Shpend Ahmeti: Nuk ka asnjë leje ndërtimi në Badovc, uji i pijshëm në Prishtinë nuk do të rrezikohet

Lagjja buzë Liqenit Akumulues të Badovcit për ndërtimin e secilën është bërë bujë mediatike dhe qytetarët kanë reaguar në çdo formë, po vazhdon të jetë temë aktuale edhe sot. Kundër ndërtimit të saj, sot ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shkruan KultPlus.

Sipas tij, asnjë kompani nuk ka marrë leje nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e kësaj lagje dhe se uji i pijshëm në Prishtinë nuk do të rrezikohet.

KultPlus ju sjell reagimin e  plotë të Ahmetit:

Liqeni i Badovcit është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor. Vendimet për mbrojtjen e Liqenit/Ujit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror – sepse i kanë edhe përgjegjësitë edhe kapacitetet të bëjnë vlerësime të tilla. Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013.

Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë.

Në vitin 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marr statusin e pasazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi. Një pjesë e pasazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujërave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit.

Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017, dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet. / KultPlus.com