Daci dhe Dhomi, akademikë të jashtëm të ASHSH

Në mbledhjen e Asamblesë mbajtur dje, akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat M. Dacit dhe Rauf Dhomit iu dha statusi akademik i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Nexhat Dacit iu dorëzua diploma nga akad. Rexhep Meidani, ndërsa akad. Rauf Dhomit iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi.

Akademik Nexhat M. Daci është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 1993 në fushën e kimisë; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve që nga viti 2014, anëtar i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit prej vitit 1987; anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve prej vitit 1985; me një karrierë akademike dhe universitare të shquar brenda dhe jashtë Kosovës; autor i rreth 100 artikujve shkencorë, një pjesë e madhe e të cilëve të indeksuar ndërkombëtarisht përmes listës Scopus dhe platformës Web of Science; me mbi 200 kumtime shkencore në një shumicë universitetesh europiane; autor monografish dhe tekstesh universitare; fitues çmimesh e mirënjohjesh kombëtare e ndërkombëtare; veprimtar në jetën publike me merita gjerësisht të vlerësuara, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të saj.

Akademik Rauf Dhomi është anëtar i Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që prej vitit 1993, kryetar i seksionit të arteve dhe themelues i konservatorit artistik pranë saj; kompozitor e dirigjent i mirënjohur; figurë qendrore në këtë fushë krijimtarie në Kosovë dhe në gjithë botën shqiptare; autor i mbi 300 veprave muzikore të formatit të vogël e të madh; për disa prej tyre edhe themelues; me një larmi të përplotë të llojeve e nënllojeve tradicionale dhe veçanërisht me ndihmesa origjinale në trashëgiminë e veprave skenike, të luajtura në Kosovë, në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit; i shquar për gjuhën e komunikueshme muzikore mbështetur në stilin kombëtar dhe në rrjedhat europiane; i identifikuar me vepra të tilla origjinale si Goca e Kaçanikut, Dasma arbëreshe, E bukura More, Vatra e urtësisë dhe Uratë vajzave; fitues i disa çmimeve, dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” (VIDEO)

“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, është këngë patriotike e kënduar në kohën e Rilindjes shqiptare nga luftërat e kohës.

Pas çlirimit të Kosovës në vitin 2000, një version i këndimit i kompozuar nga Rauf Dhomi është propozuar nga Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova si himn i Kosovës.

Po sjellim një version të kësaj këngë e cila vazhdon të vendoset në sfond të shumë ngjarjeve shtetërore.

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë