Daci për Fjalorin Enciklopedik: Redaktorët janë zgjedhur pa asnjë kriter

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Nexhat Daci, tha se “Fjalori Enciklopedik” i AShAK-ut, nuk është enciklopedi e Kosovës, por një paradhomë e enciklopedisë që do të bëhet në të ardhmen për Kosovën.

“Vlerësimet e këshillit botues, në krye me akademik Mehmet Krajën, kanë qenë pozitive, gjithmonë me ndonjë vërejtje sepse një projekt i tillë voluminozes për herë të parë është realizuar në Akademi. Gjithmonë projekte të tilla mund të kenë lëshime. E mira e kësaj se ky fjalor nuk përmbyllet me këtë periudhë. Në ndërkohë arrijnë krijues tjerë. Fakti është se opinioni interesohet dhe meriton të ketë sqarime. Unë them me përgjegjësi se kur është vendosur të krijohen forumet është bërë me nguti dhe nuk ka pasur kriter kur janë zgjedhur redaktorët. Kjo është manifestuar gjatë punës, shpeshherë unë nuk jam kyçur aty”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij, Akademia nuk ka qenë e hapur me publikun deri më tani.

“Akademia ka qenë relativisht e mbyllur. Unë kam thënë se Akademia duhet të hapet, por numrat vendosin dhe tani Akademia ka filluar të hapet, për herë të parë është hapur biblioteka e saj për doktorantë e master”, pohoi Daci./ KultPlus.com

Thaçi takohet me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Dacin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka takuar kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nexhat Dacin, shkruan KultPlus.

Thaçi ka thënë se në kuadër të këtij takimi ka biseduar me Dacin lidhurme zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Kryeakademikun Daci e informova për ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim i përbashkët se në këtë proces të gjithë duhet të marrim përgjegjësi : institucionet, partitë politike parlamentare, opozita, shoqëria civile, Akademia etj. Vetëm të bashkuar mund t’i realizojmë objektivat tona: njohjen reciproke Kosovë Serbi, ulësen në OKB si dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare. Pretendimi i Serbisë për ndarje të Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet, në procesin e dialogut, tanimë kërkesa dhe e drejta e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës”, ka shkruar Thaçi. / KultPlus.com