Publikohet renditja e shteteve të natës finale të Eurovision 2021, Shqipëria e dyta

Sonte, siç tashmë është bërë e ditur, mbahet nata finale e Eurovision-t. Gjithsej 26 artistë do të ngjiten në skenën e madhe të këtij festivali, i cili këtë vit zë vend në ”Ahoy Arena” në Rotterdam të Holandës, përcjell KultPlus.

Në këtë natë, si finalistë do të performojnë edhe dy shqiptarë, Anxhela Peristeri e cila përfaqëson Shqipërinë dhe Gjon’s Tears i cili përfaqëson Zvicrën.

Të dy këngëtarët me origjinë shqiptare kënduan në natën e dytë gjysmëfinale të enjten, ku falë interpretimit fantastik, arritën që ta kualifikojnë secili shtetin e tyre reprezentues në finale.

Tani, Eurovision ka publikuar listën e plotë të 26 shteteve përkatëse me numrin rendor të paraqitjes, që njëherësh paraqet edhe numrin me të cilin ata do të votohen nga publiku.

Anxhela Peristeri do të interpretojë këngën e saj “Karma” e dyta në renditje, dhe mban kodin “02” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Shqipërinë).

Ndërkohë, Gjon Muharremaj i cili konkurron me këngën “Tout l’Univers” do të ngjitet në skenë i njëmbëdhjeti, dhe si rrjedhojë mban kodin “11” për të ata që duan ta votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Zvicrën). / KultPlus.com