40-vjeçari që merr rrogë në ministri, por paraqitet në punë vetëm një herë në muaj

Një 40-vjeçar serb nga Mitrovica e Veriut (emër i njohur për redaksinë), detyrim të vetëm për marrjen e pagës mujore nga institucionet e Kosovës e ka paraqitjen në punë një herë në muaj në një ministri në Prishtinë. Vite më parë, ai i ishte bashkangjitur strukturës paralele serbe në veri, ‘Mbrojtja Civile’.

Pas vendimit për shpërbërje të kësaj strukture dhe pas marrëveshjes së Brukselit për integrimin e stafit të Mbrojtjes Civile, ai ishte punësuar në një nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës. Ka kontratë të përhershme, por nuk ka detyra ditore, e as vend pune.

“Kam nënshkruar një kontratë për të punuar, jo për të mos punuar, por agjencitë nuk janë të hapura, nuk ka vend për të punuar. Nuk është faji im. Mendoj që kjo situatë i përshtatet dikujt që të jemi vetëm në listën e pagave, pa shpenzime të tjera, zyra, kompjuterë, letër, etj”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, situatë të njëjtë kanë edhe shumë ish-kolegë të tij në ‘Mbrojtjen Civile’.

Disa nga institucionet qendrore në Prishtinë kanë dështuar në hapjen e agjencive dhe degëve të ministrive në pjesën veriore të vendit, ku do të akomodoheshin ish-pjesëtarët serbë të ‘Mbrojtjes Civile’. Kjo strukturë ishte shpërbërë më 2015/16, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e ku Kosova kishte marrë përgjegjësinë për integrimin e tyre në institucionet e vendit.

Rreth 483 ish-pjesëtarë të kësaj strukture paralele janë punësuar nëpër institucione e agjenci shtetërore, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, marrin paga, pa bërë asnjë ditë pune efektive.

Pas fillimit të procesit të integrimit, në Mitrovicën e Veriut ishte bërë një përpjekje për hapjen e zyrave të ministrive dhe agjencive, ku do të punonin ish-pjesëtarët e ‘Mbrojtjes Civile’, porse një hotel i dedikuar për këtë qëllim, ishte sulmuar menjëherë pas prezantimit si qendër e institucioneve të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor, 2016.

Bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë thotë se kjo gjë pati shkaktuar frikë në mesin e atyre që patën nënshkruar kontrata me Qeverinë e Kosovës, dhe se një frikë e tillë ende ekziston.

Ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se këtë çështje e sheh si problem politik, pasi Serbia, pavarësisht se kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2015, e kishte penguar zbatimin e saj.

“Serbia duhet të mos e pengojë veprimin e institucioneve të Kosovës në veri. Kur ne i kemi punësuar si shërbyes civilë, ish-punonjësit e të ashtuquajturës ‘Mbrojtje Civile’, dhe kur unë kam shkuar të hapë zyrat e ministrive me veprim lokal, atë ditë Serbia i ka bombarduar dhe ka pamundësuar funksionimin”, tha Tahiri.

Ajo shtoi se zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndodhë, para se Serbia të shuajë të gjitha strukturat e saj paralele.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga personazhi i këtij rrëfimi, por edhe nga bashkëbisedues në veri të Kosovës, se edhe në komunat që punojnë me sistem të Kosovës, ekziston ky fenomen, ku punëtorët marrin paga, pa u paraqitur fare në punë.

Radio Evropa e Lirë, ka kërkuar përgjigje nga disa ministri, duke përfshirë Ministrinë e Brendshme, atë të Punës, por nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara, pos Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, që është organ i pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nehat Koqinaj nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent i tha Radios Evropa e Lirë se 82 pjesëtarë të ish-Mbrojtjes Civile janë integruar dhe kanë detyra specifike në komunat veriore të Kosovës.

“Ata janë të sistemuar në njësitet profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan. Po ashtu edhe në Qendrën operative emergjente QOE 112 , e cila me lokacion është ne Komunën e Zveçanit”, sqaroi Koqinaj.

Sipas tij, i gjithë personeli është aktiv dhe se raportojnë në baza ditore.

Edhe Adriana Hoxhiq, që e administron zyrën e Qeverisë së Kosovës në veri, thotë se kanë hapur disa zyra, porse nuk ka specifikuar se cilat janë ato.

“Ata janë të obliguar të paraqiten çdo ditë në punë”, tha Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.

Si ishte krijuar ‘Mbrojtja Civile’?

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ‘Mbrojtja Civile’ ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica.

E konsideruar si struktura paralele më e rrezikshme për sigurinë nacionale të Kosovës, në fillim kishte rreth 500 anëtarë, por me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe pastaj më 2013 dhe 2014, numri ishte rritur në rreth 751.

Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

Ata paguheshin nga Qeveria e Serbisë, dukë përfshirë këtu edhe rreth 200 pjesëtarë të tjerë, të cilët ishin në komunat e tjera me shumicë serbe në jug të lumit Ibër. ‘Mbrojtja Civile’ ishte përgjegjëse edhe për barrikadat në veri, të cilat u hoqën po ashtu me Marrëveshjen e Brukselit.

Për shuarjen e kësaj strukture paralele ishte diskutuar për më shumë se 2 vjet në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës në vitin 2015. Ata janë sistemuar me vende pune në 9 ministri, dhe 11 agjenci e institucione të tjera shtetërore. / KultPlus.com

Ministria planifikon t’i kthehet restaurimit të “Eminxhikut” në pranverë

Janë bërë më shumë se dy vjet prej kur një nga dy ndërtesat e Muzeut Etnologjik në Prishtinë nuk është e qasshme për vizitorë.

E rrethuar si vendpunishte, asaj i ka ngelur vetëm skeleti. Ashtu do të jetë edhe gjatë këtij dimri. Sa i përket vitit të kaluar, Ministria e Kulturës kishte ndarë vetëm 30 mijë euro për restaurimin e nisur qysh në vjeshtën e vitit 2017, e që ishte ndërprerë në fund të atij viti. Më pas zyrtarët ministrorë kishin ardhur në përfundim se ajo shumë nuk ishte e mjaftueshme dhe gjatë gjithë vitit nuk është punuar fare. Por në bazë të planifikimeve aktuale, nëse gjërat nuk ndërrojnë pas miratimit të buxhetit nga qeveria në ardhje, puna në kompleksin “Eminxhiku” do të nisë pas përmirësimit të kushteve meteorologjike. Por se kur do të jetë krejtësisht në dispozicion të vizitorëve – monumenti që është renditur ndër 12-të muzetë më të mirë në Evropë, nga e përditshmja britanike “The Guardian”, nuk dihet ende.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se projekti është gati dhe është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por me 30 mijë euro nuk mund të nisej puna. Planet e MKRS-së ishin që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar të shtoheshin mjete për “Eminxhikun”, që ndodhet në atë që njihet si “Prishtina e Vjetër “. Por në korrik kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje dhe nuk ishte bërë rishikimi i buxhetit. MKRS-ja kishte bërë një kërkesë për shfrytëzimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por nuk ishte aprovuar.

Për dy muaj punë në fund të vitit 2017 muret e brendshme të objektit ishin zhveshur deri në skelet. Dyshemeja është larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahet në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët janë larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit janë larguar, e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhet i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë. Përderisa nga brenda objekti ka mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u është larguar llaçi deri në thupra. Puna e nisur më 17 tetor është ndërprerë në ditën e 30-të të dhjetorit. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt − njëri prej dy kryesorëve, ku zë vend Muzeu Etnologjik − rrezikonte të shembej.

Shpejt ishte konstatuar se gjatë ndërhyrjes kishte dalë 70 për qind punë më shumë sesa ishte paraparë me projekt. Ministria e Kulturës në buxhetin e paraparë për vitin 2017 kishte projektuar 80 mijë euro për ndërhyrjet në dy objektet e kompleksit. Për vitin 2018 ishin planifikuar 50 mijë euro.

Sali Shoshi udhëheq degën në Kosovë të organizatës suedeze “Trashëgimia kulturore pa kufij”. Kjo organizatë merret edhe me restaurim e konservim të monumenteve. Në tetor ai i kishte thënë gazetës se kur një ndërhyrje e tillë niset pa plan e pa afate kohore është për keqardhje.

“Është dështim menaxherial. Kanë mbetur në fazën fillestare dhe po flasim për njërin prej monumenteve që rekomandohet nga mediat ndërkombëtare për vizita”, kishte thënë ai.

Në anën tjetër, në një artikull të botuar të premten, e përditshmja britanike “The Guardian” ka dhënë profilet e 12 muzeve nga Reykjavíku në Prishtinë, një shpalim interesant nga dinozaurët dhe vikingët e deri te Mozarti. E sipas vlerësuesve të “The Guardianit”, Muzeu Etnologjik në Prishtinë renditet përkrah muzeve të njohur si “Palazzo Massimo” në Romë, M9 në Venecie apo Muzeu i Shkencave Natyrore në Bruksel. Por derisa hyrja në muzeun e Brukselit kushton 7 euro, në Romë 10 apo në Vjenë 14 euro, në Muzeun Etnografik në Prishtinë është falas. /KultPlus.com

Shkarkimi i këshillave drejtues nis me Galerinë Kombëtare

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka vazhduar traditën e pararendësve të tij sa i përket ndërrimit të përbërjes së këshillave drejtues të institucioneve qendrore të kulturës.

Këtë e ka nisur me atë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Pavarësisht se ky Këshill kishte mandat katërvjeçar, Gashi ia ka ndërprerë atë gati dy vjet pa i skaduar.

Së paku dy prej anëtarëve të përbërjes së re të këtij organi, vijnë nga Prizreni sikurse ministri i Kulturës, shkruan sot “Koha Ditore”. Për ndërrimin e Këshillit, ish-anëtarët kanë kërkuar sqarim nga ministri Gashi.

Kabineti i tij ka deklaruar se ai vetëm ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të emërojë një Këshill me tjetër përbërje. Vendim për shkarkim të atij paraprak nuk ka. Njëri nga ish-anëtarët e ka cilësuar skandaloz veprimin e ministrit Gashi tek ka thënë se GKK-në do ta drejtojnë njerëz të panjohur.

Sipas vendimit të marrë në ditën e 9-të të këtij muaji, Zake Prelvukaj, piktore, Driton Axhani, Xhevdet Pantina, piktor, Malbora Krajku, klarinetiste, Arjeta Miftari, skulptore, Enver Hoxha, piktor dhe Arlinda Hajrullahu si përfaqësuese e MKRS-së, do të zëvendësojnë ish-anëtarët Esat Valla (piktor), Nexhat Krasniqin-Nekrën (karikaturist), Ismet Jonuzin (skulptor), Afrim Spahiu (drejtor fotografie), Adriana Marku-Sedaj (skulptore), Luan Shllaku (nga shoqëria civile) e Kimete Berisha, përfaqësuese e MKRS-së.

Ish-anëtari i Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, skulptori e profesori universitar, Ismet Jonuzi ka thënë se bëhet fjalë për një vendim skandaloz të ministrit./ KultPlus.com

Ministria zvarritë kthimin e gjësendeve të Jusuf Gërvallës në Kosovë

Ka gati një vit që autoritetet e Shqipërisë u kanë kthyer përgjigje pozitive atyre të Kosovës për t’i tërhequr gjësendet personale të atdhetarit, shkrimtarit e muzikantit Jusuf Gërvalla. Por një gjë e tillë ende nuk është konkretizuar.

Tetë gjësende që ishin dërguar në Shqipëri para më shumë se tridhjetë vjetësh është paraparë të kthehen në vend për ekspozim të përhershëm në kullën-muze të vëllezërve Gërvalla. Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë tash e 11 muaj i ka kthyer përgjigje pozitive Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për kthimin e tyre në vendlindjen e Gërvallës, por ky institucion ende nuk ka marrë një hap konkret për këtë.

Pantallona, xhakavento, këmishë, fanellë pambuku, këpucë, pastel i kuq, libreza e gazetës “Rilindja” dhe një çakmak, që i kanë takuar Jusuf Gërvallës – i cili u vra më 17 janar të vitit 1982 në Gjermani bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe bashkëveprimtarin e tyre Kadri Zekën – aktualisht ndodhen në fondusin e institucionit më të lartë muzeor në Shqipëri. Presin t’u bashkohen eksponateve e gjësendeve të tjera personale të vëllezërve Gërvalla që janë bërë tok në kullë, ku ndër të tjera ekspozohen kitara, orë, makina shkrimi, dorëshkrime, libra, rroba e të tjera.


Rikthimin e tyre në kullë, në fshatin Dubovik të Deçanit, e përuruar më 1 tetor të vitit të kaluar, në ditëlindjen e Jusuf Gërvallës, e kishte iniciuar bashkëshortja e tij, Suzana Gërvalla, para dy vjetësh. Stafi i Muzeut Historik Kombëtar i kishte sugjeruar që kërkesën ta bënte nëpërmjet Ministrisë së Kulturës së Kosovës. Kjo e fundit qysh nga dhjetori i vitit të kaluar e ka pranuar konfirmimin se kërkesa i është miratuar.

“Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës dhe propozimin e zonjës Suzana Gërvalla ne i jemi drejtuar Ministrisë së Kulturës në Tiranë për kthimin e objekteve të Jusuf Gërvallës. Në koordinim të dy ministrive dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar në Tiranë, kërkesa jonë është miratuar dhe ndërkohë na kanë dërguar edhe vendimin për tetë objektet për ekspozim të përhershëm në Kosovë”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit.

“Planifikojmë që objektet t’i ekspozojmë në Kullën e Jusuf Gërvallës në Dubovik”, ka shtuar ajo. Restaurimi i kësaj kulle ishte financuar nga Ministria e Kulturës në dy faza, me gjithsej 137 mijë euro. Pos kullës qe bërë edhe restaurimi i objektit tjetër, odës së Nënës Ajshe, për të cilën kishte investuar Komuna e Deçanit, shkruan Koha Ditore.

Sipas Aliut, fakti që gjësendet e Gërvallës nuk janë kthyer ende në Kosovë, me gjithë konfirmimin nga pala shqiptare, lidhet me çështje teknike./ KultPlus.com

Studentë nga Kosova përfitojnë nga marrëveshjet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturore

Studentë të Kosovës do të vazhdojnë studimet pasdiplomike në fushën e trashëgimisë kulturore në Angli e Francë, si rezultat i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, i priti në një takim kandidatët të cilët priten të jenë kuadro në fushat përkatëse të trashëgimisë.

Arta Arifi, Atdhe Prelvukaj e Enes Lekiqi, janë studentët fitues të cilëtkanë fituar bursë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Angli, pas përfundimit të fazave të konkursit, në kuadër të marrëveshjes së MKRS-së me Këshillin Britanik, ndërkaq, Marigona Ademi e Endrit Smajli, fitues të bursave për vazhdim të studimeve në fushën e trashëgimisë në Francë, në kuadër të marrëveshjes mes Ambasadës së Francës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe École Normale Supérieure në Paris.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që në fushën ku mungojnë kuadrot, siç është fusha e trashëgimisë në përgjithësi, këta studentë kanë përzgjedhur pikërisht t’i vazhdojnë studimet e tyre, duke e konsideruar edhe një pasuri për vendin tonë. Ai i uroi për suksese studentët në fjalë, duke i porositur që dijen dhe përvojën e fituar ta sjellin në Kosovë, dhe ta vënë në shërbim dhe në të mirë të vendit tonë, duke e dëshmuar me fakte shkencore autoktoninë dhe lashtësinë e popullit tonë në këto treva.

“Ndjehem i lumtur që jeni treguar të gatshëm që të vazhdoni avancimin tuaj profesional dhe të ndiqni studimet pasdiplomike në këtë fushë deficitare siç është trashëgimia kulturore. Ju do të jeni një shpresë dhe do të plotësoni mungesat në këtë fushë”, tha para studentëve ministri Gashi.

Gashi po ashtu falënderoi edhe Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës për mbështetjen duke u shprehur se ata kanë qenë dhe do të mbesin partnerë të rëndësishëm të ministrisë.

“Shteti i Britanisë së Madhe dhe ai i Francës janë dy shtete mike të Kosovës, dhe mbështetja e tyre në progresin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pakursyer dhe se populli i Kosovës i është mirënjohës dhe falënderues. Edhe në fushat që ka në përgjegjësi ministria, këto dy shtete kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në aspekte të ndryshme”, tha ministri.

Ndërkaq, studentët falënderuan ministrinë për përkrahjen dhe përzgjedhjen duke theksuar se ata do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë dijen dhe përvojën e duhur dhe atë ta sjellin dhe ta aplikojnë në Kosovë, në shërbim të fushës së trashëgimisë kulturore. Studentët u shprehën se përmes bashkëpunimit që MKRS-ja ka ndërtuar me partnerët e saj, ka mundësuar që ëndrra e tyre të realizohet.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar fondin e bursave për trashëgimi, kulturore, për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrave deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerë dhe projekti në fjalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com