Murakami apo Ulitskaya për Nobelin e Letërsisë

Çmimi Nobel për Letërsinë 2023 do të shpallet të enjten, më 5 tetor në orën 13:00.

Parashikuesit rrallë kanë pasur të drejtë për shkrimtarët, të cilët mund të fitojnë çmimin e lakmuar të Akademisë Mbretërore Suedeze.

Me rregullore, emrat janë sekret dhe lista e ngushtë, duke u shqyrtuar nga juria, është e blinduar.

Pra, të hamendësosh se kush do të fitojë do të mbetet një detyrë e pamundur.

Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht, thuhet se fitues mund të jetë një autor ukrainas si Andrej Kurkov, i cili së fundmi publikoi ”Bletë gri”.

Në vorbullën e të preferuarave janë edhe shkrimtari japonez, Haruki Murakami, i cili është ngritur në krye të faqeve britanike të basteve, por edhe shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya, gruaja e parë që fitoi çmimin rus ”Booker” në 2001, autore e librit ”Ëndrra e Jakovit” dhe e ”Midis trupit dhe shpirtit”, pa harruar shkrimtarin kinez Can Xue, pseudonimi i Deng Xiaohua, i cili botoi së fundmi ”Dialogje në qiell”.

Gjithashtu në pritje janë edhe shkrimtari amerikan, Thomas Pynchon dhe shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.

Ndërkohë, edhe Laszlo Krasznahorkai, i konsideruar nga kritikët si shkrimtari më i rëndësishëm hungarez i gjallë dhe australiani Gerald Murnane, pak i njohur, janë te preferencat kryesore.

Rikthehen këtë vit kandidatët e shumtë për fitore, si Salman Rushdie, autori i ”Vargjeve satanike”, i cili u sulmua më 12 gusht 2022 në festivalin letrar ”Chautauqua” në Nju Jork, apo shkrimtari i madh rumun Mircea Cartarescu si edhe fituesja dy herë e çmimit ”Booker”, Margaret Atwood.

Shkrimtari i diskutueshëm Michel Houellebecq dhe Emmanuel Carrere mbeten në renditje.

Milan Kundera, i cili vdiq më 11 korrik 2023 dhe Cormac McCarthy, i cili ndërroi jetë më 13 qershor 2023, të cilët ishin ndër kandidatët për fitore prej një kohë të gjatë, nuk do të mund të fitojnë më.

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin Nobel për Letërsinë, duke e çuar numrin e grave në 17 nga 118 fitues.

Fituesi më i ri është Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur fitoi çmimin Nobel për Letërsinë, në 1907.

Më e moshuara, Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeçe kur mori çmimin në vitin 2007./ atsh / KultPlus.com

Librat që duhet t’i lexoni varësisht prej vendeve të cilat i vizitoni

Ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha. Pra nëse keni planifikuar të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund t’i lexoni, në varësi të vendeve që do të vizitoni.

Kur përmenden pushimet verore – automatikisht mendja ikën tek deti, rëra dhe dielli.

Megjithatë, ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha.

Në raste të tilla, planifikimi është shumë i rëndësishëm: vendet që do të vizitohen, lista me muzetë, restorantet tradicionale etj, transmeton Klan Kosova.

Por disa të tjerë që nuk janë shumë të dhënë pas udhërrëfyesve. Ata janë të apasionuar pas letërsisë, i pëlqejnë librat në të cilat vendi i ngjarjes është po aq i rëndësishëm sa personazhet.

Nëse keni bërë plan të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund të zgjidhni të merrni me vete, në varësi të vendit që do të vizitoni.

Pragë – “Shakaja”, Milan Kundera

Nëse do të udhëtoni në Pragë, lexoni “Shakaja” të Milan Kunderës. Një libër që rekomandohet gjithnjë. Një histori e vendosur gjysmë shekulli më parë, që megjithatë është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë. Përshkrimi me detaje i një pjese të folklorit vendas i jep ngjyra realitetit gri të periudhës komuniste në ish-Çekosllovaki.

Barcelonë – “Hija e erës”, Carlos R. Zafon

I vendosur në Barcelonën e pasluftës, libri rrëfen jetën e Daniel Sempere, ende fëmijë, që mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme dhe fate të humbura.

Tokio – “Kronika e zogut kurdisës”, Haruki Murakami

Në rrethinat e Tokios, jeta e Okadas, një burrë në moshë të re, do të ndryshojë pas telefonatës së rastësishme të një gruaje…

Kejp Taun – “Turpi”, J.M.Coetzee

Pasi ka dhënë mësime për vite me radhë në Universitetin Teknik të Kejp Taunit, David Luri, një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i shkurorëzuar, ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studente të tij.

Stamboll – “Muzeu i pafajësisë”, Orhan Pamuk

Libri ndjek jetën e një sërë personazhesh në një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën…

Paris – “Kodi Da Vinçi”, Dan Brown

Një triller interesant, që pavarësisht pretendimeve për gabime historike apo kritikave për prozë të dobët, të mban mbërthyer deri në fund. Nga rrugët e Parisit, në kisha e galeritë e Luvrit.

“Kur je i ri, priresh të mendosh se bota do të bëhet më e mirë por sot ne po jetojmë pa këtë ideal”

Haruki Murakami, autori i njohur i romaneve “Pylli norvegjez” apo “Kronika e zogut kurdisës”, ka qenë i ftuar në Paris në një bashkëbisedim me studentë, ku ka folur për politikë dhe letërsi.

70 vjeçari, përpara 650 personave në vigjilje të dhënies se shfaqjes “Kafka në breg”, bazuar në librin e tij, u shpreh për disa nga temat që lidhin shkrimtarin me politikën. “Populizmi i është kundërvënë globalizmit, ndërsa po shtohen forcat e ekstremit të djathtë. Edhe Japonia po përballet me problemin e fuqisë nukleare. Unë kam mendimet e mia lidhur me këto çështje, por nuk di se si t’i shpreh në romanet që shkruaj. Kjo më është kthyer në një sfidë të vërtetë”, ka thënë Murakami.

Duke iu referuar Luftës së Dytë Botërore, shkrimtari japonez ka thënë: “Përpiqem të shkruaj për luftën sa më shumë që të mundem. Edhe Japonia ka pasur një problem me revizionizmin historik. Përpjekja për të mësuar vetëm “historinë e përshtatshme” është një problem në shumë vende, por ne duhet ta luftojmë.”

Nuk ka mundur t’i shpëtojë as pyetjeve për internetin dhe rrjetet sociale. “Në kohën time, jemi përpjekur të tregonim vetëm histori të vërteta. Por liberalizimi i lajmeve dhe historive të rreme u shtua për shkak të internetit. Kjo është shumë, shumë e rrezikshme”, ka thënë Murakami. “Kur je i ri, priresh të mendosh se bota do të bëhet më e mirë. Por sot ne po jetojmë pa këtë ideal. Ditët e sotme, të rinjtë mendojnë se bota do të jetë një vend më i keq në të ardhmen. Prandaj, në një farë forme, detyrohem të kaloj tek idealizmi im, të cilin e kam të rrënjosur në mendje që kur isha dhjetë vjeç.”

Duke folur edhe për forcën e romaneve të tij, Murakami tha: “Ne nuk e dimë se çfarë do t’i ndodhë botës në të ardhmen. Por unë besoj në ato kohë, dhjetëra mijëra vjet më parë, kur njerëzit jetonin në shpella dhe natën tregonin histori për të luftuar ankthin dhe frikën. Origjina jonë do të mbetet e njëjta, edhe pse bota ecën përpara. Prandaj besoj se forca e rrëfimit”./Opinion.al