Nga 43 këngët në Eurovizion, tanimë ekziston një favorite për të fituar (VIDEO)

Tanimë dihen të gjitha 43 këngët që do të ngjiten në muajin maj në skenën e Eurovizionit.

Eurovizioni është festival që përcillet nga miliona shikues në mbarë botën.

43 këngë sivjet sjellin 43 shtete në Portugali, shteti që fitoi vitin e kaluar Eurovizionin dhe këtë vit do të jetë nikoqir i dy gjysmëfinaleve dhe finales.

Si e do zakoni, këngët më të mira marrin menjëherë vëmendjen e publikut.

Kësisoj ka ndodhur edhe me këngën nga Izraeli. Kënga “Toy” menjëherë ka depërtuar në toplistat e vendeve të ndryshme evropiane dhe qysh tash shihet si një prej favoriteve, shkruan KultPlus.

Netta është këngëtarja nga Izraeli, shumë e re në moshë, e cila ka mahnitur me suksesin e saj viteve të fundit. Kënga e saj “Toy” po dëgjohet tanimë në Spanjë, në Poloni, Norvegji e në Holandë, ku ka arritur të futet në toplistat kryesore.

Pos kësaj kënge, Eleni Foureira për Qipron duket se e ka nisur këtë periudhë me këmbë të mbarë. Kënga “Fuego” pos që ka pushtuar Qipron e Greqinë, po dëgjohet dhe është klasifikuar mirë edhe në Spanjë. Deri tani duket sikur këto dy këngë janë goxha favorite për të dalë mirë në këtë festival. Izraeli, në fakt, edhe mund ta fitojë në tërësi festivalin me një këngë të kapshme dhe të veçantë si ajo e Netta.

Eurovizioni do të mbahet me 8, 10 dhe 12 maj në Portugali. Filomena Cautela, Sílvia Alberto, Daniela Ruah dhe Catarina Furtado janë moderatoret e këtij spektakli në këto tri net muzikore. / KultPlus.com