Nezir Kraki: Sa herë ka përkujtime e përvjetore unë trishtohem me atë qe jemi, atë që jemi bërë

Shkruan: Nezir Kraki

Figurat historike e emblematile si Ibrahim Rugova, Nenë Tereza, Adem Jashari, e shumë e shumë tjera, s’janë për neve.

Ne e zvogëlojmë madhështinë dhe e zbehim dritën. Të parën s’e durojmë e të dytën s’e njohim… Errësirën dhe injorancën i glorifikojmë se brenda tyre jemi komodë, jemi n’siguri. Për të njëjtat arsye suksesi i tjetrit s’na gëzon se na prish rehatinë. Rehatinë e erresirës në të cilen realizohemi kolektivisht në mënyrë fiktive.

Thjesht, në masë të madhe, ne ende s’jemi gati as për mite as për figura. Ne që e kemi << luksin >> ta nëpërkëmbim edhe Skënderbeun duke e serbizuar atë. Ne që i kemi 2, 3 apo 4 versione të historisë. Ne që edhe heronjtë e trimat i etiketojmë me rajone e me parti. Ne që shembull suksesi i kemi mashtruesin e shembull intelektuali injorantin.

Ne që s’jemi askushi s’i meritojmë as madhështitë as trimeritë as sakrificat e as lavditë e atyre që janë vetmohu për neve.

Prandaj, sa herë ka përkujtime e përvjetore unë trishtohem. Trishtohem me atë qe jemi, atë që jemi bërë. / KultPlus.com

Nezir Kraki: Të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit

Miss Kosova, Roksana Ibrahimi, është paraqitur në Miss Universe e mbuluar me shaminë e kuqe, e kësaj ia ka baskëngjitur edhe veprimin e ‘marrjes së dorës’, një traditë kjo e kohërave më të vjetra dhe me origjinë turke. Për këtë paraqitje ka reaguar edhe profesori Nezir Kraki, i cili thotë se duhet të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:

Kultura bën edhe pa art por arti pa kulturë assesi…

Paraqitja e fundit e miss Kosovës e ilustron shumë mirë këtë të dyten, dmth artin pa kulturë. Kur them kulturë nënkuptoj kultivim intelektual të pergjithshëm, jo mënyrë sjelljeje moralizuese.

Kultivim intelektual thash apo? Eh! Fiks aty është defekti i shumë krijimeve artistike që trevat shqiptare prodhojnë në media, rrjete sociale, teatër apo film. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse krijimet e tilla nuk i rezistojnë dot kohës e cila është e pamëshirshme ndaj artificiales, sipërfaqësores. Sepse një regjisor i pa kultivuar kurrë film të duhur s’mund të realizojë. Sikurse një aktor i palexuar që kurrë s’mishërohet sa e si duhet me personazhin që luan, sepse përmes leximit guxohet imagjinata e pakufishme. Edhe këngët janë të kota kur shkruhen nga autorë pa kulturë, po aq të kota sa emisionet televizive që për art kanë ose injorancën ose silikonin.

Leximi pra. Leximi do t’ia kishte evituar artin pa kulturë edhe personit që ideon paraqitjen e miss Kosovës. Leximi, kultivimi i përgjithshëm intelektual ta mundëson t’i respektosh të gjitha kulturat duke i njohur ato por sidomos duke e njohur tënden. Si shqiptarë nuk është se kemi mbiprodhuar kulturë e art këto dy mijë vitet e fundit por edhe pa to nuk jemi. Ato trashëgimi etnokulturore që kemi janë krenarisht të prezenentueshme jo vetëm në konkurse bukurie. Shipja p.sh. si gjuhë, bashkë me greqishten dhe armenishten, janë tri ‘izolatet’ e vetme gjuhësore të familjes indo-evropiane, dmth janë gjuhë pa familje dhe pa degëzime. Vijnë nga thellësite e kohës. Mu sikur veshjet dhe traditat tona, pjesë e madhe e tyre tradita parafetare.

Nuk është qëllimi t’i biem në qafë miss-it për artin patetik të cilin ajo e kompenson me dukjen e saj, sepse aty s’ishte për art. Ideja është të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, artit të kot dhe krijuesve fiktivë që vepër të vetme kanë botën e tyre paralele brenda së cilës krijojnë « art ».

Kultura është ajo që mbetet kur t’i kemi harruar të gjitha, thoshte André Malraux. Atëherë, edukues e krijues të të gjitha fushave, kulturohuni, kultivohuni para se të krijoni. / KultPlus.com

Profesor Kraki: Bravo i qofte secilit shqiptar qe behet pengese fale suksesit e guximit

Profesori Nezir Kraki së fundmi ka komentuar ndodhitë e ndeshjes Zvicër e Serbi, ku protagonistë kryesorë ishin shqiptarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kraki ka shkruar se shqiptari i suksesshëm është pengesë për shqiptarin e frustruar.

Postimi i plotë:

Shqiptari i dukshem fale mundit dhe suksesit te tij eshte shpesh pengese per shume evropianë.
Edhe më zi se kaq!
Shqiptari i suksesshem eshte pengese per shqiptarin e frustrum. Fiks sikur Shqiptari patriot qe eshte pengese per shqiptarin servil dhe shqiptarin nostalgjik te bashkim-vllaznimit.

Thjesht, shqiptari i suksesshem, i dukshem dhe i zeshem eshte shqiptar qe duhet te refuzohet, te konsiderohet anormal. Se « normalja » kur behet fjale per neve eshte deshtimi, servilizmi, jargitja, vetposhterimi.

Prandaj kur Xhaka e Shaqiri guxojne te jene te suksesshem dhe vendimtarë ne ngjarje evropiane e boterore, me automatizem behen pengese. E kur guxojne te jene apo te mendojne si shqiptarë, behen pengese edhe per shume shqiptarë. Se sot s’ka krim me te madh ne syte e servileve, deshtakeve e jugonostaligjekeve sesa guximi me mendu si shqiptar. Tani me vepru si shqiptar behet krim i dyfishte.

Xhaka me shokë i kane borxh Zvicres por Zvicra kurre s’do ta kishte kete vrull e kete energji pa frymen shqiptare brenda saj. Sepse me mendu shqip eshte frymë, jo veç sjellje apo veshje. Fryme qe motivon, qe trimnon e qe deperton. Fryme qe vjen nga thelleshite e kohes e kujteses sone kolektive me padrejtesi e vuatje qe na kane bere keta qe jemi. Kur Shaqiri shenon kunder Serbise, brenda tij riparohet nje padrejtesi qe vlen me shume se vet goli i shenuar. Edhe per neve qe e shikojme ajo eshte me shume se loje.

Duhet te pshtyhen krejt ftyrat e t’paftyreve qe perqeshin e perbuzin frymen shqiptare qe sot ringjallet sidomos ne diaspore, ne çdo fushë e çdo cep te botes. Duhet te injorohen injorantët e komitave servile qe e kalojne javen nga terrasa n’terrase duke u shit si kozmopolitë e « qytetarë te botes ».

Bravo i qofte secilit shqiptar qe behet pengese fale suksesit e guximit”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Nezir Kraki: Edhe Albini gabon, shumë bile

Nezir Kraki ka reaguar sërish për çështjen e shamive, kërkesë e fundit nga shumë qytetarë, të cilët po kërkojnë ndryshimin e udhëzimit administrativ për lejimin e shamive nga nxënëset në shkolla.

Së fundi, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka dalë me një deklaratë në lidhje me këtë çështje, dhe sipas kryeministrit Kurti, pragu i lejimit të shamisë duhet të jetë mosha 16-vjeçare.

Pas kësaj deklarate, profesori Nezir Kraki ka dalë me një reagim. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Krakit.

Ka gabu atehere dhe gabon edhe sot kur deklaron se maturiteti fillon ne moshen 16 vjecare. E keta myhybët e tij qe s’guxojne gojen me e qel duhet t’i thone qe eshte gabim.

Sqarimi i tij nuk eshte koherent dhe krahasimi me mundesine e marteses ne moshen 16 vjecare eshte absurd. Absurd sepse per martese nen moshen 18 vjecare duhet pajtimi i prindit dhe po i bie qe edhe per vendosjen e shamise fjala e prindit eshte e fundit.

Kur e lidh me mundesine e votimit nga mosha 16 vjecare, Albini e ben kete per vota. Ne fakt, votimi nga mosha 16 vjecare eshte ide e gjithhershme e partive te majta ne mbare Evropen sepse historikisht moshat e reja votojne me shume majtas, te vjetrat djathtas. Pra, edhe ketu jemi larg nga brengosja e sinqerte per me shume liri e te drejta per rinine.

Mosha 18 vjecare duhet te mbetet kufiri qe ndan femijen nga i rrituri. Ne shoqerite normale e gjithe jeta sociopolitike eshte e organizuar rreth ketij parimi. Raportet familjare, pergjegjesite civile e penale, ndalesat dhe autorizimet…. Natyrisht rregulla edhe mund te ndryshojne me kohen, pse jo, por per momentin ne Evropen ku duam te shkojme, mosha madhore eshte 18 vjec. Dhe do t’ishte teper zhgenjyese nese Albini ben leshime te tilla per nje grusht vota mesjetare.

Per me teper, nuk arrij ta kuptoj se si Albinit i duket normale shkelja e statusit dhe lirise se femijes ne baza gjinore.

Dhe nuk e pranoj arsyetimin se « e kemi premtuar dhe duhet ta bejme ». Edhe bashkimi kombetar eshte premtu, jane premtu shume gjera utopike kur VV e kishte lluksin e vrojtimit. Tash eshte ne realitetin e veprimit dhe vendimit por nuk guxon as VV te marre vendime me parapavije elektoraliste se NUK eshte votu per shami por per qeverisje te mire.

Thjesht, dhe nuk dua komente debile ketu, femijet NUK kane nevoje te behen gati per jeten e dyte ende pa e fillu te paren.

Albini pra eshte gabim dhe krejt ju qe s’keni guxim me i thene te zezes e zeze nuk i duheni as Albinit, as Kosoves as Zotit dhe as dreqit./ KultPlus.com

Kraki: Shamia mbi kokën e një vajze nën 18 vjeçe është thjesht dhunë direkte mbi të drejten e asaj vajze për te qenë femijë

Nga Nezir Kraki

Shamia mbi koken e nje vajze nen 18 vjeçe eshte thjesht dhune direkte mbi te drejten e asaj vajze per te qene femijë. Eshte perde e zeze mbi dritaren nga e cila enderrohet dhe imagjinohet e ardhmja. Ajo dritare NUK DUHET te mbulohet.

Femijet kane nevoje per edukim e shkollim pa ASNJE ngarkese metafizike dhe çdo pretendim se nje femije eshte i pavarur ne vendimet qe merr eshte utopik dhe i pabaze.

Shteti e shoqeria e kane detyrim qe, para çdo lirie tjeter, personave nen moshen 18 vjeç tua garantojne te drejten per te qene femijë sikurse e kane detyrim t’u kerkojne prinderve qe ajo e drejte te mos cenohet.

P.s. Shikojeni videon per me shume sqarim e na kurseni nga komentet jasht kontekstit strikt te ketij reagimi. Liria e femijeve me qene femije para se me qene besimtarë, kjo eshte tema.

(Shkrimi është marr nga profili i profesorit Nezir Kraki, pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com

Kraki: S’ka tragjedi më të madhe sesa vrasja e një femiu në sytë e prindërve, skena në plazhin e Shqipërisë është barbari

Nga Nezir Kraki

S’ka tragjedi me te madhe sesa vrasje e nje femiu ne syte e prinderve. Skena qe shihet ne plazhin e Shqiperise eshte barbari, eshte kulmi i egersise njerezore.

Ajo skene ma kujtoi ate tjetren kur nje bandit pati aksidentu ne mes te Tiranes çiftin me bebe ne karroce derisa po kalonin rrugen. Disa dite me vone ai u lirua sepse « gjeti pajtim me familjen e aksidentuar » thane mediat. Dmth vepra penale shihej me video por as video nuk eshte prove ne shtetet mafijoze.

As vrasja barbare e femiut ne plazh madje nuk eshte prove kur drejtesia ndahet ne parcellat e kanabisit.

Po ne cilin vend te kesaj bote ore lejohet « shetitja » me skafe e anije ne plazhet me njerez????? Dhe personi qe futet ne gojen e pushuesve me skaf duke vra njerez qenka polic sipas mediave. Ai vend ka marre fund. Aty s’ka më asnje arsye te pushohet as te jetohet.

Plazhet e Shqiperise duhet te bojkotohen per mungese rregulli dhe sigurie. S’po flas per bandat e çadrave dhe uzurpuesit e tokes publike se ne jemi mesu me na kushtu shtrejte dashnia per ato troje. Po flas veç per siguri dhe rregull. Si mund te pushosh me friken ne bark?

(Shkrimi është marr nga profili i profesorit Nezir Kraki, pa ndërhyrje nga redaksia.) / KultPlus.com

S’dua gjumë

KultPlus ju sjell këtë poezi të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta poezi është lexuar nga Rudina Papajani.

S’dua gjumë…

Gjumit i druhem,
Më duket sikur më mashtron,
M’imponohet si opsion i vetëm,
E unë s’i dua gjërat pa alternativë,
Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.

Gjumi është kafaz,
Kafaz ëndrrash që s’jetohen.
Shpesh s’i mbyll hiç sytë,
Si ushtar bëj rojë n’thellësitë e natës,
Me hënën n’puthje kozmike,
N’kërkim t’dy syve me i shiku,
N’kërkim t’buzës që dridhet,
N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon,
N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.

Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur,
Unë veç jam n’t’shtatin…
Pa zë përshpëris:
« Fitova disa orë jetë, disa orë liri…
Jetova! »

Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua…
Më duket i largët mëngjesi, e largët dita,
Me u përmallu për ata që më mungojnë,
Me u çmall mendimeve për ta.
Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet,
Me mistiken e gjithësisë,
Kur jeta nis… /KultPlus.com

Nezir Kraki: Mos me t’dashtë ty është krim (VIDEO)  

KultPlus ju sjell këtë letër dashurie të shkruar nga Nezir Kraki, ku e njëjta letër është lexuar nga aktori Leka Sefla.

…ti je krejt çka ëndërron një mashkull me pasë. Je krejt çka kam ëndërru gjithë jetën të kem. E tash që t’kam, më duket se ende jam në ëndërr.

Je e përkryera e shëndrruar në femër.

Ti nuk e di çfarë force ke. Buzëqeshja jote, bukuria jote, freskia e syve tu, sharmi yt hyjnor, pafajësia jote, butësia jote, droja jote, janë të gjitha burime të pashterrshme lumturie. Janë burim i lumturisë sime sa herë gjendem pranë teje.

Nuk ka germa, fjalë e fjali që mund ta tregojnë atë që je ti, atë që unë shoh tek ti. Je thjesht më e bukur se çdo gjë që gjuhët mund ta përshkruajnë. Je heshtje që flet, je frymë që gjallëron trup e shpirt. Je më e thjeshta që njihet, më e veçanta që takohet, më e ëmbla që shijohet. Prandaj jam i paaftë ta sqaroj besnikërisht atë që je se, siç do thoshte poeti i madh francez René Char, si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa u tradhëtuar? Nuk dua ta tradhëtoj atë që je.

***
S’kam shumë sqarime për këtë veç e di që ndjesitë e mia më të thella, më sekrete, më fisnike dhe më të rralla, kanë ardhë drejt teje dhe veç po rriten. Jam dorëzuar tashmë, s’mund t’i ndaloj më dhe as që turpërohem nga ky dorëzim. Në fakt, çuditem me veten time sepse kurrë s’kam besuar që mund t’ekzistojë një person aq i denjë, aq i thjeshtë e aq i plotë në këtë botë të vrazhdë dhe hipokrite.

Ti je ai person.

Ti nuk e di sa e rrallë je në këtë planet. Ti je sinonim i vlerave më të shtrenjta që njeriu duhet t’i ketë. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, je edhe sinonim i sharmit absolut që një femër mund ta rrezatojë me krejt pafajësinë e saj. Je kombinimi më i rrezikshëm i mundshëm por unë e dua rrezikun. E urrej jetën që shikohet. Vdes për momentin që jetohet.

Shpesh mendoj të të nervozoj me kast veç me e zbutë pak atë dozë të pamatshme sharmi me të cilin më pushton. Kam frikë nga vdekja e parakohshme edhe pse s’do kishte vdekje më të bukur se vdekja nga sharmi yt.
Por s’e bëj dot. Nuk dua ta lëndoj atë buzëqeshje, ta trishtoj atë pafajësi. Dua të jem edhe unë burim lumturie për ty, ditë e natë. Atëherë, më lejo të jem regjisor i ëndrrave tua që të sigurohem se edhe mengjesin e nis me buzeqeshje.

M’lejo me t’dashtë dhe dije që…
T’du se je Ti./ KultPlus.com

Nezir Kraki: Për herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festën e Pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar se si Ambasada e Kosovës në Paris nuk e ka ftuar në festën e Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.

Ai për herë të parë në këtë 14 vjetor, nuk mori pjesë në festën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, ai thotë se arsyet dhe rrethanat për këtë ndryshim do i tregojë një ditë tjetër.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Per herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festen e pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris.

Jo që jam unë i domosdoshëm në raste të tilla por po behem merak si qenkam kaq anonim n’Parisin e zhurmshem si i vetmi shqiptar ligjerues ne nje Universitet publik ne zemer të Francës, dhe atë në fushen e politikës dhe diplomacisë?!

Ndoshta edhe ky është një dimension i ri i ndryshimt të madh për të cilin jam mobilizu keto vite.

Sa mirë…

Nejse, veç thash ta ndaj me juve këtë habi se me juve flas shlire.

P.s. Arsyet dhe rrethanat e ketij ndryshimi jua tregoj nje dite tjeter. / KultPlus.com

S’dua gjumë…

Poezi nga Nezir Kraki

S’dua gjumë…

Gjumit i druhem,
Më duket sikur më mashtron,
M’imponohet si opsion i vetëm,
E unë s’i dua gjërat pa alternativë,
Aq më pak ato që ma cënojnë lirinë.

Gjumi është kafaz,
Kafaz ëndrrash që s’jetohen.
Shpesh s’i mbyll hiç sytë,
Si ushtar bëj roje n’thellësitë e natës,
Me hënën n’puthje kozmike,
N’kërkim t’dy syve me i shiku,
N’kërkim t’buzës që dridhet,
N’luftë me ligjin e kohës që s’ndalon,
N’luftë me ligjin e trupit që lyp pushim.

Dhe kur rrezja e parë zbret nga qiejt e përgjumur,
Unë veç jam n’t’shtatin…
Pa zë përshpëris:
« Fitova disa ore jetë, disa orë liri…
Jetova! »

Kam edhe arsye tjera pse gjumin s’e dua…
Më duket i largët mëngjesi, e largët dita,
Me u përmallu për ata që më mungojnë,
Me u çmall mendimeve për ta.
Duke u magjeps me ditën që vjen pa pyet,
Me mistiken e gjithësisë,
Kur jeta nis… / KultPlus.com

Nezir Kraki: Dua jonë është vërtet e përkryera e bërë femër

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar fjalimin e Dua Lipës në premierën e filmit ‘Zgjoi’ në Nju Jork, përcjell KultPlus.

Ai e cilëson fjalimin e Duassi një ndër më të mirët dhe që solli mesazhe të qarta e të sinqerta.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Nezir Krakit:

Dua jonë

Dua jonë është vërtetë e përkryera e bërë femer. Sinonim i bukurisë absolute dhe i artistes së mirëfilltë, nga lartësia e rinisë së saj, Dua na obligon ta duam si artiste, ta dëgjojmë si muzikë, ta admirojmë si person. Si person që talentin dhe krejt kapitalin e saj artistik e mobilizon për çeshtje e kauza fisnike.

Paraqitja e saj e fundit në Amerikë, pa trembje, pa hezitim, veç me rrezatim e me buzeqeshje…ishte plot mirësi, plot empati, plot humanizem. Ishte fjalim ndër më të mirët që mund të degjohen sot kur profesionstët e politikes e diplomacisë dinë gjithçka perveç me percjell mesazhe të qarta e të sinqerta.

Bravo Dua!

Jemi me fat që t’kemi. Edhe arti është me fat që t’ka./KultPlus.com

Kraki: S’ka më zor se mos me guxu me i pa njerëzit n’sy

Nezir Kraki, profesor në Universitetin e Parisit ka bërë një thirrje për një fushatë me rrjedhje normale, pa inskenime të gërditshme e pa pazare t’ulta.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Krakit.

Mos hiqni dorë nga çdo parim e çdo moral për një grusht vota apo një copë pushtet!

Jeta është më e gjatë se mandatet politike dhe jetesa pa parime është e zorshme. S’ka më zor se mos me guxu me i pa njerezit n’sy. Kosova ka boll tipa të tillë që i grryejnë muret, siç thonë francezët, mos me u perballe me tjetrin.

Lejone fushaten me rrjedhë normalisht dhe sidomos lejoni njerezit me zgjedhë lirshem, pa inskenime te gerditshme e pa pazare t’ulta me hallet e asaj Kosove te shkretë./ KultPlus.com

‘Marigonen e vramë ne…’

Shkruan: Nezir Kraki

Ne, shoqëria klienteliste që mbajtem në pushtet për 20 vite dhunues të dinjitetit kolektiv dhe shkatërrues të çdo ëndrre për jetë normale.
Për 20 vite rresht ne ishim karburanti i asaj makinerie çnjerëzuese që s’la hallkë morale pa thyer duke i lenë 2 milionë njerëz « n’dorë t’Zotit ».

Ne e vramë Marigonen sikur kemi vrarë deri sot Marigona tjera skutave të dështimit tonë kolektiv. 20 vite lejuam që shteti të jenë ata e populli ne, në jetesë paralele, duke shikuar e numëruar milionat e tyre nga dritarja jonë e mizerjes dhe e dëshpërimit.

Si do sillej Marigona në një sistem të tillë? Si do mbrohej ajo? Kush do ta mbronte atë nga brutaliteti i jetës pa shpresë i cili e çoi tek një bishë pa ndjesi njerezore?! Gjithë ato vajza e gra që s’kanë as kujt t’i flasin per tmerret e tyre sot ndihen edhe më të liga, edhe më të pambrojtura sepse sistemi që ne e lejuam për 20 vite e tradhëtoi secilen nga to, sa herë ato paten nevojë për të.

Ne e vramë Marigonen sepse kemi 20 vite që glorifikojmë banditë e injorantë duke i ngrite në modele suksesi dhe duke i mediatizuar çdo natë në mediat bashkautore të ketij krimi. / KultPlus.com

Malli për Kosovë

Nga Nezir Kraki

Para ca kohe e pata sqaru origjinën e fjalës nostalgji e cila ne shekullin 17 ishte sëmundje që përshkruante mallin për shtëpi, dhembjen që ushtarët zviceranë ndjenin kur ishin ne mision jashtë vendit (ne Romë apo Paris). Ne atë shkrim thoja:

« Si shqiptarë, ne e njohim këtë ‘sëmundje’ më shumë se mercenarët zviceranë. Ne që kemi gati dy mijë vjet që jemi, në një formë ose në një tjetër, larg vendit, larg shtëpive tona. Ne nuk kemi pasë këngë pastorale si zviceranët për t’na kujtuar rrugën e kthimit por një melodi mërzie e loti ka shekuj që na trazon zemrat për një vend, për një shtëpi që kurrë s’u bë e jona. Kur Rousseau flet për lotët e ushtarëve helvetikë, mua më kujtohen lotët tanë, lotët e baballarëve tanë, lotët e nënave tona në pritje e përcjellje të pandalura, në përqafime të ngutshme rrugëve e aeroporteve të botës. Mendoj për gjithë ata prindër që i takuan fëmijët e tyre në pleqëri sepse udhëtimi i tyre kishte zgjatë më shumë se ai i Uliksit në poemën e Homerit. Nostalgjia jonë s’ka qenë veç dhembja për kthimin në shtëpi por edhe dhembja e atyre që në shtëpi e prisnin kthimin tonë.»

Tragjedia e sotme ma kujtoi « sëmundjen » tonë kolektive- mallin për kthim, për kthimin e dhimbshëm. Sepse s’ka shumë popuj si ne që rrugët e botës i shënjuam me djersë e gjak kurrë atdheun pa e harru.

Pa e harru kurrë tokën që lamë e që na tërheq si një forcë e pasqarueshme. Çdo verë mërgimtari bëhet supernjeri dhe niset për shpi, pa i mendu as rreziqet, as shpenzimet, as lodhjen e as zhgënjimet…

Krejt këto peshojnë zero përballë thirrjes së brendshme që zemrën ta komendon. Siç e ka sqaru Brabara Cassin nostalgjinë e saj për Korsiken, edhe neve na duket se lisat e rrugët na flasin kur jemi atje, kur jemi n’shpi.

Sot ai autobus kishte shumëfish më shumë dhembje e mall për atdheun sesa udhëtarë. Sot rruga e kthimit s’i çoi askund ata shpirta të lodhur e te përmalluar për Kosovën e tyre aq të nemur e aq të bekuar njëkohësisht.

Jemi te vetmit në botë që edhe jetën e japim veç me e shkele tokën ku lisat e rrugët na duket se na flasin.

Shpirtat e tyre u kthefshin të qetë në atë tokë! Ngushëllimet e mia te thella secilës familje që sot futet e përjetësinë e pritjes për kthim. / KultPlus.com

Pak dashni n’këtë kohë t’pakohë…

Nga Viktor Hygo

Përktheu Nezir Kraki

– Letër Xhulietës – (1834)

Kur ta lexosh këtë letër, engjëlli im, nuk do jem pranë teje. Nuk do jem pranë teje për të të thënë: mendo per mua ! Dua që kjo letër të ta thotë. Do doja që në këto gërma të shkruara për ty të mund ta gjesh krejt ç’kam në sy, krejt ç’kam në buzë, krejt ç’kam në zemër, krejt çfarë ndiej kur të them të dua. Do doja që kjo letër të hyjë në mendimet e tua ashtu si shikimi im, fryma ime, tingulli i zërit tim, për t’i thënë atij mendimi të bukur që e dashuroj : Mos harro!

Shkruamë kur s’jam pranë teje, folmë kur jam pranë teje, dashuromë gjithmonë.

Është ora dy e mëngjesit dhe jam duke punuar por kisha nevojë të të flas, të të shkruaj, të të drejtohem, të t’i puth permes mendimit ata sy të bukur të fjetur… (…). Kisha nevojë që shpirti të më pushonte mbi imazhin tënd dhe sytë (të më pushonin) mbi këtë letër që do ta shohësh.

Gjumë të ëmbël! Shpresoj të shihemi pas disa orëve, me të mbaruar. Më duken tejet të gjata (këto) disa orë! Shumë të shkurta do jenë kur të gjendem pranë teje…

(…)/ KultPlus.com

Kraki: Simone Veil, një feministe dinjitoze

Shkruan Nezir Kraki

Ja një feministe dinjitoze të cilës ia pata kushtu këtë homazh me 30.06.2017.

***

Simone Veil (1927-2017)

Homazh një gruaje të jashtzakonshme

Sot, pas 89 viteve, iu ndal rrugëtimi me të gjallët njërës ndër gratë më të angazhuara franceze dhe evropiane të shekullit XX, Simone Veil.

E deportuar me familje në kampin nazist të Auschwitz-it si 16 vjeçare, vetëm ajo dhe motra e saj arrijnë të shpëtojnë nga ekterminimi dhe kthehen në Francë pas Luftës së Dytë, pa familje dhe pa identitet. Nga ai moment, siç e ka thënë edhe vet ajo, lufta e vetme e saj do t’ishte pajtimi i popujve dhe zgjerimi i të drejtave të njeriut në një Evropë dhe një Francë të gërryera nga urrejtja njerëzore dhe mjerimi. 

Angazhimi i saj me vetmohim në politikë ishte vetëm në shërbim të kauzave fisnike që pakkush n’atë kohë kishte guxim t’i mbronte. Emri dhe imazhi i saj do mbesin të gravuara në kujtesën kolektive kur në vitin 1974, si Ministre e shëndetësisë, me nder dhe guxim, propozoi ligjin për legalizimin e abortit në Francë. Fjalimi i saj në mbrojtje të kësaj të drejte elementare për gratë, si ministre, si humaniste dhe si grua përpallë qindra burrave të eksituar nga paragjykimet, mbahet edhe sot si një ndër fjalimet më kuptimplota dhe inspiruese që janë mbajtë ndonjëherë në atë sallë. I të njejtit rang ka qenë edhe fjalimi i Robert Badinterit (minister i drejtësisë) në vitin 1981 kur u abolua denimi me vdekje.

Evropiane  e bindur dhe pacifiste e betuar, Simone Veil zgjedhet  kryetare e Parlamentit evropian ne vitin 1979.

Në vitin 2010, pas një rrugëtimi të gjatë politik dhe angazhime secil më finsnik se tjetri, ajo bëhët antare e pavdekshme e Akademisë franceze, institucionit më të lartë francez të themeluar nga Kardinali Richelieu në vitin 1635.

Në fjalën pritëse në Akademine franceze, akademiku Jean d’Ormesson, intelektual ndër më të mëdhenjtë ende në jetë sot, e kishte përshkruar me këto fjalë epizodin e tmerrshëm të deportimin në kampin nazist:

“Me 29 mars 1944, ju jeni duke e kaluar testin e maturës në Nice. Të nesërmen, me 30 mars, në dy vende të ndryshme, nga një rastesi të frikshme, babai juaj, motra juaj Milou, vëllai juaj Jean dhe vet Ju, ndaloheni nga Gjermanët.

Tetë ditë më vonë, ju arrini në Drancy (qytet francez) ku kushtet materiale dhe morale veç ishin shumë të rënda. (…) Me 13 prill, në orën 5 të mëngjesit, në stacionin hekurudhor të Bobigny, ju ngjiteni bashkë me nënën dhe motren tuaj në një vagon treni për kafshë dhe niseni per në Lindje. Me 15 prill, në mesnatë, nën britmat e ushtarëve SS, lehjeve të qenve, dritave qorruese, shkelni në rampen hyrëse të kampit Auschwitz-Birkenau. Hyni në ferr. Jeni 16 vjeçare, keni flokë të gjata të zeza, sy të kaltërt dhe jeni shumë e bukur.”

Ky pasazh e tregon si në film me sa përkushtim dhe metodë çmenduria njerëzore e fekonduar me ideologji politike e kalon një femi nga banka e shkolllës në dhomat e gazit.

Çmenduria u mund dhe më vonë u luftua me mish e me shpirt nga po ai femi që dhomat e gazit s’e treten. Ata sy të kaltërt, ato flokë të gjata dhe ajo vajzë e bukur i shërbyen njerëzimit dhe e përparuan emancipimin e gruas deri sot./ KultPlus.com

Kraki: Feminizmi kurrë s’ka pasë armiq më të fortë sesa feministet e sotit

Nezir Kraki

Gratë…

Kauza e të drejtave dhe lirive të gruas është shumë serioze që disa feministe mediokre të tallen me të.

Deri vonë as në Evropë gratë nuk kishin të drejtë vote dhe shpesh as të drejtë fjale. Në Francë atyre iu dha e drejta e votës tek në vitin 1946 dhe pavarësia bankare në vitet 80. Nga ajo kohë gjërat megjithatë kanë avancuar falë hapjes së mentaliteteve dhe sidomos falë anagzhimit të shumë aktivisteve që e kanë shenjuar shekullin 20.

Përpjekja vazhdon edhe sot por sot duket sikur gjërat nuk avancojnë më siç dhe sa do duhej. Sot kauzen e gruas e uzurpojnë disa oportuniste që në trajnimet ojq-iste vetquhen feministe.

Në realitet feminizmi kurrë s’ka pasë armiq më të fortë sesa feministet e sotit që nga thellësia e mediokritetit të tyre dhe varfëria intelektuale në raport me temat e kësaj kauze, veç sa e dëmtojnë këtë përpjekje fisnike.

Nga mosdije dhe nga ngutia për faktorizim, mbrotja e grave sot është kthyer në luftë për ndarjen e tyre nga pjesa tjetër e shoqërisë duke i zevendesuar edhe raportet miqsore me raporte armiqsore. Pretendimi se mashkulli me automatizem dhe në çdo rrethanë përbën rrezik për femren është absurditet dhe provë injorance. Sikurse është marrëzi pretendimi se komplimentimi i një femre për bukurinë e saj përbën ngacmim seksual. Janë me fat që s’jetojnë më ato aktivistet e vërteta të kauzes femrore e nuk shohin e dëgjojnë si nëpërkëmben sot përpjekjet e tyre fisnike nga komitat e feministeve të instagramit. E lumja Simone Veil…

Gratë s’kanë nevojë të mbrohen nga ato që frustrimin personal e kamuflojnë në kauzë publike kinse për altruizem. Gratë kanë nevojë veç të kuptohen nga gratë dhe burrat pa u izoluar në ‘ishujt imagjinarë’ të feminizmit injorant. Pa u barrikaduar në shoqëri duke refuzuar edhe kontaktin, edhe komplimentin edhe hijeshinë e sharmimit të papritur nga një shikim…

Mos i ofendoni gratë ju gra që gratë s’i kuptoni!/KultPlus.com

Kraki: Absurde që për festat që bien në vikend të pushohet në ditë pune

“Nëse kjo temë hapet në qeverinë aktuale dhe janë të përkushtuar që ekonomia të rimëkëmbet, atëherë duhet të shikohet se si të bëhet java nga shtatë në dhjetë ditë e jo nga shtatë në katër ditë”.

Profesori i shkencave politike në Paris, Nezir Kraki, ka thënë se është absurd fakti që Kosova pushon në Ditën e Evropës, kur një gjë të tillë nuk e bëjnë as vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në  Klan Kosova, ai ka thënë se nëse Qeveria aktuale është e përkushtuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, atëherë duhet të shikohet se si të bëhet java nga shtatë në dhjetë ditëm e jo nga shtatë në katër ditë.

“Dita e Evropës nuk është festë në asnjë vend këtu në Bashkimin Evropian – në Francë të paktën jo dhe nuk është as ditë pushimi”.

“Kur festat zyrtare bien në vikend, nuk zëvendësohen në ditë punë. Kalendari i ditëve festive llogaritet në janar dhe jo një javë para festës”.

“Është absurditet i llojit të vet që ditët festive që bien në vikend të hiqen nga kalendari i ditëve punës, shkaktohet humbje e madhe në sektorin publik dhe privat”.

“Nuk e di që ka shembull tjetër diku që ditët festive rikuperohen kështu. Nëse kjo temë hapet në qeverinë aktuale dhe janë të përkushtuar që ekonomia të rimëkëmbet, atëherë duhet të shikohet se si të bëhet java nga shtatë në dhjetë ditë e jo nga shtatë në katër ditë”./ KultPlus.com

Kraki: Kur për 20 vjet ke vjedhë në bandë politike, je kravatu falë bandave, madje ke vjedhë edhe n’statujat e heronjve, kush te merr seriozisht

Nezir Kraki

Kur për 20 vjet ke vjedhë në bandë politike, je kravatu falë bandave, je pasuru e qytetnu falë hajnisë e krimit, je shkollu e doktoru nga dhe për bandat, ke vjedhë e vjelë edhe spitalet e shkollat e madje ke vjedhë edhe n’statujat e heronjve…

…kush te merr seriozisht kur e ben opozitarin n’Kuvend o argat i dreqit!

Qyrranat që as nyjen e kravates s’dine me e lidhë i kërkojnë llogari Donika Gervalles e Albin Kurtit « per t’miren e vendit ». Te atij vendit që kund vend s’i lanë e kurrë vend s’e lanë me u bë. Të atij vendit që e vodhen dhe e zbrazen pa fijen e marres e n’fund edhe Serbisë për pak sa s’ia rikthyen.

Ikni o qesharakë e dilni përballë pasqyres para se t’i dilni popullit n’televizor si bisha e si analfabetë aksidentalisht t’gjetun n’Kuvend.

Qyrranat që as nyjen e kravates s’dine me e lidhë i kërkojnë llogari Donika Gervalles e Albin Kurtit « per t’miren e vendit ». Te atij vendit që kund vend s’i lanë e kurrë vend s’e lanë me u bë. Të atij vendit që e vodhen dhe e zbrazen pa fijen e marres e n’fund edhe Serbisë për pak sa s’ia rikthyen.

Ikni o qesharakë e dilni përballë pasqyres para se t’i dilni popullit n’televizor si bisha e si analfabetë aksidentalisht t’gjetun n’Kuvend./ KultPlus.com

Kur jeta tretet…

Poezi nga Nezir Kraki

Kur jeta tretet,
Terreve të zhgënjimit,
Niset drejt asgjësë,
Rrugëve që s’çojnë askund,
Rrugëve ku askush s’të pret…
Mision i pamundur duket rikthimi.
Ikja nga asgjëja,
Kthimi nga askundi,
Largimi nga askushi,
Rikthimi te vetja.

         Mos shko pra shumë larg!
…larg vetës tënde.
Zhgënjehu herët e n’afërsi!
Se vjen një moment,
Kur as ‘vetja’ më s’të pret,
E nga asgjëja në asgjë,
Nga askundi në askund,
S’është jetë më,
Është vetmi. / KultPlus.com

Kraki: Drenica nuk doli nga dheu në luftën e fundit, ajo ishte në luftë prej vitit 1912 kur Serbia e pushtonte Kosovën

Nga Nezir Kraki

Drenica…

Viteve të fundit Drenica shpesh është përballë me fushata linçuese sidomos shkaku i bindjeve të saja politike të pasluftës.

Ajo shpesh përqeshet edhe për ‘prapambetjen’ e saj në raport me zonat tjera të Kosovës dhe banorët e saj padrejtësisht stigmatizohen nga ‘gjeneratat jugosllavizuese’ të qyteteve me solitera.

Po, Drenica është e prapambetur sepse në ato treva kurrë jugosllavizmi as serbizmi nuk lulëzuan. Ato treva u menjanuan nga partia komuniste dhe u lanë jasht çdo investimi kapital. Drenica gjatë një shekulli ishte e denuar nga secili pushtet e secili pushtues. Madje ishte e linçuar edhe nga shqiptarët e bashkim-vllaznimit.

Me fjalë tjera, Drenica nuk doli nga dheu në luftën e fundit. Ajo ishte në luftë prej vitit 1912 kur Serbia e pushtonte Kosovën e lënë nga Otomanët. Prandaj Drenica ishte n’takim me historinë kur terrori serb e kaloi çdo kufi. Prandaj në ato treva kishte Adem Jashara e trima tjerë që s’ishin rritë nën dardhen e bashkim-vllaznimit jugosllav por e kishin luftu atë pa pushim dhe kishin vuajt prej tij.

Prandaj heroizmi vetmohues i Jasharajve nuk duhet të shihet si risi sepse Drenica gjithmonë ka qenë heroike dhe vetmohuese. Ajo meriton respekt dhe përkrahje, jo linçime e tallje.

Unë jam nga Juniku i Dukagjinit dhe jam rritë me tregimet e heroizmit të Drenices. Ndoshta as 10 vjeç s’kam qene kur e dija me saktesi kush ishte Shaban Polluzha, falë librave dhe tregimeve të Bacës tim.

Edhe sot e mbaj po atë respekt e admirim për atë rajon trim e t’përvuajtur. Për ata njerëz që zgjodhen ‘prapambetjen’ dhe s’u bënë kurrë argatë të dreqit. Për Adem Jasharin e secilin trim që s’pranoi as Jugosllavine as Serbinë. / KultPlus.com

Kraki: Si shqiptarë historinë e kemi, por për t’ardhmen kurrë ujdi s’kemi arritë

Shkruan Nezir Kraki

S’jemi NJË por një nga një

Kombi shqiptar ende është n’formim e siper prandaj bashkimi ‘gjeografik’ nuk mund të ndodhë së shpejti.

Kur them ende n’formim, nënkuptoj mendësi dhe projekt të përbashkët ende të padefinuar. Sepse kombet i krijon vizioni për t’ardhmen më shumë se historia edhe pse historia ka peshë të madhe pikerisht në përcaktimin e projektit të përbashkët, mendësisë kolektive, ndjesisë së përkatësisë.

Si shqiptarë historinë e kemi por për t’ardhmen kurrë ujdi s’kemi arritë sepse e tashmja vazhdimisht na ka nxjerrë jasht projektit kolektiv, jasht vizionit përbashkues. Kjo është edhe arsyeja pse ne krenohemi me historinë dhe turpërohemi me të tashmen. Tash i kemi dy opsione:

– ta vazhdojmë dhe ta mbyllim ciklin e kombformimit si shqiptarë, pavarësisht ku gjendemi gjeografikisht dhe t’ia mendojmë një t’ardhme t’përbashkët historisë sonë t’përbashkët ?! Apo…

– të heqim dorë nga historia dhe ta konsiderojmë si normale idenë sipas së cilës kombet krijohen me nënshkrime politike, aty per aty, në çdo moment?!

Opsioni i parë nuk nënkupton bashkim shtetesh por bashkim mendësishë në synime – Besëlidhje dmth, sepse pa u bashkuar shqiptarët n’mendje njëherë asnjë bashkim s’ka kuptim. E ne n’mendje ende nuk jemi NJË, jemi një nga një dhe këtu gjendet sqarimi i dështimeve tona si shtete dhe si shoqëri. Një nga një dhe secili për veten e vet.

Opsioni i dytë mund të imponohet nga koha dhe sa më shumë të zgjasin dështimet tona si shtete aq më e thellë do jetë kriza jonë identitare si komb. Nese ndodhë kjo, dhe sinjalet e para veç hetohen tashmë, atëherë kombi shqiptar nuk do formohej kurrë plotesisht.

Sidoqofshin fatet tona, qendroj i bindur se shqiptarët meritojnë të krenohen edhe me të tashmen e tyre, jo veç me historinë.

Prandaj na duhet një Besëlidhje e re./ KultPlus.com

Ura

Poezi nga Nezir Kraki

Te ajo ura ma s’kam shku,

Se t’merzitne s’du me e pa,

Me ia pa gurtë tuj vajtu,

Për ata sy e atë sharm tuj qa.

Se edhe ma e bukra urë

Ngryset, mbetet pa magji,

Kur hija jote mungon mbi ujë,

E hapi yt nuk shkel përmbi./ KultPlus.com

Kraki: Edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar sot pas zgjedhjeve që u zhvilluan ditën e djeshme. Sipas Krakit dje u rikthye shpresa dhe dinjiteti.

Kraki ndër të tjera shprehet se edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’.

Ky është statusi i plotë i Nezir Krakit:

Dje u rikthyen shpresa dhe dinjiteti

Erdhëm deri këtu sepse aty ku ishim s’mund të rrinim më.

…thoshte René Char në një tekst monumental me titull « nga momenti në moment ».

Populli i Kosovës u mobilizua masivisht për ndryshimin sepse ashtu siç ishte s’mund të duronte më. Aty ku e kishin lënë e harruar s’mund të qëndronte më.

Është e vërtetë që njeriu duron më shumë se guri por dallimi është se guri nuk ka vetëdije për revoltë dhe as instinkt për mbijetesë. Njeriu i Kosovës i ka të dyja këto veti dhe këtë e faktoi dje. Dje njeriu i nëpërkëmbur i Kosovës tregoi se është i aftë të heq dorë nga parimet partiake në favor të parimeve njerëzore, në favor, thjesht, të dinjitetit njerëzor. Dje votuesi i lirë u çlirua përfundimisht nga presionet partiake dhe u pavarësua në mendim e synim. Dje iu rikthye edhe kuptimi nocionit të legjitimitetit, nocion aq i panjohur për tuxharët e vullnetit qytetar, të cilët politikën e shohin veç si pazar korridoresh. Sepse s’mund të këtë demokraci funksionale pa u respektuar lidhja burimore e legjitimitetit të atyre që qeverisin. E ajo lidhje është vota, është liria e zgjedhjes.

Miq, edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’. Edhe në demokraci vlen i njëjti parim. Ekziston një vijë e kuqe në brendinë tonë e cila nuk na lejon të heqim dorë nga vetja. Qindra mijëra qytetarë të Kosovës dje iu rikthyen vetes së tyre dhe s’lejuan të kalohej ajo vijë. Sepse ajo është vija përtej së cilës s’ka më as dinjitet, as liri dhe as shpresë.

Prandaj dje u rikthyen liria, shpresa dhe dinjiteti i secilit.

Prandaj dje nuk fitoi politika as partitë por fitoi njeriu i Kosovës i cili vendosi ta rimarrë fatin e vet në dorë duke mos qëndruar më aty ku e kishin lënë.

Urime cikli i ri. Cikli i bërjes. / KultPlus.com