Shqiptarja Eleni Foureira performon në finalen e Spanjës për Eurosong (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira e cila prej vitesh zhvillon karrierën në Greqi, në festivalin e fundit të muzikës Eurovision përfaqësoi Qipron, ku dhe foli për origjinën e saj shqiptare. Po në këtë festival ajo ishte shumë afër fitores, ku mori vendin e dytë, shkruan KultPlus.

Suksesi i saj ka vazhduar edhe pas kësaj gare me pjesëmarrje të ndryshme, interpretime të mrekullueshme e lansime të këngëve të reja shumë të suksesshme.

Ndërsa tashmë është publikuar edhe video e performancës se Elenit në finalen e Spanjës për në Eurosong.

Edhe kësaj radhe ajo shkëlqen teksa performon këngët e saj “Fuego” dhe “Tomame” me një energji të zjarrtë, ndërsa pritja e publikut duket të ketë qenë e mahnitshme.

Këngëtarja 31-vjeçare ka lindur në Fier, ndërkohë që në vitin 1997, prindërit e saj emigruan drejt Greqisë, ku ajo u rrit dhe zhvilloi karrierën e saj. /KultPlus.com

Nga 43 këngët në Eurovizion, tanimë ekziston një favorite për të fituar (VIDEO)

Tanimë dihen të gjitha 43 këngët që do të ngjiten në muajin maj në skenën e Eurovizionit.

Eurovizioni është festival që përcillet nga miliona shikues në mbarë botën.

43 këngë sivjet sjellin 43 shtete në Portugali, shteti që fitoi vitin e kaluar Eurovizionin dhe këtë vit do të jetë nikoqir i dy gjysmëfinaleve dhe finales.

Si e do zakoni, këngët më të mira marrin menjëherë vëmendjen e publikut.

Kësisoj ka ndodhur edhe me këngën nga Izraeli. Kënga “Toy” menjëherë ka depërtuar në toplistat e vendeve të ndryshme evropiane dhe qysh tash shihet si një prej favoriteve, shkruan KultPlus.

Netta është këngëtarja nga Izraeli, shumë e re në moshë, e cila ka mahnitur me suksesin e saj viteve të fundit. Kënga e saj “Toy” po dëgjohet tanimë në Spanjë, në Poloni, Norvegji e në Holandë, ku ka arritur të futet në toplistat kryesore.

Pos kësaj kënge, Eleni Foureira për Qipron duket se e ka nisur këtë periudhë me këmbë të mbarë. Kënga “Fuego” pos që ka pushtuar Qipron e Greqinë, po dëgjohet dhe është klasifikuar mirë edhe në Spanjë. Deri tani duket sikur këto dy këngë janë goxha favorite për të dalë mirë në këtë festival. Izraeli, në fakt, edhe mund ta fitojë në tërësi festivalin me një këngë të kapshme dhe të veçantë si ajo e Netta.

Eurovizioni do të mbahet me 8, 10 dhe 12 maj në Portugali. Filomena Cautela, Sílvia Alberto, Daniela Ruah dhe Catarina Furtado janë moderatoret e këtij spektakli në këto tri net muzikore. / KultPlus.com

Kush është Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2018? (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.

Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.

Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006.

“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.

Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.

Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com

Radio Televizioni Shqiptar e hapë konkursin për Festivalin e Këngës (VIDEO)

Shqipëria ka hapur konkursin për këngën shqiptare e cila do të përfaqësohet në Eurovizionin e vitit 2018-të.

Radio-Televizioni Shqiptar, fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë shqiptare, në konkurrimin për pjesëmarrje në Festivalin e “56-të” të Këngës në RTSH, që do të zhvillohet në muajin dhjetor të këtij viti. Konkurrentët duhet të dorëzojnë:
1. Këngën e kënduar, dhe bazën orkestrale të saj, të regjistruar në CD-ë, të përfunduar në të gjithë elementët përbërës të saj
2. Tekstin e këngës
3. Fotografi te këngëtarit ose grupit nëse merr pjesë për herë të parë

Pranimi i këngëve do të bëhet nga data 2 deri më 10 nëntor 2017 Nga ora 09:00 deri në orën 14:00 në Radio Tirana. Përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse, do të kryhet nga komisioni i seleksionimit të këngëve, në bazë të dëgjimit të tyre Në momentin e dorëzimit të këngës, konkurrentët duhet të plotësojnë formularin e dorëzimit të këngës, në të cilin deklarohen nominalisht të gjithë autorët këngës, përfshirë edhe këngëtarin, të cilët nuk mund të ndryshohen nëse kënga shpallet fituese për të marrë pjesë. Kënga s’duhet të jetë e publikuar më parë. Kënga duhet t ë jetë e kënduar në gjuhën shqipe.

Kënga nuk duhet të jetë më e gjatë se 4 minuta. Kënga duhet të jetë e kënduar nga këngëtari që pretendon ta interpretojë atë në Festival. Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës mbi 16 vjeç. Një këngëtar apo kompozitor, mund të marrë pjesë në konkurrim vetëm me një këngë, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë. Një orkestrues apo tekstshkrues mund të marrë pjesë në konkurrim, me jo më shumë se dy orkestrime apo tekste, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë.

Të gjithë autorët e këngës, përfshirë edhe këngëtarin, duhet të jenë shqiptarë. Mosplotësimi i këtyre kushteve, sjell automatikisht, përjashtimin e këngës nga konkurrimi. RTSH, Ju uron suksese në krijimtari dhe ju falënderon për bashkëpunimin. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com