“Njëqind Vjet Vetmi”, rikrijimi filmik i Netflix që solli magjinë e Macondos në ekran

Pas më shumë se pesë dekadash nga botimi i saj dhe pasi vetë autori e kishte refuzuar për një kohë të gjatë çdo adaptim filmik, vepra madhështore e Gabriel García Markez, “Njëqind Vjet Vetmi”, ka marrë jetë në ekran përmes një produksioni ambicioz të Netflix.

Seriali, i publikuar në dhjetorin e vitit të kaluar, ka ngjallur entuziazëm të madh te lexuesit, kritikët dhe shikuesit në mbarë botën, duke sjellë për herë të parë në format audiovizual historinë e familjes Buendía dhe qytetit legjendar të Macondos.

Realizuar në gjuhën spanjolle dhe i xhiruar pjesërisht në Kolumbi, seriali ka ruajtur me përpikëri frymën poetike dhe kaotike të romanit, duke përfshirë elementet e realizmit magjik që e kanë bërë këtë vepër një monument të letërsisë botërore, duke publikuar 8 episoda më 11 dhjetor të vitit 2025, prej 16 të planifikuar. Regjia, skenografia dhe muzika janë vlerësuar për qasjen besnike, por edhe krijuese, ndaj atmosferës së veçantë të librit.

Familja e Gabriel García Markezit kanë qenë të përfshirë ngushtësisht në procesin e prodhimit, duke përcjellur ruajtjen e integritetit artistik të veprës.

Kjo ishte hera e parë që trashëgimtarët e autorit dhanë leje për një përshtatje filmike të “Njëqind Vjet Vetmi”, pasi vetë Markezi kishte qenë gjithmonë skeptik ndaj mundësisë së rikthimit të librit në një medium vizual.

Rezultati ka qenë një sukses i madh kritik dhe kulturor, një serial që jo vetëm i bën nder origjinalit, por edhe u jep jetë imazheve që për dekada kanë jetuar vetëm në imagjinatën e lexuesve. Me këtë adaptim, Netflix ka realizuar jo thjesht një projekt ambicioz, por një ngjarje artistike që shënon një moment të rrallë ku letërsia dhe kinemaja takohen në mënyrë të denjë./KultPlus.com

Gabriel García Márquez dhe “Njëqind Vjet Vetmi” që rrezikoi të humbiste rrugës

Romani i famshëm “Njëqind Vjet Vetmi” (Cien Años de Soledad), një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore, pothuajse nuk do të kishte dalë kurrë në dritë, për një arsye sa të thjeshtë aq edhe prekëse: Gabriel García Márquez nuk kishte 82 pesos për ta dërguar me postë dorëshkrimin e tij në shtëpinë botuese në Argjentinë.

Në vitin 1967, Márquez dhe bashkëshortja e tij Mercedes jetonin me vështirësi ekonomike në Meksikë. Kur përfundoi dorëshkrimin e romanit që do të bëhej një nga kulmet e realizmit magjik, ata e çuan në postë për ta dërguar në Buenos Aires. Por dërgesa kushtonte 160 pesos, dhe çifti kishte vetëm 78. Ata e ndanë dorëshkrimin në dy pjesë dhe dërguan gjysmën e parë.

Mercedes, me humorin që e karakterizonte, i tha Gabrielit:
“Po të kishim pasur ato 82 pesos, do t’u kishim dërguar edhe romanin e keq që kishe shkruar.”
Pasi siguruan paratë për pjesën tjetër të dorëshkrimit, romani mbërriti i plotë te shtëpia botuese Sudamericana, dhe pjesa tjetër është histori: një vepër që tronditi botën letrare dhe i dha Márquez-it Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1982.

Ky episod i thjeshtë tregon fuqinë e këmbënguljes, dashurisë dhe besimit në art edhe kur gjithçka duket e pamundur./KultPlus.com

Gabriel García Márquez: Gjithnjë kam besuar se shkrimtarët nuk janë në këtë botë për të marrë çmime

Çdo çmim është një rrezik për ta. E keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një njeriu që nuk ka ndjeshmëri për suksesin në letërsi, dhe për më shumë kur ai jeton në një kontinent të pamësuar me suksesin, është të botojë një roman që shitet si salsiçet.

Ky është rasti im. Unë nuk kam dashur kurrë të shndërrohem në një spektakël, urrej televizionin, kongreset e letërsisë, konferencat dhe jetën intelektuale”.

Ndër të tjera, këtë kumtoi Gabriel García Márquez në fjalimin e shkurtër që mbajti kur i dorëzuan çmimin prestigjioz “Rómulo Gallego”, për veprën e tij “Njëqind vjet vetmi”. /KultPlus.com