Poeti i njohur lezhjan Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 qershor 2010, për t’iu dhënë përjetësisë e për të mbetur i pavdekshëm, por jeton krijimtaria e tij poetike. Poeti Ndoc Gjetja filloi të botojë poezitë e para në vitin 1970, duke qenë autor i disa vëllimeve poetike, si: “Dhjata ime”, etj,.
Ai mbetet njëri prej poetëve më në zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë vlerësojnë se Ndoc Gjetja, me talentin e thjeshtësinë e tij, mbetet emblemë e njeriut dhe poet i ndjesive të thella. Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra e bukur, ajri i pastër, njerëzit e thjeshtë, dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Ku poezia ishte shpirtësia e tij, duke mbetur kështu zotërues i një sinqeriteti, modestie e ndershmërie gati hyjnore.
Universi i poezisë Ndocgjetjane ishte aq tokësore është një puthje, një përkëdhelje diku mbi bar, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh në lashtësi. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje , shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij: “Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja / I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë / Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha / Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”. /KultPlus.com
Ti je kaq e bukur sa më jepet të pyes: “Çfarë më je ti? Njeri apo art?” Të shoh dhe vjershat e shkruara i gris dhe para teje zbehet çdo varg.
Ti je poezia. Të tjerat janë proza Ti je poezia që s`bëhet dy herë, ti je frymëzimi që më dehu dhe bota më duket e tëra e larë me diell.
Kaq ditë ti ecën përkrahu me mua, ditë e përditë ne rrimë kaq pranë sa që më e dashura fjalë “Të dua” u bë e zakonshme si buka që hamë.
Kur më jepet e tëra qenia jote marr botën në dorë dhe të fshehtat ia di dhe puthja përsëritet e bëhet si kopje them gjëra të mençura që s`kanë poezi.
Prandaj ik e më ler deri në mbrëmje ose largohu një javë se vij e të marr unë dua të jetoj me mungesën tënde, të krijoj pa ty në vetvete një hall.
Më duhet një bosh që kërkon të mbushet, më duhet një gjemb që nga brenda më ther, më duhet të krijoj një dimër pa lule, më duhesh të të dua edhe një herë
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë
Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin në kolltuce
kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
uri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi e hyri në manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën në banesën e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.
Ne çastin e mbarmë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.