Delegacioni nigerian intensifikon betejën njëshekullore për artefaktet e Beninit

Nga Deutsche Welle

Përgatitjet për ndërtimin e Muzeut Edo të Artit të Afrikës Perëndimore (EMOWAA) në Benin City, në Nigeri, janë në vlugun më të madh. Muzeu do të shpalosë veprat e artit nga e dikurshmja mbretëri e Beninit, që ndodhej në Nigerinë e sotme, por që ende mbahen në koleksione ndërkombëtare. Po ashtu muzeu do të qëmtojë edhe historinë e bujshme, që i përshkon këto artefakte me rastin e rikthimit të tyre në Nigeri, si dhe nënvizon udhëtimet e tyre gjithandej globit.

Por për nigerianët, EMOWAA do të bëjë shumë më shumë sesa vetëm hapjen e një ekspozite për rikthimin e artit të rrëmbyer gjithandej botës: hapja e muzeut do të shënojë fundin e më shumë se 100 vjetëve përpjekje për rikthimin e këtyre veprave historike të artit.

Kjo do të simbolizojë edhe spikatjen e identitetit kulturor të Nigerisë, thotë Abba Isa Tijani, drejtor i Komisionit nigerian të Muzeve dhe Monumenteve (NCMM): “Shumë nigerianë dhe veçmas populli i Edos, që janë të afërt me këto objekte, nuk i kanë parë kurrë në jetën e tyre. Që ata të kenë qasje fizike në këto objekte, t’i shohin ato – është vërtet një e arritur e madhe”.

Tijani është pjesë e delegacionit nigerian që erdhi në Berlin gjatë javës për të diskutuar hollësitë e rikthimit të thesareve nigeriane të artit nga koleksione të ndryshme gjermane. Delegacioni, që përveç Tijanit përfshinte edhe ministrin nigerian të Kulturës Lai Mohamed, është takuar në Berlin me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Mass, atë të Kulturës Monika Grütters e zyrtarë të tjerë të lartë.

Bisedimet janë përqendruar në mundësinë e rikthimit të të ashtuquajturave bronze të Beninit. Këto janë bronzet me famë botërore dhe skulpturat e tunxhit që ishin marrë prej pallatit të Beninit gjatë një shpedite ndëshkimore të Perandorisë Britanike më 1897. Pastaj ato arritën në Gjermani në fillim të shekullit të 20-të nëpërmjet ankandeve të ndryshme të mbajtura në Londër. Kështu, Gjermania pa dashje siguroi koleksionin e dytë më të madh në botë të këtyre bronzeve.

Përveç faktit që këto artefakte ishin marrë me forcë, nuk ka kurrfarë dyshimi që fuqitë kolonialiste evropiane kanë gjak në duart e tyre si pjesë e kontekstit kolonial të padrejtësisë. Dhe në Gjermani, askush nuk e vë në pikëpyetje këtë; edhe ekspertët e muzeve e politikanët pajtohen që këto objekte duhet të rikthehen në vendin e tyre të origjinës.

Por ishte një proces i gjatë derisa u arrit një ujdi. Thuajse në fillim të shekullit të kaluar, mbretëria e dikurshme e Beninit kishte bërë kërkesë zyrtare për rikthim – por pa ndonjë sukses. Intelektualët afrikanë e vijuan këtë luftë përsëri gjatë viteve ’70, por kërkesat e tyre ranë në veshë të shurdhër në Evropë.

Vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Burkina Faso, më 2018, shënoi një pikë kthese, teksa ai njoftoi se Franca do të rikthente thesaret e saj të artit kolonial. Kjo përftoi valë tronditëse edhe në Gjermani, ku kriticizmi u bë më i zëshëm për Humboldt Forum në Berlin, meqë muzeu po planifikonte të shpërfaqte disa nga bronzet e Beninit në një ekspozitë hapëse. / koha.net / KultPlus.com