“Nothing Else Matters”, kënga e parë e ‘Metallica’ që kapërcen 1 miliard shikime në YouTube

“Nothing Else Matters” është videoklipi i parë i grupit Metallica që kapërcen 1 miliard shikime në YouTube.

Kënga, që është pjesë e albumit “Black Album”, i vitit 1991, është postuar në YouTube në tetor të vitit 2009.

Kjo këngë është nga të paktat këngë e zhanrit heavy-metal që ka kaluar 1 miliard klikime. Këtë shifër e kanë arritur edhe “November Rain” e Guns N Roses, “In the End” e Linkin Park, “Chop Suey” e System of a Down dhe “It’s My Life” e Bon Jovit.

Në rreth 4 dekada jetë, Metallica ka shitur 125 milionë albume në të gjithë botën dhe është grupi me më së shumti koncerte në histori. / KultPlus.com

Photo by Fin Costello/Redferns

“Metallica” me version të ri të hitit “Nothing Else Matters”

Grupi “Metallica” e ka zbuluar lajmin se janë duke e rishkruar hitin e tyre “Nothing Else Matters” për filmin e ardhshëm të studios Disney, “Jungle Cruise”.

Në një intervistë të fundit, bateristi i bendit Lars Ulrich foli për transformimin e këngës së vitit 1992, në një projekt orkestral për filmin e ardhshëm hollywoodian, ku luajnë aktorët yje, Dwayne “The Rock” Johnson, Emily Blunt dhe Jack Whitehall.

“Ideja ka ardhur nga drejtori prodhimit në studion Disney, Sean Bailey, i cili është adhurues i kamotshëm i muzikës rok, dhe në përgjithësi shquhet si një prej njerëzve më të mirë, të shoqërueshëm, zemërgjerë, të ngrohtë dhe të dashur në industrinë e muzikës. Mendoj se ai gjithnjë ka qenë adhurues i zjarrtë i grupit ‘Metallica’, dhe kështu kemi arritur ta njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Unë dhe bashkëshortja ime jemi fansa të mëdhenj të filmave nga Disney, dhe kështu kemi arritur ta krijojmë një raport shoqëror. Ai gjithnjë është munduar ta gjejë mënyrën e duhur në të cilën ‘Metallica’ do të mund të kontribuonte në disa projekte të tyre”, transmeton KultPlus.

Ulrich tutje shpjegoi se anëtarët e bendit nuk kanë dashur t’iu ikë mundësia për të punuar me kompozitorin e nominuar tetë herë për “Oscar”, James Newton Howard, i cili e ka bërë aranzhimin e ri këngës “Nothing Else Matters” për ta përshtatur me filmin.

Hiti i padiskutueshëm “Nothing Else Matters” ishte lansuar në vitin 1992, dhe ishte kënga e tretë e albumit të vetëtitulluar të bendit, njëherësh i pesti i incizuar në studio.

Ndërkohë, vokalisti i grupit “Metallica”, James Hetfield, së fundmi ka folur për karantinën me ç’rast ka treguar se e ka shfrytëzuar këtë kohë të lirë, për të shkruar këngë të reja.

Hetfield ka qëndruar në shtëpinë e tij në Colorado prej se pandemia e koronavirusit shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mars të këtij viti. Gjatë gjithë këtyre muajve këngëtari dhe muzikanti i njohur, është munduar të qëndroj sa më kreativ./ KultPlus.com