Filmi “Dance In This Chaos” i Murat Zherkës triumfon në Sarajevë

Filmi “Dance In This Chaos” (Luaj në këtë kaos) i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka, është fitues i çmimit “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation” në edicionin e 14-të të Youth Film Festival 2022, që u mbajt në Sarajevë (19- 23 korrik), për të cilin festival sivjet konkurruan mbi 200 filma, ndërkaq për programin final u përzgjodhën vetëm 14 nga ta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori dhe njëkohësisht skenaristi i filmit, i cili ka uruar ekipin dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

“Sonte fituam në Sarajevë! Filmi jonë “Dance In This Chaos” është fituesi i çmimit “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation” në edicionin e 14-të të Sarajevo Youth Film Festival 2022! Urime ekipit të filmit dhe të gjithëve që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim”, ka shkruar Zherka.

Në këtë film, në rolet kryesore luajnë: Sina Rakip, Stefanija Naçevska, Aleks Petrovski, Fisnik Zeqiri etj.

Filmi u mundësua nga Democracy Lab, ISD Youth Can dhe është realizuar në vitin 2021. Filmi në fjalë ishte pjesë e kampanjës Let’s Bring The Colors Back. “Dance In This Chaos” premierën e pati më 31 tetor të vitit të kaluar në Kino Milenium ne Shkup, kurse më vonë u shfaq edhe në Kinemanë Cineplexx.

“Dance in this Chaos” është film bardh e zi, i realizuar sipas teknikës one-shot, që konsiderohet si njëra nga teknikat më të vështira për realizimin e një filmi.

Më 15 korrik ky film u shfaq edhe në Korçë, në kuadër të Festivalit KOSH Film Fest. Suksesi i jashtëzakonshëm në Sarajevë, këtij filmi i hap rrugën edhe për festivale tjera. Muajin tjetër filmi do të prezantohet edhe në Festivalin Drim Short që mbahen në Strugë dhe në Festivalin e filmit të shkurtë në Lublanë – FEKK (15 -20 gusht). / KultPlus.com

’65 Roses’ nga Murat Zherka, fitues i Çmimit për Distribuim në Garën Kombëtare në Dokufest

Sonte, me përfundimin e këtij festivali të filmit, po ipen edhe çmimet për filmat më të mirë.

Ndërkaq, filmi i Murat Zherkës është shpallur fitues i çmimit për distribuimin në garën kombëtare

Minutat e këtij filmi sjellin rrëfimi e detajuar të jetës së Yllkës, që nga ëndrrat, dëshirat madje edhe pengesat që ajo kalon ditë pas dite. Vera e vitit që lam pas shënoi edhe xhirimet e para të këtij dokumentari, përgjatë dy muajve ekipi nga Shkupi që tashmë ishte vendosur në Prishtinë, përcolli Yllkën dhe historinë e jetës së saj.

Regjisori i këtij dokumentari Murat Zherka në një intervistë për KultPlus ka treguar se që nga hera e parë kur e kishte dëgjuar historinë e Yllkës ai kishte qenë kureshtar që ta zhvillonte tregimin e saj edhe më tutje. / KultPlus.com

“65 Roses”, dokumentari për Yllka Letin të cilës këndi i lojërave ju bë një fushë betejë me jetën

Suada Qorraj

Gjashtëdhjetë e pesë trëndafila, një pikturë për të dëshmuar jetën, sëmundjen dhe luftën me të. Historia e katërmbëdhjetë vjeçares nga Prishtina, Yllka Leti, e cila vuan nga fibroza cistike, e të cilës këndi i lojërave ju bë një fushë betejë me jetën.

“Gjëja e parë që do të bëja kur ta marr vesh që se kam më sëmundjen është t’i gjuaja hapat nga dritarja e mandej kisha dalë dhe sa kisha mujtë veç kisha bërtitë”, thotë ajo gjatë dokumentarit “65 Roses”, shkruan KultPlus.

Minutat e këtij filmi sjellin rrëfimi e detajuar të jetës së Yllkës, që nga ëndrrat, dëshirat madje edhe pengesat që ajo kalon ditë pas dite. Vera e vitit që lam pas shënoi edhe xhirimet e para të këtij dokumentari, përgjatë dy muajve ekipi nga Shkupi që tashmë ishte vendosur në Prishtinë, përcolli Yllkën dhe historinë e jetës së saj. Regjisori i këtij dokumentari Murat Zherka në një intervistë për KultPlus ka treguar se që nga hera e parë kur e kishte dëgjuar historinë e Yllkës ai kishte qenë kureshtar që ta zhvillonte tregimin e saj edhe më tutje.

“Që nga hera e parë kur kemi dëgjuar për historinë e Yllkës, unë personalisht por edhe i gjithë ekipi me të cilin zakonisht bashkëpunoj, kemi qenë shumë të interesuar për të kuptuar më shumë dhe për ta zhvilluar këtë tregim edhe më tutje. Ajo çka na bëri më së shumti përshtypje, ishte karakteri i Yllkës dhe mënyra se si ajo ka vendosur t’i qaset jetës me të gjitha sfidat që ajo mund ta ballafaqojë një 14 vjeçare dhe jo vetëm. Kështu, ky ishte tregimi i përsosur për ta shndërruar në dokumentar”, ka deklaruar Zherka.

Ai nuk e quan Yllkën aktore, por një artiste të vërtetë ngase sipas tij personaliteti përplot energji i Yllkës e ka lehtësuar edhe procesin e realizimit të këtij dokumentari. Tutje Zherka ka shtuar se qasja në jetën e Yllkës gjatë realizimit të këtij dokumentari e bëri atë por edhe pjesën tjetër të epikes të mësojnë shumë nga ajo. Yllka u tregoi edhe një herë që çdo sfidë kalohet atëherë kur jemi optimist, me shpresë e mbi të gjitha edhe atëherë kur nuk dorëzohemi lehtë.

“Mesazhi më i mirë që e kemi marrë nga Yllka dhe nga krejt kjo përvojë është fuqia dhe mos-dorëzimi i Yllkës, e kjo na jep një mësim shumë të mirë për krejt ne – që çdo sfidë mund të mposhtet nëse jemi optimistë dhe me shpresë”, ka deklaruar regjisori i dokumentarit “65 Roses”.

Dokumentari që në minutat e parë ngërthen në vete mesazhe, optimizëm e lumturi për jetën. Por, ajo se çka e bënë edhe me të veçantë këtë dokumentar është edhe shtojca e tre personave të tjerë, Flora, Mary dhe Jared, ku të tre me përvojën e tyre i japin forcë dhe kurajë Yllkës që të vazhdoj përpara dhe të mos dorëzohet. E krahas kësaj është Yllka ajo që inspiron ata edhe më tepër, entuziazmi, karakteri dhe hareja që ajo ngërthen në çdo sekondë të ditës bëhen frymëzuese.

Ishte premiera e këtij dokumentari koha kur Yllka për herë të parë dëgjoi atë se çka Flora, Mary dhe Jared kishim për të thënë.

Murat Zherka për KultPlus tregon se Yllka nuk ishte në dijeni për këto mesazhe, ngase kjo ishte mënyra e tyre për të falënderuar Yllkën për shoqërinë dhe bashkëpunimin që krijuan.

“Yllka nuk ishte në dijeni për këto mesazhe. Kjo ka qenë një surprizë e vogël që ekipi i filmit ka dëshiruar t’ia bëjë Yllkës si shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe shoqërinë që e kemi”, ka pohuar Zherka. Gjithashtu ai ka shtuar se qëllimi i realizimi të këtij dokumentari ishte pikërisht vetëdijesimi se kjo sëmundje ka këmbë e duar, dhe ekziston edhe në vendin tonë, si dhe për të vënë edhe më shumë në pah faktin se përkrahja shoqërore e shtetërore për këtë sëmundje është e mangët.

Regjisori i këtij dokumentari në fund të intervistës ka thënë se pjesëmarrja në “Dokufest”, pra në vet vendin ku jeton edhe Yllka është një kënaqësi e madhe. Ai shpreson që mesazhi i këtij dokumentari të përhapet edhe më shumë, të krijohet edhe më shumë jehonë për talentin e Yllkës si dhe sëmundjes Fibroza Cistike.

Që nga koha e lansimit dokumentari “65 Roses” ka marrë pjesë në festivale të shumta ku dhe ka fituar çmimin “Filmi më i mirë dokumentar i shkurtër” në Moskë (Moscow Shorts), si dhe Best Short Documentary (Dokumentari më i mirë i shkurtër) në Festivalin e Filmit në Firence të Italisë (Florence Film Awards). Udhëtimi i këtij dokumentari nuk përfundon në festivalin e filmit DokuFest, “65 Roses”, historia e shkurtër por domethënëse e jetës së Yllkës do të jetë prezent edhe në Balkan Panorama Film Festival që do të mbahet në Izmir të Turqisë më 15-21 tetor. / KultPlus.com