Ministria planifikon t’i kthehet restaurimit të “Eminxhikut” në pranverë

Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë.

E rrethuar si vendpunishte, asaj i ka ngelur vetëm skeleti. Ashtu do të jetë edhe gjatë këtij dimri. Sa i përket vitit të kaluar, Ministria e Kulturës kishte ndarë vetëm 30 mijë euro për restaurimin e nisur qysh në vjeshtën e vitit 2017, e që ishte ndërprerë në fund të atij viti. Më pas zyrtarët ministrorë kishin ardhur në përfundim se ajo shumë nuk ishte e mjaftueshme dhe gjatë gjithë vitit nuk është punuar fare. Por në bazë të planifikimeve aktuale, nëse gjërat nuk ndërrojnë pas miratimit të buxhetit nga qeveria në ardhje, puna në kompleksin “Eminxhiku” do të nisë pas përmirësimit të kushteve meteorologjike. Por se kur do të jetë krejtësisht në dispozicion të vizitorëve – monumenti që është renditur ndër 12-të muzetë më të mirë në Evropë, nga e përditshmja britanike “The Guardian”, nuk dihet ende.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se projekti është gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna. Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër “. Por në korrik kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar.

Për dy muaj punë në fund të vitit 2017 muret e brendshme të objektit ishin zhveshur deri në skelet. Dyshemeja është larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahet në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët janë larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit janë larguar, e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhet i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë. Përderisa nga brenda objekti ka mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u është larguar llaçi deri në thupra. Puna e nisur më 17 tetor është ndërprerë në ditën e 30-të të dhjetorit. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt − njëri prej dy kryesorëve, ku zë vend Muzeu Etnologjik − rrezikonte të shembej.

Shpejt ishte konstatuar se gjatë ndërhyrjes kishte dalë 70 për qind punë më shumë sesa ishte paraparë me projekt. Ministria e Kulturës në buxhetin e paraparë për vitin 2017 kishte projektuar 80 mijë euro për ndërhyrjet në dy objektet e kompleksit. Për vitin 2018 ishin planifikuar 50 mijë euro.

Sali Shoshi udhëheq degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij”. Kjo organizatë merret edhe me restaurim e konservim të monumenteve. Në tetor ai i kishte thënë gazetës se kur një ndërhyrje e tillë niset pa plan e pa afate kohore është për keqardhje.

“Është dështim menaxherial. Kanë mbetur në fazën fillestare dhe po flasim për njërin prej monumenteve që rekomandohet nga mediat ndërkombëtare për vizita”, kishte thënë ai.

Në anën tjetër, në një artikull të botuar të premten, e përditshmja britanike “The Guardian” ka dhënë profilet e 12 muzeve nga Reykjavíku në Prishtinë, një shpalim interesant nga dinozaurët dhe vikingët e deri te Mozarti. E sipas vlerësuesve të “The Guardianit”, Muzeu Etnologjik në Prishtinë renditet përkrah muzeve të njohur si “Palazzo Massimo” në Romë, M9 në Venecie apo Muzeu i Shkencave Natyrore në Bruksel. Por derisa hyrja në muzeun e Brukselit kushton 7 euro, në Romë 10 apo në Vjenë 14 euro, në Muzeun Etnografik në Prishtinë është falas. /KultPlus.com