krjimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.

Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me praninë e autoriteteve më të larta të Kosovës, Begaj u shpreh se patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.

“Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krjimin e një shteti shqiptar — të lirë dhe të pavarur. Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar”, tha Begaj.

Por, vuri në dukje Presidenti, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë.

“Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim. Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkarisht. Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë”, theksoi ai.

“Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë: nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”, vuri në dukje ai./atsh/KultPlus.com

“Mos u Nxeh Prizren!”, një mjet i ri për argëtim dhe edukim mbi trashëgiminë kulturore

Në oborrin e Kompleksit muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot u bë promovimi i lojës “Mos u Nxeh Prizren!”.

Loja e përgatitur nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ është prezantuar në format të hapësirës publike dhe atë të formës së lojës për tavolinë.

Në promovim morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga këshilltarja Nora Arapi-Krasniqi, përfaqësuesit e organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Drejtori i QRTK-Prizren, Samir Hoxha, mësimdhënësit e shkollës “Emin Duraku” dhe shkollave të tjera.

“Si ministri besojmë që edukimi për trashëgiminë kulturore duhet të fillojë qysh prej moshës më të re dhe mënyra më e mirë për të mësuar diçka është përmes lojës, përmes argëtimit dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin”, ka thënë ministri Çeku.

“Kjo mund të duket diçka e vogël por është një metodologji shumë e avancuar për t’i edukuar fëmijët tanë me idenë që duhet mbrojtur kultivuar dhe promovuar vlerat tona të trashëgimisë”, u shpreh tutje ministri.

“Përmes këtij aktiviteti po bëhet prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, edukimi joformal i gjeneratave të reja”, ka thënë mes tjerash, drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha.

Kjo lojë kreative e dizajnuar për qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Korça, etj. tanimë në Kosovë për herë të parë është prezantuar në Prizren.

Loja, përveq që synon të ‘pushojë’ fëmijët nga ekspozimi i tepërt në pajisje elektronike, poashtu synon rikthimin e një nostalgjie të shumë familjeve kosovare, tanimë në një format ndryshe.

Fëmijët përmes lojës e argëtimit do të mund të (ri)zbulojnë elemente të ndryshme të trashëgimisë së qytetit të tyre përderisa të rriturit, evokojnë kujtimet që ofron loja dhe mund të diskutojnë hapur për temat e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Edicioni i lojës “Mos u Nxeh Prizren” është dizajnuar nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ në partneritet me GuideKS (Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës) dhe kontribut të çmuar nga stafi profesional i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Personalitetet e huaja që kanë marrë pjesë në komitetin ekzekutiv të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Tetor 2021

“The Globe” ka botuar, të martën e 4 majit 1880, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me personalitetet e huaja që kanë marrë pjesë asokohe në komitetin ekzekutiv të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Lidhja Shqiptare drejtohet nga një komitet ekzekutiv dhe duket se në mbledhjet e këtij komiteti marrin pjesë disa të huaj të njohur.

La Gazette de Cologne (Gazeta e Këlnit) përmend në këtë numër majorin Saint-Clair, ish-udhëheqësin e kryengritjes në malet e Rodopit, polakun Malinowski, ish-major në shërbimin osman, një ish-oficer prusian të quajtur Sarro dhe disa italianë nga Reggio di Calabria.

Trazirat nuk kanë gjasa të shtrihen te mirditorët, pasi princi Prenk Doda, i cili banon në Shkodër, duke iu dorëzuar trupës konsullore, i ka ndaluar krerët e fiseve të marrin pjesë në lëvizje.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-globe-1880-ja-personalitetet-e-huaja-qe-kane-marre-pjese-ne-komitetin-ekzekutiv-te-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit/ / KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nga këndvështrimi Mid’hat Frashërit

Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

Restaurohen veprat “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Në ditën ndërkombëtare të muzeut, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, në bashkëpunim me Autostradën Biennale, ka ndërmarrë iniciativën për restaurimin e dy veprave të artit (tapicerive) të autores Valbona Zherka, pjesë e ekspozitës së përhershme në sektorin e galerisë së arteve në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Veprat e autores Valbona Zherka, “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës” të punuara me teknikën thurje klasike e leshit, ishin në gjendje jo të mirë dhe mjaft të dëmtuara, andaj kanë pasur nevojë imediate për trajtim urgjent.
Artistja Valbona Zherka që njëherit është edhe autore do të restaurojë këto dy vepra dhe të njëjtat pas restaurimit dhe dokumentimit të këtij procesi do të rikthehen për ekspozim në ambientet e Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Kjo nismë vjen si rezultat i zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ditë më parë nga drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha si dhe drejtuesi i Autostradës Biennale Leutrim Fishekqiu. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren falënderon Autostradën Biennale me theks të veçantë znj. Vatra Abrashi, e cila mori iniciativë për ta ndërmjetësuar restaurimin e këtyre dy veprave me vlerë të veçantë dhe të çmuar për institucionin tonë”, thuhet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. / KultPlus.com

Shënohet 142 vjetori i Lidhjes së Prizrenit me ekspozitën “Personalitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot për nder të 142 vjetroit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka hapur ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit”, shkruan KultPlus.com

Në këtë organizim kanë marrur pjesë zyrtarë të lartë të shtetit ndërkaq ky organizim është realizuar nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 142 vjetorit të Lidhjes, Shqiptare të Prizrenit, sonte në Prizren është hapur ekspozita “Personalitet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit”.

Në këtë ngjarje të udhëhequr nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, morën pjesë edhe Kryeparalmentarja Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni si dhe personalitete tjera nga skena politike.

Me këtë rast ministrja Dumoshi, në rolin e nikoqires së organizimit, tha se përmes kësaj ekspozite po sillen në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Sot jemi së bashku për të sjellë në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Për të ruajtur tërësinë territoriale atdhetarët tanë 142 vjet më parë arritën të formojnë organizatën politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që disa vite u zhvilluan aktivitete të ndryshme”.

Tutje ministrja tha “Sonte me kujdes te shtuar për shkak te përballjes me pandeminë dhe te angazhimeve tona të përbashkëta për t’ju kthyer dhe punës në institucione, se bashku për prezantimin e ekspozitës tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit” e autorit Prof. Dr. Parim Kosova. Ekspozitë kjo e punuar me përkushtim e profesionalizëm që përmban fotografitë, portretet e ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Prizrenit”.

“Ky aktivitet, nderon veprën dhe kontributin e të gjithë ideologëve, veprimtareve dhe dëshmoreve qe e krijuan Lidhjen për te cilën ne jemi krenar. Lidhje kjo, qe presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova e quante Lëvizja me e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës se shkëlqyeshme te Gjergj Kastriotit” shtoi ministrja.

Autori i ekspozitës Parim Kosova, dha detaje për ekspozitën, i cili tha se qysh nga viti 1996 kishte filluar të merret me këto fotografi.

“Kemi arritur të grumbullojmë fotografi të personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Duhet të theksoi një fakt, fati ka qenë i tillë shekulli 19 që studio fotografish vetëm një ka qenë në hapësirën shqiptare, ajo e Marubit dhe të tjerët janë fotografuar ose në Selanik ose në Stamboll ose në Itali ose në Austri. Pata fatin pas luftës të jem i pari studiues nga Kosova të hulumtoj në arkivin e fototekës Marubi, kam hulumtuar në fototekën në Stamboll, të muzeut kombëtar, muzeut të Tiranës, si dhe te familjarët”, tha ai.” / KultPlus.com

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përkujtuar në dy monedha numizmatike

Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 10 Qershor 1878.Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Tematika e kësaj ngjarje historike, është pasqyruar në monedhën metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor.

Ana e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”.Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.

Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”. atsh / KultPlus.com

Buxhovi: Lidhja e Prizrenit kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie



Nga Jusuf Buxhovi

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në medresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella), ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton në tërësi pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.
Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit.
Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.
Kuvendi themeloi organet e larta. Në krye të Lidhjes ishte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga Sulejman Vokshi.
Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund të thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin e vendit.
Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.
Frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja do të fillojë ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, i cili u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) e Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Li-dhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar.
Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.
Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman. / KultPlus.com

Ja kush janë dy themeluesit e vërtetë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Nga Aurenc Bebja

“Le Moniteur Universel” ka botuar, të premten e 13 gushtit 1880, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me themeluesit e vërtetë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Lidhja Shqiptare dhe Pallati qeveritar

Lidhja Shqiptare i detyrohet origjinës së saj dy burrave që zënë sot në kabinet (qeveri) dy postet më të rëndësishme. Abedin Pasha (Abedin pashë Dino ose  Abedin pashë Preveza), ministër i Punëve të Jashtme dhe Hysen Hysni Pasha, ministër i Luftës. Një ambasador më tha së fundmi se kur pa këta dy burra vdekjeprurës të vinin në pushtet, ai ishte dëshpëruar për zgjidhjen paqësore të çështjeve në pritje dhe kishte filluar të frikësohej për ndërlikimet më të rënda.

Dyshimet e tij, pikëpamjet e tij u ushqyen nga marrëdhëniet e ngushta dhe të vazhdueshme të cilat kurrë nuk pushuan së ekzistuari mes pallatit perandorak dhe drejtuesve të Lidhjes, marrëdhënie që u mbajtën të fshehta sa më shumë që qe e mundur, por që nuk u shpëtuan asnjë diplomati largpamës.

Anëtarët e familjes së Abedin Pashës kanë qenë, që nga ardhja e këtij të fundit në pushtet, ndërmjetës të zgjedhur natyrshëm për të bërë të ditur qëllimet, për të kryer udhëzimet sekrete nga pallati tek drejtuesit e Lidhjes Shqiptare.

Babai i Abedin Pashës, lbrahim Aga, vëllai i tij Vesel beu, një vëlla tjetër, emri i të cilit më shpëton, kunati i tij Qazim Beu, u panë disa herë në anijet e Lloyd-it, duke shkuar nga Preveza në Stamboll dhe nga Stambolli në Prevezë. Në këtë qytet jeton nëna e Abedin Pashës, shtëpia e të cilës është bërë vend takimi për pjesëtarët më të rëndësishëm në Epir dhe në Shqipërinë e Epërme të Lidhjes.

Kjo shqiptare patriote ka marrë më parë dhe me siguri akoma merr letrat dhe komunikimet, si nga pallati ashtu edhe nga Porta, të dërguara për pjesëtarët e Lidhjes. Pa dyshim që ajo i komenton dhe i shpërndan ato sipas udhëzimeve gojore që i vijnë prej Stambolli nga burri, djemtë ose dhëndri i saj.

Ky i fundit, Qazim Beu, është një puro shqiptar nga Gjirokastra, i cili ishte zëvendës i ministrit të policisë për disa vjet. Ky i fundit kurrë nuk pati ndoshta ndihmës më energjik, dhe pretendohet se brenda një dite, Qazimi i tmerrshëm bëri që të zhdukeshin rreth 200 fetarë (softas), të cilët kishin guxuar të protestonin me zë të lartë kundër ministrit të Luftës, Redif Pasha.

I shkarkuar më vonë pas komplotit të Ali Suavi-t, ai u rikthye me sukses, pas mbërritjes së kunatit të tij Abedin Pasha në pushtet, dhe që prej disa kohësh, ai është guvernator i qytetit dhe rrethit të Gjirokastrës, nga ku është thërritur shpesh në Stamboll “për punët e Lidhjes”.

Të premten e kaluar, ai u largua këtu me 20.000 lira turke në të holla, dhe 10.000 lira prej letrash krediti, të gjitha për të plotësuar armatimin dhe pajisjen e pjesëtarëve të Lidhjes. Kështu përgatitet Porta për të zbatuar vendimin e konferencës së Berlinit.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-moniteur-universel-1880-ja-kush-jane-dy-themeluesit-e-vertete-te-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit/.

Detaje mbi organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe dy misionet e saj

Nga Aurenc Bebja 

“Le Siècle” ka botuar, të dielën e 27 qershorit 1880, në faqen n°2, shkrimin e gazetës austriake “Neue Freie Presse” në lidhje me organizimin e brendshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe dy misionet e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Detaje mbi Lidhjen Shqiptare

Neue Freie Presse boton një shkresë të marrë nga Shkodra, të datës 23 qershor, e cila jep detajet e mëposhtme për Lidhjen Shqiptare:

“Komiteti i Lidhjes përbëhet nga 14 myslimanë dhe 8 të krishterë. Një komision prej 4 të krishterësh dhe 4 myslimanësh kujdeset për çështjet administrative dhe financiare. Disa ditë më parë, Lidhja vendosi të mbledhë taksat dhe një kontribut të 1/10. Në këtë mënyrë, qeveria turke humbi autoritetin e vetëm që i kishte mbetur në Shqipëri.

Lidhja i ka vendosur vetes dy detyra : së pari të parandalojë që asnjë pjesë e territorit shqiptar të mos i nënshtrohet Malit të Zi, pastaj të bëjë Shqipërinë një provincë autonome. Të krishterët ndryshojnë nga myslimanët vetëm në kërkesën që Shqipëria të ndahet plotësisht nga Turqia. Myslimanët janë të prirur të njohin sovranitetin e sulltanit.

Porta ka vetëm 5.000 ushtarë në Shqipëri, gjë që e bën fuqinë e guvernatorit, Izet Pasha thjesht fiktive. Përkundrazi, Lidhja kuvendon rregullisht, bën rezoluta, nxjerr dekrete dhe ka në dispozicion 6.000 shqiptarë dhe 1.100 mirditorë të mbledhur në Tuz, të komanduar nga Hodo Beu për myslimanët dhe nga Prenk Pashai (Prenk Bib Doda) për të krishterët.

Në thirrje të parë, 25.000 burra mund të mblidhen në Tuz.

Lajmi se fuqitë i dorëzuan Malit të Zi territorin midis Bunës dhe liqenit të Shkodrës ngjalli indinjatën më të madhe. Lidhja mbajti një kuvend dhe vendosi të luftojë deri në njeriun e fundit.

Lajmi se Italia nxit këto popullata është i rremë. Përkundrazi, françeskanët dhe jezuitët kanë bërë propagandë për Austrinë ndoshta me iniciativën e tyre.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-siecle-1880-detaje-mbi-organizimin-e-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit-dhe-dy-misionet-e-saj/

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në dy monedha numizmatike

Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e ka përkujtuar përmes dy monedhave numizmatike, emetuar në vitin 2013.

Monedhë metalike, prerja 50 Lekë, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, pa kurs ligjor, ka në anën e përparme: Në qendër të monedhës është shtëpia muze ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e gërshetuar me vlerën emërore të stilizuar “50 Lekë”. Në të majtë dhe në të djathtë të monedhës ka dy pllakëza, të cilat e ndajnë atë në mënyrë simetrike. Mbi to janë shkruar në altoreliev vitet “1878” dhe “2013”. Në të gjithë harkun e monedhës ka të shkruar “135-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT”.

Ana e prapme: Në qendër ka shqiponjën e Kastriotëve në konfigurim identik me atë të kohës. Poshtë saj është vendosur një shqiponjë e stilizuar në stil modern. Në harkun e dytë sipër ka të shkruar “SHQIPËRI-ALBANIA“, poshtë ka të shkruar vitin e prodhimit të monedhës “2013”.

Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA.

Vizatimet janë realizuar nga piktori Petraq Papa/ATSH. / KultPlus.com

Haradinaj: Lidhja e Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë

Më 10 qershor të vitit 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga momentet kyçe të historisë për liri dhe pavarësi.

“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi. Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës tonë shekullore”, ka shkruar Haradinaj.

 Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15./ KultPlus.com




Gjakova organizon tryezë diskutimi në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA” në bashkëpunim me Drejtorinë komunale të kulturës në Gjakovë, në kuadër të jubileut të 140 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizon tryezë me temën: “Kontributi i Gjakovës në organizimin dhe proceset e tjera të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Tryeza mbahet më datë 8 shtator në ora 11:00 në Shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

Në këtë tryezë referojnë: Akademik Jusuf Bajraktari me temën “Jehona identitare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Fitim Rifati me temën ”Programi i Kuvendit të Prizrenit në Qershor – Korrik 1878”, Alban Dobruna me temën “Roli i Ahmet Korenicës në LShP”, Migena Arllati me temën “LShP në epikën popullore”.

Dega e LShP – së në Gjakovë ishte dega më e fuqishme e Lidhjes sepse krerët dhe zhvillimet e këtushme nxitën fuqishëm proceset e mëtejshme të finalizuara në Prizren. Historia përsëritet. Sot, Kosova sërish ndodhet para diskutimeve dhe vendimeve kapitale lidhur me tërësinë e territorit të saj./KultPlus.com

U mbajt sesion shkencor për 104 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, mblodhi në Prizren studiues, intelektualë, e personalitete të shumta nga të gjitha trojet shqiptare, në një sesion shkencor që ia kushtoi 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Hapjen e sesionit e bëri Osman Ahmetgjekaj nënkryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke shprehur një falënderim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në numër të madh në këtë sesion. “Faleminderit që na jeni bashkuar sot në këtë sesion, në Prizrenin tonë, në kryeqendrën shqiptare. Dua të falënderoj në veçanti donatorët, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të veprojmë”, tha Ahmetxhekaj, i cili po shoqërohej nga njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj Naim Latifi.

Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, kishte ideuar dhe kishte ngritur një Këshill Organizativ për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i këtij Këshilli Mustafë Kabashi, tha se kishin bërë përpjekje maksimale për të realizuar këtë qëllim sa më mirë. Ai falënderoi anëtarët e Këshillit dhe komunën e Prizrenit, për gjithë mbështetjen që kanë ofruar.

Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet një amanet i hapur për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

“Ne çdo ditë kemi qenë të frymëzuar nga ajo Lidhje se si duhet punuar për atdheun. Tani, sa më shumë që shkruajmë dhe i përkthejmë ngjarjet tona historike, aq më shpejtë dhe më drejtë do të kuptojë bota për historinë shqiptare”, tha Ibrahimi në pjesën hyrëse.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vlerësoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” se ka mbajtur gjallë kulturën në mërgatë, duke theksuar se është e nevojshme të shkruhet edhe më shumë për çështjet dhe zhvillimet kombëtare, siç ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Lidhja e Prizrenit është një datë e rëndësishme e kombit shqiptar, ku për herë të parë kishte një bashkim të vilajeteve me kërkesa të njëjta, duke u bashkuar politikisht dhe ushtarakisht. Edhe 140 vjet pas ne nuk kemi arritur idealet e Lidhjë së Prizrenit, bashkimin e trojeve shqiptare. Ne nuk duhet t’i harrojmë ato kërkesa, përkundrazi, duhet të jenë synim i yni”, tha me këtë rast Haskuka.

Ai theksoi rolin e mërgatës, duke e cilësuar atë si bërthamë, që ka mbajtur gjallë Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe kërkesat e saj, si mërgata nga Kosova por edhe nga viset tjera shqiptare. “Mërgata ende na e mbanë gjallë këtë frymëzim dhe nëse mërgata shqiptare nuk e ka humbur lidhjen me Kosovën, Shqipërinë, është pikërisht aspekti kulturor dhe ne si komunë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më të gjitha shoqatat që mbajnë gjallë këto lidhje”, tha kryetari I Prizrenit Mytaher Haskuka.

Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi, vlerësoi angazhimin e SHSHASH “Papa

Klementi XI Albani”, që ka zgjedhur Prizrenit të shënojë këtë ngjarje të madhe historike.

“Këtu në Prizren, që në themelet e tij ka punën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët kudo që ndodhën shpalosen identitetet e tyre më shumë dinjitet dhe largpamësi. Prizreni i Kuvendeve dhe i vendimeve të mëdha historike, i ka skalitur ato sakrifica në gurë, që nuk vdesin kurrë, ato janë një shembull i qendrës dhe i burrërisë së këtij vendi”, tha Lleshi.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqyri Galica tha se SHSHASH në momentet vendimtare të historisë kombëtare ka ndihmuar ne pasqyrimin e aktivitetit te mërgatës. Kurse sot po vazhdon përpjekjet për ta ndihmuar edhe nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike dhe shkencore, për ta ngjallur vetëdijen e brezave të ardhshëm, për kontributin dhe sakrificën që do të bëjë çdo shqiptar. Krijimet e tuaja inventive, kontaktet me krijues gjithandej, dëshmojnë përkushtimin tuaj për ta ndihmuar atdheun edhe në rrethana të reja dhe për ta pasuruar krijimtarinë letrare e artistike me vepra moderne”, vlerësoi Galica, duke shprehur gatishmërinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës për bashkëpunim shumëdimensional.

Ndërkaq, Prof. Asllan Murati, foli për figurën e Ymer Prizrenit, ai kishte bërë bashkë burrat e kombit për të pavarësuar trojet shqiptare. “Lidhja e Prizrenit është gurthemeli i pavarësisë së trojeve shqiptare. Ani që Turqia ishte islame, duke e parë që vendet ballkanike, kërkonin të merrni trojet shqiptare. Ymer Prizreni kishte tubuar rreth tij bashkë me Abdyl Frashërin shumë burrat tjerë të kombit për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ata kanë hyrë në historinë e kombit tonë dhe janë të pavdekshëm. Ata duhet të jenë busullë për ne, se si ne duhet të shkojmë gjurmëve të tyre”, tha Prof. Asllan Murati, ish kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, duke përcjell mesazhin edhe njëherë se, pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë për kombin.

Në sesionin e gjashtë shkencor u paraqiten tetë kumtesa shkencore:

* “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj”, autor Fadil Geci
* “Lidhja e Prizrenit në epikën historike, autor Mehmet Rukiçi
* “Për poemën, kënga e Lahutarit për Lidhjen e Prizrenit, I botuar 40 vjet më parë”, autor Nuhi Vinca
* “Burimet arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrnit”, autor Ruzhdi Panxha
* “Lidhja historike shqiptare e Prizrenit”, autor Sylë Osmani
* “Rrugëtimi i ekspozitës së Lidhjës së Prizrenit”, autor Jusuf Osmani
* “Mbrojtja e dokumenteve në Lidhjen e Prizrenit”, autore Myvedete Basha
* “Lidhja e Prizrenit – frymëzim për mërgatën shqiptare”, autor Hysen Ibrahimi

Të gjitha kumtesat në fokus kishin Rolin e Lidhjes së Prizrenit në proceset vendimarrëse të shqiptarëve, në të gjitha kohërat. Kumtesat e plota të sesionit të gjashtë shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi do të botohen në vëllimin nr. 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të dalë vitin e ardhshëm.

Në kuadër të këtij sesioni u promovuan edhe 7 libra të rinj, të autorëve të ndryshëm, të cilët i mbështetë SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”:

* “Princesha Meri”, roman i autorës Elhame Gjurevci, referoi Mone Juniku
* “Fjalor, shprehje, fraza, dhe këshilla në shërbimet mjekësore, shqip-suedisht”, autor Fetah Bahtiri, referoi, Elhame Gjyrevci
* “Po të pres”, autor Idriz Gashi, referoi Isuf Bajraktari
* “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, autor Xhavit Çitaku, referoi Hysen Ibrahimi
* “Vullkan i shpërthithur”, autor Bajram Muharremi, referoi Fetah Bahtiri
* “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, autor Hyrë Tejeci Murati, referoi Mehmet Rukiqi
* “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare”, nr.9, SHSHASH, “Papa Klementi XI Albani, në Suedi, referoi Rrahman Rrahmani

Në fund të sesionit shoqata ndau mirënjohje për disa personalitete që kanë kontribuar për Lidhje Shqiptare të Prizrenit dhe për ata që kanë ndihmuar organizimin e Sesionit e gjashtë shkencor të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ndërsa Hyrë Tejeci Murati, u shpall “Anëtare Nderi” e shoqatës, për kontributin e saj me librin “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, një përmbledhje e 9 vëllimeve e “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi./KultPlus.com

Sot 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku aktivitetet kryesore janë paraparë të mbahen në Prizren.

Aktivitetet për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit:

1. Ora 9:00 – Në oborrin e Lidhjes së Prizrenit vihet gur-themeli i kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes.

2. Ora 09:30 – Hapja e ekspozitës së buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar dhe ekspozita e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë me monedha të vjetra, nga koha e Skënderbeut.

3. Ora 10:00 – Mbahet Seanca Solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).

4. Ora 11:00 -Akademia Solemne (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).

5. 11:30 – Konferencë për media (Hotel Theranda).

6. Ora 12:00- Organizohet turniri ndërkombëtar i Mundjes (Klubi i Mundjes Prizreni), Pallati i Sporteve.

7. Ora 13:00 -Konferencë shkencore 140 vjetori i Lidhjes (Tri institutet e Historisë: Tiranë, Shkup dhe Prishtinë), salla e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

8. Ora 15:00 -Hapet Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë, Hamami i qytetit në Prizren (10-20 qershor).

9. Ora 20:00 – Mbahet Koncerti i Ansamblit Kombëtar Shota (Prizren, sheshi i qytetit)./ KultPlus.com