Në Rockuzinë bar

Nga Xhevdet Bajraj

Saranda Bogujevcit

Isha në Rockuzinë bar
me një mik të mirë
(ende dua të besoj
që e kam mik të mirë)
i cili po përpiqej ta shkruante
historinë e re të Kosovës
Dëgjohej muzikë me të cilën isha rritur
birra ishte e ftohtë ashtu si e do Zoti
rrugët e qytetit ishin përplot me njerëz
dielli i muzgut në Prishtinë
me forcat e fundit që i kishin mbetur
vazhdonte të buzëqeshë
Kur me pyeti miku
a po e njeh këtë vajzën e ulur pranë teje
mbeta i habitur
Është Saranda Bogujevci
e mbijetuara e masakrës së Besianës
Oh Zot
e mbaja mend vajzën
që i humbi katërmbëdhjetë anëtarë të familjes
vajzën e vogël
trupin e së cilës e kishin përshkuar
plot gjashtëmbëdhjetë plumba
por që kishin refuzuar
t’ia shuajnë jetën
Mbeta i ngrirë
duke e shikuar
gojëhapur
dhe e dëgjova veten
duke e pyetur mikun
A guxoj ta prek me gisht Sarandën
ajo buzëqeshi
ende pa ma kthyer përgjigjen
miku i habitur
e zgjata dorën dhe e preka në krahë
tmerrin
luftën
fluturimin e plumbave
granatave
lëvizjet e thikave
mbi civilë
I preka edhe sorrat e majmura
gjatë luftës
dhe si me pahir
edhe këto të majmura pasluftës

“Nga libri që do të botohet një ditë” / KultPlus.com