Nezir Kraki: Sa herë ka përkujtime e përvjetore unë trishtohem me atë qe jemi, atë që jemi bërë

Shkruan: Nezir Kraki

Figurat historike e emblematile si Ibrahim Rugova, Nenë Tereza, Adem Jashari, e shumë e shumë tjera, s’janë për neve.

Ne e zvogëlojmë madhështinë dhe e zbehim dritën. Të parën s’e durojmë e të dytën s’e njohim… Errësirën dhe injorancën i glorifikojmë se brenda tyre jemi komodë, jemi n’siguri. Për të njëjtat arsye suksesi i tjetrit s’na gëzon se na prish rehatinë. Rehatinë e erresirës në të cilen realizohemi kolektivisht në mënyrë fiktive.

Thjesht, në masë të madhe, ne ende s’jemi gati as për mite as për figura. Ne që e kemi << luksin >> ta nëpërkëmbim edhe Skënderbeun duke e serbizuar atë. Ne që i kemi 2, 3 apo 4 versione të historisë. Ne që edhe heronjtë e trimat i etiketojmë me rajone e me parti. Ne që shembull suksesi i kemi mashtruesin e shembull intelektuali injorantin.

Ne që s’jemi askushi s’i meritojmë as madhështitë as trimeritë as sakrificat e as lavditë e atyre që janë vetmohu për neve.

Prandaj, sa herë ka përkujtime e përvjetore unë trishtohem. Trishtohem me atë qe jemi, atë që jemi bërë. / KultPlus.com

Nezir Kraki: Për herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festën e Pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar se si Ambasada e Kosovës në Paris nuk e ka ftuar në festën e Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.

Ai për herë të parë në këtë 14 vjetor, nuk mori pjesë në festën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, ai thotë se arsyet dhe rrethanat për këtë ndryshim do i tregojë një ditë tjetër.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Per herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festen e pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris.

Jo që jam unë i domosdoshëm në raste të tilla por po behem merak si qenkam kaq anonim n’Parisin e zhurmshem si i vetmi shqiptar ligjerues ne nje Universitet publik ne zemer të Francës, dhe atë në fushen e politikës dhe diplomacisë?!

Ndoshta edhe ky është një dimension i ri i ndryshimt të madh për të cilin jam mobilizu keto vite.

Sa mirë…

Nejse, veç thash ta ndaj me juve këtë habi se me juve flas shlire.

P.s. Arsyet dhe rrethanat e ketij ndryshimi jua tregoj nje dite tjeter. / KultPlus.com

S’dua gjumë…

Poezi nga Nezir Kraki

S’dua gjumë…

Gjumit i druhem,
Më duket sikur më mashtron,
M’imponohet si opsion i vetëm,
E unë s’i dua gjërat pa alternativë,
Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.

Gjumi është kafaz,
Kafaz ëndrrash që s’jetohen.
Shpesh s’i mbyll hiç sytë,
Si ushtar bëj roje n’thellësitë e natës,
Me hënën n’puthje kozmike,
N’kërkim t’dy syve me i shiku,
N’kërkim t’buzës që dridhet,
N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon,
N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.

Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur,
Unë veç jam n’t’shtatin…
Pa zë përshpëris:
« Fitova disa ore jetë, disa orë liri…
Jetova! »

Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua…
Më duket i largët mëngjesi, e largët dita,
Me u përmallu për ata që më mungojnë,
Me u çmall mendimeve për ta.
Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet,
Me mistiken e gjithësisë,
Kur jeta nis… / KultPlus.com

Malli për Kosovë

Nga Nezir Kraki

Para ca kohe e pata sqaru origjinën e fjalës nostalgji e cila ne shekullin 17 ishte sëmundje që përshkruante mallin për shtëpi, dhembjen që ushtarët zviceranë ndjenin kur ishin ne mision jashtë vendit (ne Romë apo Paris). Ne atë shkrim thoja:

« Si shqiptarë, ne e njohim këtë ‘sëmundje’ më shumë se mercenarët zviceranë. Ne që kemi gati dy mijë vjet që jemi, në një formë ose në një tjetër, larg vendit, larg shtëpive tona. Ne nuk kemi pasë këngë pastorale si zviceranët për t’na kujtuar rrugën e kthimit por një melodi mërzie e loti ka shekuj që na trazon zemrat për një vend, për një shtëpi që kurrë s’u bë e jona. Kur Rousseau flet për lotët e ushtarëve helvetikë, mua më kujtohen lotët tanë, lotët e baballarëve tanë, lotët e nënave tona në pritje e përcjellje të pandalura, në përqafime të ngutshme rrugëve e aeroporteve të botës. Mendoj për gjithë ata prindër që i takuan fëmijët e tyre në pleqëri sepse udhëtimi i tyre kishte zgjatë më shumë se ai i Uliksit në poemën e Homerit. Nostalgjia jonë s’ka qenë veç dhembja për kthimin në shtëpi por edhe dhembja e atyre që në shtëpi e prisnin kthimin tonë.»

Tragjedia e sotme ma kujtoi « sëmundjen » tonë kolektive- mallin për kthim, për kthimin e dhimbshëm. Sepse s’ka shumë popuj si ne që rrugët e botës i shënjuam me djersë e gjak kurrë atdheun pa e harru.

Pa e harru kurrë tokën që lamë e që na tërheq si një forcë e pasqarueshme. Çdo verë mërgimtari bëhet supernjeri dhe niset për shpi, pa i mendu as rreziqet, as shpenzimet, as lodhjen e as zhgënjimet…

Krejt këto peshojnë zero përballë thirrjes së brendshme që zemrën ta komendon. Siç e ka sqaru Brabara Cassin nostalgjinë e saj për Korsiken, edhe neve na duket se lisat e rrugët na flasin kur jemi atje, kur jemi n’shpi.

Sot ai autobus kishte shumëfish më shumë dhembje e mall për atdheun sesa udhëtarë. Sot rruga e kthimit s’i çoi askund ata shpirta të lodhur e te përmalluar për Kosovën e tyre aq të nemur e aq të bekuar njëkohësisht.

Jemi te vetmit në botë që edhe jetën e japim veç me e shkele tokën ku lisat e rrugët na duket se na flasin.

Shpirtat e tyre u kthefshin të qetë në atë tokë! Ngushëllimet e mia te thella secilës familje që sot futet e përjetësinë e pritjes për kthim. / KultPlus.com

Si të diskutohet për tragjedinë e të pagjeturve me deputetë të humbur në korrupsion, injorancë e mediokritet?

Nga Nezir Kraki

Si të diskutohet për tragjedinë e të pagjeturve me deputetë të humbur në korrupsion, injorancë e mediokritet?

Kanë 20 vite që tallen me tragjedinë e qindra familjeve qe ende zinë s’e kanë kry.

Idiotat e tillë s’i duhet as Kuvendit as Kosovës. Sidomos kur dihet që Kuvendi i Kosovës ka vite që është kthyer n’arenë turpi e pazari. Është vendi ku shitet vota, dinjiteti dhe në disa raste edhe trupi. Është koncetrimi i bërllokut social e moral të krejt Kosovës (me shumë shumë shumë pak përjashtime).

Ai Kuvend është në shërbim të dhunuesve të Kosovës dhe në shërbim të dhunuesve të Kushtetutës. Asgjë nuk më habit më.

Kur të vijnë zgjedhjet, ju lutem mos votoni më idiotë e të pacipë që e kanë marrë politiken si rrugën më të shpejt për prostituim publik. / KultPlus.com

“Qafen e thefshin!”

Nga Nezir Kraki

N’fakt, Kosova ka vite që funksionon pa parlament. N’atë sallë gjithmonë ka pasë rroga, meditje, shitblerje, injorancë, krim, banditizem, turp e gjithçka tjetër përveç përfaqësim të interesit të popullit.

N’atë sallë, nga 120 persona as 20 nuk kanë qenë të denjë për postet e tyre. Seancat e asaj salle kanë qenë sa të gërditshme për popullin aq edhe qesharake për botën. Aty kishte nga deputeti WANTED ne listat e zeza amerikane deri te deputeti i paskrupullt që i merr 48 rroga ne dy vite pa i nxjerrë as 48 germa nga goja.

Qafen e thefshin!

Kosovës i duhet një Kuvend që përfaqëson interesin e qytetarit jo një sallë e mbushur me krijesa aksidentale që na bëjnë gaz t’botës.

(Ky shkrim është marrë i plotë nga Nezir Kraki pa ndërhyrje nga redaksia) / KultPlus.com

Kur koha s’matet

Nga Nezir Kraki

T’shkrime t’du,

T’habitun e t’humbun

Diku n’mes frikës e knaqësisë,

larg t’vërtetës,

larg rutinës,

larg botës… larg vetmisë.

T’gzume t’du,

T’lirë e t’buzëqeshun

Diku n’mes dëshirës e dyshimit,

larg t’shkumes,

larg t’tashmes,

larg t’ardhmes… larg pendimit.

T’knaqne t’du,

T’lodhun e t’heshtun

Diku n’mes guximit e ligësisë,

Aty ku ëndrra jetohet,

E koha s’matet,

Aty ku trupi është rob i lirisë.

Nezir Kraki / 25 maj 2019 / KultPlus.com