Disa nobelistë janë mendje të ndritura, të tjerët janë me fat

Nga: Martin Rees, astronom / The Guardian

Çdo tetor shohim dhënien e “Oskarit shkencor”: çmimet Nobel. Çmimet e shkencës – të përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit – janë për fizikën, kiminë dhe “fiziologjinë ose mjekësinë”. Këtë vit, tre nobelët shkencorë iu dhanë gjithsej tetë shkencëtarëve – të shpërblyer për përpjekjet e vazhdueshme për të trajtuar sfidat themelore. Do të ketë vlerësim të veçantë për studiuesen hungareze të mjekësisë, Katalin Karikó, e cila ngulmoi – pavarësisht mungesës së mbështetjes nga universiteti i saj – në punën bazike që çoi në disa vaksina kundër koronavirusit.

Këto tri tema janë interpretuar gjerësisht, ndërsa qëllimi i tyre ka ndryshuar me kalimin e kohës. Por, çmimet megjithatë përjashtojnë traktet e mëdha të shkencës. Çuditërisht, matematika kurrë nuk është përfshirë. Shkencat mjedisore – oqeanet dhe ekologjia – nuk janë të mbuluara, as informatika, robotika dhe inteligjencë artificiale. Këto përjashtime shtrembërojnë perceptimin publik se cilat shkenca janë të rëndësishme.

Të jashtmit mund të mendojnë se, në shkencë, zgjedhja e fituesve të çdo fushe duhet të jetë po aq e qartë sa në garat sportive, ndryshe nga çmimet shumë më subjektive për letërsinë dhe për paqen. Por, ky nuk është realiteti. Për disa vite, çmimet shkaktojnë polemika dhe pakënaqësi. Meqenëse shkencëtarët e Nobelit në përgjithësi nuk janë personalitete të njohura dhe arritjet e tyre shpeshherë janë misterioze, debati mbi vlerën e tyre zhvillohet brenda komunitetit të specialistëve dhe rrallëherë gjerësisht depërton në publik. Ajo që sheh publiku është thjesht madhështia e shpalljeve të çmimeve për secilin vit.

Gjithashtu, procesi i ndarjes së çmimeve ka kufizime që bien ndesh me realitetet e kërkimit shkencor. Është e lehtë të biesh dakord se cilat përparime shkencore janë të rëndësishme, por nuk është aq e lehtë të ndash mirënjohjet. Krijimet e një artisti janë kalimtare, por përgjithësisht “individuale”. Nëse ata nuk do ta kishin krijuar një vepër të veçantë arti, askush tjetër nuk do ta kishte bërë këtë. Por, në shumë raste në shkencë, nëse një studiues nuk do ta bënte një përparim specifik, herët a vonë (dhe zakonisht më herët) një studiues tjetër këtë do ta kishte bërë.

Për më tepër, arritjet e asnjë shkencëtari nuk janë vërtet individuale, ashtu si triumfi i një golashënuesi në futboll që nuk është i pavarur nga lojtarët e tjerë në fushë (dhe gjithashtu menaxherit jashtë fushës). Refuzimi i komitetit të Nobelit për t’ia dhënë një çmim më shumë se tre personave, ka çuar në padrejtësi të dukshme dhe ka dhënë përshtypjen mashtruese se si shkenca në të vërtetë përparon – përmes bashkëpunimit të një grupi të madh.

Për shembull, çmimi i Fizikës më 2011 shkoi për astronomët që kishin zbuluar se zgjerimi i universit tonë nuk po ngadalësohej – siç pritej për shkak të tërheqjes gravitacionale që galaktikat ushtrojnë mbi njëra-tjetrën – por, përkundrazi po përshpejtohej. Kjo nënkuptonte se ekzistonte një forcë misterioze që “shtynte” galaktikat larg dhe që mposhti gravitetin në shkallën kozmike – një “energji e errët” e fshehur në hapësirën boshe. Ky zbulim u bë në mënyrë të pavarur nga dy ekipe, secila me rreth 20 anëtarë. Megjithatë, Nobeli iu dha vetëm tre personave, dyve nga njëri ekip dhe njërit nga tjetri, pavarësisht faktit se të tjerët, në secilin ekip, kishin suksese plotësisht po aq të dalluara sa edhe fituesit.

Edhe nëse një zbulim nuk është në mënyrë eksplicite përpjekje ekipore, disa njerëz mund të kenë hulumtuar veçmas në të njëjtën temë. Për shembull, grimca tashmë e quajtur Bozoni Higgs, u postulua në vitet 1960: në përgjithësi, gjashtë persona u cituan se kishin luajtur rol kyç në parashikimin e ekzistencës së tij. Nga këta të gjashtit, ai me arritjet më të forta dhe më të qëndrueshme gjatë gjithë jetës, Tom Kibble, nuk mori hise te çmimi Nobel kur grimca u zbulua 50 vjet më vonë – as ekipi prej një mijë vetave në laboratorin Cern në Gjenevë që drejtoi eksperimentim e madh e që në fakt e bëri zbulimin.

Publiku i percepton fituesit e Nobelit si “intelekte të larta”. Disa janë, por të tjerët, madje edhe midis atyre që kanë bërë përparime të pamohueshme epokale dhe “të denja për çmime”, nuk do të vlerësoheshin kështu nga bashkëmoshatarët e tyre. Në të vërtetë, disa nga zbulimet më të rëndësishme kanë qenë të çuditshme: për shembull, yjet neutrone dhe sfondi kozmik i mikrovalës – i ashtuquajturi “ndriçim i mëpasshëm i krijimit”. Louis Pasteur pohoi se “fati favorizon mendjen e përgatitur”; këta shkencëtarë mund të pretendojnë për se ishin me fat më të madh – por, jo talent më të madh – sesa profesori i rëndomtë.

Të metat dhe boshllëqet në çmimet Nobel, pjesërisht janë korrigjuar nga filantropët që kanë vendosur çmime të reja. Midis tyre, për shembull, janë çmimet Breakthrough të caktuara nga miliarderi Yuri Milner (të cilat u janë ndarë grupeve të mëdha, si ekipit në Cern që zbuloi grimcën Higgs); si dhe çmimin Berggruen – prej një milionë dollarëve – për filozofinë. Në përgjithësi, çmimet e tjera kryesore tani ofrojnë ekuilibër më të mirë në gjithë “hartën e mësimit”. Disa tani janë promovuar me përshtypjen që përputhet me çmimet Nobel, dhe me xhekpotët edhe më të mëdhenj.

Sigurisht, është e diskutueshme nëse duhet të mirëpresim ekzistencën e mega-çmimeve që disa intelektualë i çojnë në statusin e famshëm kalimtar. Ka pak rrugë të tjera sot për mendimtarët seriozë shkencorë për të fituar platformat e tilla publike. Por, ka një anë negative. Për shkak të rëndësisë dhe prestigjit të tyre të veçantë, opinionet e fituesve të Nobelit kërkohen nga shtypi dhe u jepet respekt joproporcional. Edhe shkencëtarët (dhe artistët) më të mirë, në përgjithësi kanë ekspertizë të ngushtë. Disa nga më të mëdhenjtë prej tyre vihen në siklet nëse u jepet një përgjegjësi shumë e gjerë publike.

Pra, ndoshta duhet të pyesim për përfitimet shoqërore të veçimit, nëpërmjet proceseve dhe kritereve disi të gabuara dhe arbitrare, të fituesve që nuk kanë nevojë as për një nxitje morali dhe as për para – dhe për punën që është bërë përgjithësisht shumë vite më parë. Në të vërtetë, në një sondazh të fundit të opinionit të kryer nga revista Nature, nuk ishte e çuditshme se shumica e të anketuarve favorizonin ndryshimet në çmimet Nobel – apo edhe heqjen e tyre.

Kemi nevojë për më shumë mënyra më të mira për të inkurajuar zbulimin dhe inovacionin. Një rrugë e mundshme janë “çmimet sfiduese”, të cilat nuk shpërblejnë suksesin e kaluar, por nxitin përpjekjet e ardhshme për të trajtuar një problem të rëndësishëm. Ka pasur çmime për fluturimin nën-orbital në hapësirë, për makinat pa shofer, robotët që operojnë në mjedise të rrezikshme, e kështu me radhë. Krahasuar me format e zakonshme të financimit, këto çmime inkurajojnë mendimin e çuditshëm dhe gjithashtu mund të rrisin interesin publik. Le të shpresojmë që disa filantropë do t’i vendosin këto, të paktën si një shtesë ndaj çmimeve tradicionale. / KultPlus.com

Murakami apo Ulitskaya për Nobelin e Letërsisë

Çmimi Nobel për Letërsinë 2023 do të shpallet të enjten, më 5 tetor në orën 13:00.

Parashikuesit rrallë kanë pasur të drejtë për shkrimtarët, të cilët mund të fitojnë çmimin e lakmuar të Akademisë Mbretërore Suedeze.

Me rregullore, emrat janë sekret dhe lista e ngushtë, duke u shqyrtuar nga juria, është e blinduar.

Pra, të hamendësosh se kush do të fitojë do të mbetet një detyrë e pamundur.

Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht, thuhet se fitues mund të jetë një autor ukrainas si Andrej Kurkov, i cili së fundmi publikoi ”Bletë gri”.

Në vorbullën e të preferuarave janë edhe shkrimtari japonez, Haruki Murakami, i cili është ngritur në krye të faqeve britanike të basteve, por edhe shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya, gruaja e parë që fitoi çmimin rus ”Booker” në 2001, autore e librit ”Ëndrra e Jakovit” dhe e ”Midis trupit dhe shpirtit”, pa harruar shkrimtarin kinez Can Xue, pseudonimi i Deng Xiaohua, i cili botoi së fundmi ”Dialogje në qiell”.

Gjithashtu në pritje janë edhe shkrimtari amerikan, Thomas Pynchon dhe shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse.

Ndërkohë, edhe Laszlo Krasznahorkai, i konsideruar nga kritikët si shkrimtari më i rëndësishëm hungarez i gjallë dhe australiani Gerald Murnane, pak i njohur, janë te preferencat kryesore.

Rikthehen këtë vit kandidatët e shumtë për fitore, si Salman Rushdie, autori i ”Vargjeve satanike”, i cili u sulmua më 12 gusht 2022 në festivalin letrar ”Chautauqua” në Nju Jork, apo shkrimtari i madh rumun Mircea Cartarescu si edhe fituesja dy herë e çmimit ”Booker”, Margaret Atwood.

Shkrimtari i diskutueshëm Michel Houellebecq dhe Emmanuel Carrere mbeten në renditje.

Milan Kundera, i cili vdiq më 11 korrik 2023 dhe Cormac McCarthy, i cili ndërroi jetë më 13 qershor 2023, të cilët ishin ndër kandidatët për fitore prej një kohë të gjatë, nuk do të mund të fitojnë më.

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin Nobel për Letërsinë, duke e çuar numrin e grave në 17 nga 118 fitues.

Fituesi më i ri është Rudyard Kipling, i cili ishte 41 vjeç kur fitoi çmimin Nobel për Letërsinë, në 1907.

Më e moshuara, Doris Lessing, e cila ishte 88 vjeçe kur mori çmimin në vitin 2007./ atsh / KultPlus.com

Suedia tërheq ftesën që ia bëri ambasadorit rus për ceremoninë Nobel

Fondacioni i Nobelit e ka revokuar vendimin e tij për ta ftuar ambasadorin rus në Suedi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel, pas kritikave të ashpra që ka pranuar nga politikanët suedezë.

“Ne kemi vendosur ta përsërisim përjashtimin e vitit të kaluar – që nënkupton se nuk do t’i ftojmë ambasadorët e Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Stokholm”, ka thënë fondacioni të shtunën.

Në të njëjtën kohë, organizata e ka mbrojtur vendimin paraprak për përfaqësuesin e Moskës.

Në deklaratë është thënë se është konsideruar “e rëndësishme dhe e drejtë që të ftohen sa më shumë njerëz për t’i shpërndarë vlerat dhe mesazhet për të cilat ndahet Nobeli”.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson e ka kritikuar ftesën për ambasadorin rus dhe disa politikanë tjerë suedezë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ceremoni, nëse aty do të jetë përfaqësuesi rus.

Çmimet Nobel për Letërsi, Mjekësi, Fizikë, Kimi dhe Ekonomi, do të ndahen në Stokholm, më 10 dhjetor.

Çmimi Nobel për Paqe do të ndahet në të njëjtën ditë nga Komiteti norvegjez i Nobelit në Oslo./REL/ KultPlus.com

Çmimet Nobel 2021 nën vulën e COVID-19

Pionierët e vaksinave kundër COVID-19 apo gjenetistët kryesorë, kundërshtarët bjellorusë apo liria e shtypit, një romancier joperëndimor: Çmimet Nobel 2021 do të fillojnë të jepen nga e hëna, padyshim, nën vulën e pakundërshtueshme të pandemisë.

Të dhëna prej 120 vjetësh, shpërblimet në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe, të dëshiruara nga shpikësi suedez Alfred Nobel, si edhe çmimi më i fundit në ekonomi, janë shpallur në Stokholm dhe Oslo, transmeton KultPlus.

Slogani: T’i jepet përparësi atyre që kanë kontribuar më shumë “në përfitimet e njerëzimit”.

Hungarezja Katalin Kariko dhe amerikani Drew Weissman konsiderohen nobelistë, pasi kanë hapur rrugën për vaksinat mARN nga Pfizer dhe Moderna, tashmë të injektuara në më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën, për t’i mbrojtur ata nga COVID-19.

“Do të ishte një gabim i komitetit Nobel të mos i jepte çmimin vaksinës mARN këtë vit”, vlerëson Ulrika Björkstén, kreu i shërbimit shkencor të radios publike suedeze, transmeton tutje KultPlus.

Akademia e Shkencave, ndonjëherë e kritikuar për tendencën e saj për të kurorëzuar zbulimet shumë të vjetra, gjithashtu mund të kurorëzojë përfundimisht, pas gati 90 vjetësh, ekspertët e limfociteve Max Cooper dhe Jacques Miller.

Kërkimet për kancerin e gjirit (Mary-Claire King dhe Dennis Slamon) ose fusha të tilla si rezistenca ndaj antibiotikëve ose epigjenetika, përmenden gjithashtu në çmimet.

Organizatat, që mbrojnë lirinë e shtypit, siç janë Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork, po kthehen edhe një herë këtë vit si fitues të mundshëm.

Disidentja bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya, vetëm ose me bashkatdhetaret e saj, Maria Kolesnikova dhe Veronika Tsepkalo, gjithashtu ka gradën “e preferuar”, vetëm nëse, midis 329 kandidatëve në garë, komiteti Nobel zgjedh kauzën e klimës, me shembullin e ri suedez, Greta Thunberg.

“Ky është problemi më i rëndësishëm për momentin”, tha historiani Nobel, Asle Sveen. / KultPlus.com

Anulohet ceremonia e çmimeve ‘Nobel’, e para herë që nga 1944-shi

Ceremonia në prani e dhënies së Çmimive Nobel, e planifikuar për 10 dhjetor në Stokholm, është anuluar për të parën herë që nga viti 1944, për shkak të pandemisë së COVID-19, njoftoi sot Fondacioni Nobel.

“Hera e fundit që nuk është mbajtur ceremonia në Stokholm ka qenë në vitin 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Gustav Källstrand, historiani i Fondacionit Nobel.

Çmimet e vitit 1944 u dhanë në mënyrë retroaktive në vitin 1945.

“Këtë vit, ideja është që medaljet dhe diplomat t’u dorëzohen kandidatëve në një mënyrë të sigurt, në vendet e tyre të qëndrimit, me shumë gjasa me ndihmën e ambasadave dhe universiteteve të të kandiduarve”, shpjegoi Fondacioni.

Megjithatë, është planifikuar një ceremoni televizive dhe fituesit do ta marrin çmimin e tyre në distancë.

Emrat e fituesve të çmimeve të ndryshme (Mjekësi, Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi) do të shpallen në datat e planifikuara, midis 5 dhe 12 tetorit, nga Stokholmi dhe Oslo/AFP / KultPlus.com

Anulohet ceremonia e ndarjes së çmimeve Nobel

Fondacioni Nobel, i cili administron ndarjen e çmimeve prestigjioze Nobel, thotë se për shkak të pandemisë koronavirusit, ka anuluar ceremoninë tradicionale, që mbahet çdo vit në muajin dhjetor, në Sallën e qytetit të Stokholmit, transmeton REL.

Lars Heikensten, drejtori i përgjithshëm i Fondacionit Nobel, tha se për shkak të masave të kufizimeve, nuk është e mundur të mblidhen deri në 1.300 mysafirë.

Ai tha se për shkak të pandemisë është e pasigurt nëse fituesit e çmimeve do të mund të udhëtojnë në Suedi, raporton AP.

Fituesit shpallen në tetor, por fondacioni tha se nuk ishte plotësisht e qartë ende se si dhe në çfarë forme do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

“Ky është një vit shumë i veçantë kur të gjithë duhet të bëjnë sakrifica dhe t’u përshtaten rrethanave plotësisht të reja, por ne do t’u kushtojmë vëmendje të ndryshme fituesve të çmimeve, zbulimeve dhe veprave të tyre”, tha Heikensten në një deklaratë. / KultPlus.com