‘Fëmijëri të rrëmbyera’ – vuajtjet e vazhdueshme të shoqëruara me vullnetin për të mos u dorëzuar kurrë

Uranik Emini

“Se nuk dua tjetër, vetëm ta marr vesh të vërtetën. Kjo do të ishte drejtësia më e madhe për mua. Vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër! Spse ai fëmijë nuk ka ditur asgjë, nuk i ka bërë keq askujt, as ai, as unë, e as burri”.

23 vjet pas luftës, në mungesë të përgjigjeve, familjarëve u mbetet barra e pyetjeve dhe pikëllimit edhe në varret e të pagjeturve. Besimi i palëkundur se një ditë do të mësojnë për fatin e djalit, të prindit, vajzës, i mban ata të ngushëlluar. E pikërisht, familjet e të zhdukurve kanë nevojë për përgjigje; ndalimi i kërkimit nuk është një opsion dhe nevojat e tyre rëndohen me kalimin e kohës, shkruan KultPlus.

Më 30 gusht në ambientet e Kino ARMATËS, është promovuar edhe libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”. “Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja u hap me shfaqjen e intervenimit audio-muzikor dedikuar të pagjeturve nga lufta të titulluar ‘The Vanished’ (prodhuar nga forumZFD programi në Kosovë) – me regji të Lum Çitaku, kompozim dhe performim nga Liburn Jupolli, me përcjellje të Arta Jashari në Soprano dhe Edita Pozhegu në recital të poezisë ‘The Vanished’ nga Hans Magnus Enzenberger.

Drejtor ekzekutiv i Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur, Bajram Qerkini, përgëzoi gjithë ekipin për punën e madhe që kanë bërë në këtë libër.

“Asnjë pasuri, asnjë dashuri, asnjë sen në këtë botë nuk ka që e gëzon prindin më shumë se fëmija. Nuk ka kush që mundet t’ia jep hakun njerëzor, edukativ, këtij libri, kur shkruhen për më shumë se 1600 persona të pagjetur. Unë i thërras të gjithë njerëzit që të lëshohen një minutë dhe ta shohin se si është t’ia marrin fëmijun nënës prej prehërit, e për ta zbuluar këtë gjë, ju ftoj ta lexoni librin. Ky libër nuk do të vdesë kurrë”, ka thënë Qerkini.

Libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera’ është realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.

Ndërkaq, Nehari Sharri, si Drejtor i forumZFD programi në Kosovë, uroi mirëseardhje për të gjithë të pjesëmarrësit në këtë promovim dhe falënderoi gjithë familjarët që ndihmuan në realizimin e këtij libri.

“1024 fëmijë janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa 109 prej tyre janë rrëmbyer ose janë të zhdukur. Për gjithë këtë numër, janë mbajtur vetëm tri gjykime për krime ndaj fëmijeve, përtej vrasjeve. Përkundër numrit të madh, fëmijët karakterizohen si viktima pasive dhe rrallë herë kanë qenë të inkuadruar në procese që lidhen me të kaluarën. Në këtë libër përfshihen 12 rrëfime, ku jemi munduar që të kontriboujmë në diskutime kolektive për përfshirjen e këtyre rrëfimeve”, thotë ai.

Ndërkaq, në një panel të përbërë nga hulumtuesja në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë restorative, aktiviste dhe feministe, Nora Ahmetaj, bashkë me Dr. Mimoza Shahini, specialiste e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe ligjëruese ne kolegjin AAB dhe Universitetin e Prishtinës; dhe Korab Krasniqi, forumZFD programi ne Kosovë, diskutuan nën moderimin e Dr. Linda Gusia, Sociologe dhe Profesoreshe ne Universitetin e Prishtinës, se sa e nevojshme është dokumentimi i këtyre vuajtjeve të vazhdueshme, duke thirrur në kërkim të drejtësisë, gjë e cila mungon që 23 vite.

Dhimbja nuk ndalet kurrë dhe shpresa i jep rrugë dëshpërimit kur ne jemi në errësirë, duke mos ditur vendndodhjen e të dashurve tanë. Megjithatë, familjet e prekura nuk dorëzohen pa marrë parasysh sa ju kushton dhe kjo dëshmohet më së miri në librin “Fëmijëri të rrëmbyera”. /KultPlus.com

Shahini: Pandemia ka ndikuar keq te zhvillimi i fëmijëve, institucionet nuk kanë bërë asgjë për shëndetin mental

Ka shtatë muaj që Kosova përballet me pandeminë Covid 19, dhe shumë pak reagime janë vërejtur nga institucionet kosovare për ndikimin e kësaj periudhe në shëndetin mental të fëmijëve, por edhe të angazhimit të tyre në lojëra kreative apo angazhime të tjera që të jenë aktiv, pos ballafaqimit të fëmijëve me sistemin online, që është praktikuar prej marsit e këndej, e deri te rikthimi i tyre në bankat shkollore, shkruan KultPlus.

Psikologia Mimoza Shahini, ndikimin e pandemisë në fushën emocionale të fëmiut, duke iu referuar edhe kohës kur edhe është shfaqë fillimisht pandemia në Kosovë, e ndanë në disa faktorë, si: lidhshmëria që fëmiu ka pasur me shkollën, lidhshmëria e fëmiut me edukatorët dhe arsimtarët,  gjendjen ekonomike të prindërve dhe familjes ku jetojnë fëmijët, niveli i edukimit të prindit mbi reagimet në Covid 19, mënyra se si shkolla ruajti lidhjet me fëmijët përmes mësimit online, mënyra se si fëmijët vendosin rutinat e reja në përputhje me nevojat edhe të anëtarëve të tjerë të familjes si dhe mënyrat që gjetën fëmijët për të qëndruar në lidhje me bashkëmoshatarët edhe në kushte izolimi.

“Mendimi im është që ata që ja dolën me sukses në këto pika,  janë fëmijët të cilët i kanë vuajtur më së paku emocionalisht pasojat e pandemisë, ndërsa fëmijët të cilët u ballafaquan me shumë strese për shkak të strategjive jo të shëndetshme të përballimit,  janë ata që vuajnë më shumë”, ka thënë Shahini, duke specifikuar më pas edhe dhunën në familje, që sipas saj, rritja e dhunës në familje gjatë pandemisë ka qenë e lidhur me faktorët e lartpërmendur, si dhe me kthimin e një roli të ri të babait në kushte shtëpie.

Kurse sa i përket pjesës kreative të fëmijëve, nëse iu ka munguar sistemi shkollor me atë shtëpiak, Shahini thotë se nuk e mendon se kreativiteti është i pranishëm në shkolla, dhe në këtë pikë, nuk e sheh se kanë pas një ndikim te fëmijët në aspektin emocional.

“Unë nuk mendoj që edukatorët dhe mësimdhënësit, pa dashur të përgjithësoj janë kreativ në shkollë apo institucione parashkollore, dhe këtë e vërteton edhe vlerësimet e PISA, prandaj nuk shoh ndonjë lidhje të mungesës së kreativitetit me problemet emocionale, më shumë i shoh të lidhura me probleme në procesin e nxënies”, ka thënë Shahini.

Kurse për mospërgjegjësinë institucionale, të cilët nuk kanë punuar për ti dalë në ndihmë familjeve për menaxhimin e situatës së pandemisë, në këtë rast, gjendjes emocionale të fëmijëve, Shahini ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për shëndetin mental të fëmijëve.

“Dhe e keqja nuk qëndron në mungesën e një strategjie apo plani veprimi për të mbështetur nevojat psikologjike të fëmijëve, por edhe shpërndarja e informacionit ka qenë shumë dramatike në raport me mënyrën se si përhapej virusi dhe si po menaxhohej. Gjithashtu familja ka qenë e përgatitur për rrethana të tilla, megjithatë informacionet nga prindërit kanë qenë pozitive, edhe pse shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të menaxhimit të fëmijëve, sidomos kur kanë pasur më shumë se një fëmijë në mësimin online”, ka thënë Shahini, e cila nuk mendon që kultura familjare në raport me mësimin është shumë e fortë për ta influencuar nxënien e fëmiut, por, sipas saj, mësimdhënësit janë përpjekur me aq sa kanë ditur të mbështesin familjet.

Duke iu referuar izolimit më të hershëm dhe ndarjes së fëmijëve nga shoqet dhe shokët e tyre të klasës, Shahini e sheh si një ndër sfidat kryesore që kanë hasur fëmijët gjatë zhvillimit të tyre.

“Dhe pikërisht kjo ndarje ka ndikuar që të zëvendësohet me qëndrimin për orë të tëra në lojëra elektronike, duke rritur edhe më shumë distancimin social. Gjithashtu kemi raportime të rritjes se obesitetit,  si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë në kompjuter apo mjete të tjera teknologjike”, ka thënë Shahini.

Dhe në mungesë të këshillimit institucional, Shahini tregon përvojën e saj përgjatë periudhës së izolimit se ka pas shumë raste kur familjet kanë kërkuar ndihmën e saj për të menaxhuar situatën.

“Problemi më i madh ka qenë vendosja e rutinave të reja, duke respektuar nevojat e secilit anëtar të familjes. Prindërit kanë qenë të painformuar se si t’i informonin fëmijët e tyre në raport me virusin si dhe të menaxhonin mësimin online. Ka pasur raste të problemeve të shëndetit mendor për shkak të situatës”, ka vazhduar Shahini,  e cila potencon edhe detajin tjetër, se përgjatë kësaj periudhe, nuk iu është kushtuar ndonjë vëmendje e veçantë aspektit emocional, përveç një linje telefonike e cila është ofruar nga vullnetarë të cilët nuk kanë qenë profesionistë për të bërë mbështetjen e duhur. “Nuk ka pasur një organizim të nevojshëm për t’i mbështetur fëmijët dhe për këtë më vjen shumë keq. Në kuadër të MSH kemi përgatitur një plan veprimi por, që nuk është jetësuar akoma”, ka thënë Shahini.

Dhe tashti, kthimi i nxënësve në shkolla, sipas saj është mirëpritur mjaftë mirë si nga fëmijët por edhe nga prindërit, por me dyshimet se si mund të menaxhohet kjo situatë e cila është në mes të mësimit fizik dhe atij online.

“Gjithsesi mendoj që ka ndikim pozitiv,  fakti që fëmijët do të kenë mundësi të takohen me bashkëmoshatarët dhe të gjithë akterët e tjerë të edukimit duke u kujdesur për shëndetin por edhe për mirëqenien e tyre emocionale”, ka thënë për fund Shahini./ KultPlus.com