Franca ia kthen Pakistanit artefaktet e vjetra

Franca ia ka rikthyer Qeverisë së Pakistanit më shumë se 400 artefakte të vjedhura, përfshirë buste të vjetra, vazo, urna dhe kupa, disa prej të cilave datojnë nga mijëvjeçari i dytë dhe i tretë para Krishtit.

Shumë nga pjesët kanë hyrë në Francë në shtator të vitit 2006, të dërguara për një galeri në Paris.

Ngarkesat ishin zbuluar nga zyrtarë të doganave në aeroportin “Charles de Gaulle” dhe ishin identifikuar nga Qendra Kombëtare për Kërkim Shkencor si sende të vjedhura nga varrezat në luginën e Indit në Pakistan, transmeton koha.net.

Një tjetër ngarkesë me copëza të qeramikës dhe terakotës e destinuar për të njëjtën galeri ishte ndaluar dy javë më vonë. Dhe gjatë kërkimit për galerinë e paemër, zyrtarët doganorë kishin kapur edhe disa qindra copëza qeramike.

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Ambasadën e Pakistanit në Paris, 445 artefakte i janë dorëzuar Pakistanit të martën, me një vlerë prej 139 mijë eurosh (157 mijë dollarë).

“Është me të vërtetë një moment i veçantë për Pakistanin”, ka thënë Muhammad Majad Aziz Qazi, kreu i misionit. “Është po aq edhe moment emocional për ne. Ne besojmë, sot, që një pjesë e trashëgimisë së Pakistanit po kthehet në vendlindjen e vet”.

Qazi ka thënë se përgatitjet janë bërë që thesaret të dërgohen sa më parë që është e mundur në Islamabad.

“Shpresojmë që së shpejti…ju do t’i keni ato në njërin prej muzeve më të mira që kemi në Pakistan”.

Derisa galeria që ishte pranuesja e pretenduar e plaçkës nuk është emëruar, zyrtarët francezë kanë thënë se ka të ngjarë që ajo të jetë goditur me një gjobë mes 100 mijë dhe 200 mijë eurosh për pranimin e mallrave të vjedhura.

Aurore Didier, një specialiste për arkeologjinë jugore të Azisë, ka thënë se Baluçistani në jug të Pakistanit ka vuajtur nga vjedhjet e shumta të artefakteve të moçme, duke e bërë edhe më të vështirë grumbullimin e të dhënave antropologjike të njerëzve që dikur kanë jetuar aty.

“Nuk kanë qenë vetëm kontrabanduesit e babëzitur që e kanë inkurajuar atë, por edhe tregu ndërkombëtar i artit”, ka thënë ajo. “Këto grabitje kanë mbizotëruar në këtë rajon të Baluçistanit”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përmendur çështjen e rikthimit të veprave të vjetra të artit në rajonet prej nga vijnë.

Nëntorin e shkuar, ai ka njoftuar për planin për t’i dhënë Beninit, një koloni e dikurshme, qindra objekte të mbajtura nëpër muzetë franceze.

Një numër artefaktesh janë rikthyer këtë vit në Peru dhe gjatë viteve 2014-2017 më shumë se 250 copëza të antikuarëve egjiptiane janë rikthyer në Kajro pasi ato ishin zbuluar në bagazhin e një rezidenti britanik, që po udhëtonte në Londër/Reuters.

1 mijë e 248 artefakte të Kosovës akoma qëndrojnë në Serbi

Kosovës akoma nuk i janë kthyer 1248 artefakte të cilat në vitin 1999 janë zhvendosur në Serbi. I vetmi eksponat i kthyer është “Hyjnesha në Fron”, shkruan KultPlus.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe.

Mirëpo me të përfunduar të ekspozitave, këto koleksione nuk u kthyen asnjëherë në Kosovë.

Njëri është koleksion arkeologjik prej 677 eksponateve dhe tjetri një koleksion etnologjik me 571 eksponate. Nga këto dy koleksione ose 1248 artefakte në Kosovë është kthyer vetëm një eksponat.

Kjo ka ndodhur në maj të vitit 2002 me një angazhim shumë të madh e të veçantë të Michael Steiner është kthyer një eksponat “Hyjnesha në Fron”. Është në ekzemplar që vjen prej neolitit një gjetje në lokalitetin e Tjerrtores dhe është figura që është edhe simbol i Muzeut dhe Komunës së Prishtinës.

Këto dy ekspozita qëndrojnë në Serbi. Koleksioni arkeologjik qëndron në depon e Muzeut Kombëtar të Beogradit kurse koleksioni etnologjik qëndron në depon e Muzeut Etnologjik të Beogradit.

Kthimi i këtyre dy koleksioneve ishte përfshirë edhe në pakon e Ahtisarit. Në këtë plan ishte bërë e qartë se Serbia është dashtë që këto artefakte t’i kthej në Kosovë në afat prej 120 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit./ KultPlus.com

Besart Vllahinja letër publike për kryeministrin Haradinaj, kërkon kthimin e artefakteve nga Serbia

Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, sot nëpërmjet në letre publike, u ka bërë thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës-Ramush Haradinaj dhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme-Behgjet Pacolli, që të iniciojnë riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Vllahinja, përmes kësaj letre të publikuar edhe në rrjetin social Facebook, i bëri thirrje qeverisë që këto asete të Kosovës të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit.

“Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Vllahinjës.

Në vijim, KultPlus, po sjellë të plotë Letrën Publike të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Besart Vllahinja:

LETËR PUBLIKE
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuar zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli,

Ju drejtoj këtë letër publike në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe si qytetar i Prishtinës, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 9, ku trajtohet [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare] “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”, nën përgjegjësinë morale e shoqërore dhe arsyeshmërinë e kontributit për riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit tash e tetëmbëdhjetë vjet, duke numëruar këtu momentin prej fillimit të hapjes së gjoja ekspozitës përgjatë periudhës së luftës në vendin tonë në vitet 1998 respektivisht 1999.

Më lejoni të përkujtoj faktet të cilat kanë përcjellë këtë histori të dhimbshme.
Në vitin 1998, në emër të ekspozimit të artefakteve dhe objekteve etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Prishtinës, në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe është realizuar ekspozita e ashtuquajtur: “Thesaret Arkeologjike të Kosovës dhe Metohisë: Nga periudha e Neolitit deri në Mesjetën e Hershme”.

Nga të gjitha këto asete, e që sipas vlerësimit të ekspertëve, për nga numri përllogaritet të arrijnë afërsisht 2000 objekte materiale, deri më tani është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, simbol të cilin me krenari e mbanë edhe Komuna e Prishtinës.

Sfondi kohor dhe historik kur artefaktet janë larguar nga asokohe Muzeu i Prishtinës, fondin e të cilit e kanë pasuruar artefaktet arkeologjike nga e gjithë Kosova, na bën’ të kuptojmë që “ekspozita e trashëgimisë kulturore” do të shërbente, në njërën anë si pararojë e politikave të përvetësimit të fakteve dhe historisë dhe në anën tjetër si politikë për konsum ditor i regjimit në Beograd.

Meqenëse, Konventat Ndërkombëtare dhe Protokollet të cilat e rregullojnë sferën e trashëgimisë kulturore lejojnë lëvizjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, kur kjo është e mundshme, të drejtë të cilën fatkeqësisht autoritet asokohe e kanë shfrytëzuar, përmes kësaj letre publike Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Duke konsideruar faktin që rrëmbimi i artefakteve nga Muzeu i Prishtinës është zhvilluar në periudhë lufte, konsideroj që, ndërmjet tjerash materiali dhe rruga për zgjidhjen e çështjes të trajtohet përmes Konventës së Hagës për Mbrojtjen e Aseteve Kulturore në Rastet e Konflikteve të Armatosura (The Hague Convention for the Protection of Cultural Property in the Event of Armed Conflict) e hartuar më 14 Maj 1954, përkatësisht dy protokollet e saj hartuar më 1954 dhe 1999.

Sipas të dhënave të UNESCO, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë është njëra nga shtetet firmëtare të Konventës, kurse Serbia në vitin 2001 ka depozituar njoftimin për suksesion, për çka edhe ligjërisht merret përgjegjëse.
Në deklarimet publike të autoriteteve përkatëse në Beograd, përmendet që artefaktet fizike, pjesë e ekspozitës në fjalë, nuk konservohen dhe mirëmbahen sipas normave, praktikave dhe standardeve ndërkombëtare.

Duke konsideruar këtu autoritetin Tuaj dhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje juridike, e në rastin tjetër edhe diplomatike në kuptim të gjetjes së zgjidhjes duke ndjekur modelin përmes protokollit të nënshkruar nga ana e Kroacisë dhe Serbisë në vitin 2012, të cilit i parapriu procesi gjyqësor i nisur nga Kroacia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj fuqishëm për rezultatin pozitiv dhe të shpejtë.

Me dashamirësi dhe urimin për suksesin e nismës,

Besart Vllahinja,
Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës