Gjendet koleksioni i artefakteve besëtyte 2000-vjeçare

Për rreth 1940 vjet kishin mbetur të mbuluar nga toka dhe lava e ftohur e vullkanit Vezuv.

U zbuluan rastësisht, duke i treguar botës që edhe në kohën e romakëve, besëtytnia ishte jo vetëm e pranishme, por pjesë e pandarë e përditshmërisë.
Me dhjetëra statuja, medalje dhe elemente dekorative të tjera janë gjetur në parkun arkeologjik të Pompeit, në Itali, gjatë punimeve për restaurimin e një vile romake.

Me format nga më të ndryshmet, nga kafkat tek simbolet seksuale dhe deri tek ato fetaret, stolitë janë gjetur brenda një kutie dhe përfaqësojnë së bashku një koleksion të rrallë elementësh që banorët e hershëm, në veçanti gratë, përdornin kundër fatit të keq.
Disa prej tyre janë gurë të çmuar, disa të tjerë të gdhendur mbi materiale kockore ose në bronz.
Pompei u mbulua tërësisht nga hiri dhe lava e vullkanit Vezuv në vitin 79, duke shkatërruar qytetin e rëndësishëm romak i cili u zhduk për shekuj së bashku me gjithë thesaret e saj, që shpesh herë janë mbajtur në një gjendje perfekte./koha.net/ KultPlus.com

Zbulohen tre varre me artefakte të shtrenjta në Kretë

Tre varre të lashta janë gjetur gjatë një ekspedite arkeologjike në Sitia të Kretës Verilindore.

Varret mendohet se i përkasin periudhës 2800-1700 para Krishtit. Në varrin e parë u gjet një armë e përdorur në Petras dhe një shpatë e shkurtër prej bronzi.

Ndërsa varri i dytë, sipas arkeologëve, mendohet se i përket një gruaje. Në të u gjetën një numër i madh rruazash ari të punuara me mjeshtëri shumë të lartë si dhe rruaza prej argjendi dhe kristali, të cilat mendohen se kanë qenë të qepura mbi një veshje.

Pak më tutje, është gjetur një varr i tretë që përbëhej nga pllaka të cilat krijonin një strukturë në formë kutie. Arkeologët kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një varr fëmijësh nën 10 vjeç dhe se aty u gjetën dy rrathë ari./ dita

Artefakte të rëndësishme të historisë së Kosovës, u shpalosën në “Ekspozitën bazë” të Muzeut të Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot dyert e Muzeut të Kosovës po mirëprisnin përplot figura të njohura të artit dhe politikës e vizitorë të ndryshëm që kishin ardhur për të parë nga afër hapjen e “Ekspozitës bazë” të këtij muzeu, shkruan KultPlus.

Në oborrin e Muzeut të Kosovës, të gjithë kishin drejtuar sytë drejt ansamblit “Shota”, që përmes muzikës e lojës së mahnitshme vetëm e hapën shtegun e një atmosfere festive.

Kjo ekspozitë, sot u kurorëzuar pas shumë përgatitjesh. Dy katet e Muzeut të Kosovës, në çdo kënd të tij përmbanin ekspononte të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri të Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.

Ekspozita që paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend qysh herët, tashmë është në dispozicion të vizitorëve të cilët duan të vijnë ta shohin, dhe po ashtu atyre që duan të kontribuojnë më shumë në pasurimin e kësaj ekspozite. Përmes fotografive, rrobave, flamujve, relikteve, dokumenteve e shumë gjërave të tjera kjo ekspozitë portretizoi edhe gjurmët e njerëzve më të rëndësishëm politik të këtij vendi, si Ibrahim Rugova, Enver Maloku, Fehmi Agani, e deri tek figurat historike si Adem Jashari, e Isa Boletini. Po ashtu aty ishin të vendosura edhe rrobat, paisjet, armët dhe të gjitha mjetet që kishin përdorur dëshmorët e UÇK-së. Në këtë pjesë, një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve ndërkombëtar të Kosovës, ku përfshihet xhaketa e William Walker që e ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës e pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Gashi, i cili lidhur me ekspozitën tha se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për quar para këtë projekt të rëndësisë së veçantë për të kaluarën e çmuar të vendit, sepse kemi detyrim ndaj gjeneratave dhe brezave që t’ua mësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen e të kenë së çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishme të vendit në të cilin jetojnë, vendit me të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tanë!”, ka thënë ministri Gashi.

Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e MKRS-së dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ekspozita Bazë e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve tjerë. Prandaj, më lejoni që t’i falënderoj veçanërisht për detyrën komplekse, përgjegjësinë që kanë bartur dhe që do të kenë edhe më tutje. Uroj që me përgjegjësi të njëjtë dhe me angazhime të shtuara të vazhdojmë edhe më tutje, në hulumtimin, pasurimin dhe prezantimin e fondit muzeal të vendit tonë. Në këtë drejtim, mbështetja e Ministrisë së Kulturës dhe e imja si ministër në asnjë moment nuk do të mungojë”, u shpreh ndër të tjera ministri duke treguar vlerësimin për punën e madhe që është bërë në përgatitjen e ekspozitës.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës me këtë ekspozitë, Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja.

“Muzeu i Kosovës nuk është si një gazetë që e keni lexuar një herë dhe herën tjetër nuk keni përse vini sepse i keni parë. Tani Muzeu do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja dhe me interes për publikun”, u shpreh drejtori Boshtrakaj.

Në katin sipër, apo siç u quajt “Kati i Historisë”, ishte e vendosur edhe një dhomë ku ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë dhe flamujt e shteteve mike, si simbolikë falënderuese ndaj miqve e partnerëve të Kosovës. Në anën tjetër të këtij kati, ishte e vendosur një fotogaleri që pret edhe autor të tjerë ta pasurojnë këtë galeri me fotografitë e tyre. Aty, binë në sy fotografitë e Fanny Sarri, fotografes nga Selaniku e cila kishte kapur disa momente të rëndësishme të Kosovës nga viti 89’ e tutje. Me këtë rast Boshtrakaj e ftoi atë pranë të pranishmeve të ekspozitës. Ajo pati pak fjalë dhe shtoi se e gjitha është thënë përmes fotografisë.

“Fotografitë e thonë të gjithën. Keni një kulturë të madhe dhe keni bërë shumë për këtë. Ju duhet të vazhdoni ta promovoni kulturën tuaj. Fillimisht Rugova foli për kulturën këtu tani është koha juaj që t’ua dhuroni kulturën Kosovës”, ka thënë fotografja Sarri.

Në një kat më poshtë ishin vendosur disa artefakte historia fillon me neolitin e deri në mesjetë. Përveç të dhënave arkeologjike, në këtë kat ishte i vendosur edhe një projektor i cili përfshinte pesëmbëdhjetë rrëfime të njerëzve që e kujtojnë të kaluarën dhe emocionet e ditës së Pavarësisë së Kosovës. Jo vetëm kjo pjesë, por Muzeu kishte shfrytëzuar edhe këndin e shkallëve ku ishte vendosur portreti i Nënë Terezës që ishte punuar nga Saimir Straiti. E po aty poshtë qëndronte edhe një kënd për fëmijët që të vijnë në Muzeun e Kosovës, e të mund të njihen me trashëgiminë kulturore./ KultPlus.com