I ndaluar për një shekull, por ju tashmë mund të notoni në Senë

Kur ka mbetur edhe një vit përpara Lojërave Olimpike, Parisi është në fazën përfundimtare të një pastrimi historik, i cili së shpejti do të shohë notarët dhe zhytësit përsëri në lumin Senë.

I ndaluar për një shekull për shkak të ujit të ndotur, noti në qytet është vendosur të jetë një nga trashëgimitë kryesore të Lojërave falë një projekti rigjenerues prej 1,4 miliardë eurosh, i përshëndetur si një sukses.

Jo vetëm që tre ngjarje olimpike dhe paraolimpike – triatlon, noti maratonë dhe paratriatlon – janë planifikuar të zhvillohen në Senë, në qendër të Parisit, por deri në vitin 2025 tre zona noti në ajër të hapur do të jenë të aksesueshme nga ana e kalatës.

“Kur njerëzit shohin atletë që notojnë në Senë pa probleme shëndetësore, ata do të jenë të sigurt”, parashikon Pierre Rabadan, nënkryetar i bashkisë së Parisit, përgjegjës për Lojërat Olimpike.

“Është kontributi ynë për të ardhmen”, shton ai.

Ashtu si shumë qytete perëndimore, Parisi pati rënie drastike të cilësisë së lumit falë ujërave të zeza industriale në rrjedhën e sipërme dhe kërkesave sanitare të një popullsie në rritje.

Jeta ujore vuajti deri në atë pikë sa në vitet 1960 vetëm tre lloje peshqish u regjistruan në qytet.

Në vitin 1923 autoritetet ndaluan notin.

Një nga problemet kryesore ka qenë infrastruktura e kullimit me një sistem të shekullit XIX, e cila bashkon ujin e përdorur nga kuzhinat dhe banjat me ujërat e zeza nga tualetet.

Në kohë normale kjo rrjedh përmes një kompleksi tunelesh nën rrugë drejt qendrave të trajtimit në periferi. Megjithatë, kur ka shi të dendur, sistemi është i ngopur dhe teprica duhet të derdhet në Senë./ atsh / KultPlus.com

Kampionia extra e Kosovës

Medina Surdulli është lindur e rritur në Prishtinë dhe të gjithë shkollimin e ka përfunduar në Qendrën Burimore “Përparimi” në kryeqytet. Kromozomi i 47 e ka limituar Medinën në të bërit një jetë të pavarur dhe i është dashur të punojë shumë më shumë se çdokush tjetër që t’i arrijë qëllimet në jetë.

“Unë jam Medina Surdulli, jam 25 vjeçare, dhe jam notare e shkëlqyeshme”, thotë ajo duke e prezantuar veten me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.

Vajza me një kromozom më tepër, kishte mësuar të notojë kur ishte shumë e vogël. Gjatë pushimeve në bregdetin shqiptar, prindërit e stërvitën të qajë përpara me ujin. Nisi nga hapa shumë të vegjël, duke notuar në distanca të vogla për ta testuar veten. Prapa i qëndronin nëna dhe babai që ia mësuan teknikat, por edhe i dhanë kurajën e nevojshme për të manovruar me ujin.

“Më pas edhe familja e pa që nuk ishte thjeshtë një pasion por ishte edhe një aftësi e imja”, thotë Medina për revistën ZA, duke rrëfyer se si nisi karriera e saj si sportiste.

Duke parë potencialin e saj, prindërit e Medinës punuan pareshtur që këtë aftësi të vajzës së tyre ta zhvillojnë duke angazhuar trajner për të punuar me të. Pushimet verore që e njohën me notin do ishin filli i një jete prej kampioneje.

Hera e parë që u prezantua me një pishinë trajnimi ishte kur prindërit e dërguan për stërvitje në klubin e notit Termopan. Aty nisi të ushtronte intenzivisht nga pesë herë në javë. Ajo i vinte caqe vetes në bashkëpunim me trajnerin që e stërviste. Çdo ditë që shkonte bëhej më e fuqishme dhe synimi ishin garat ndërkombëtare të notit.

Medina as që e ndjente se një kromozom më shumë në zinxhirin gjenetik të saj ishte pengesë. Limite më nuk kishte. Me kohë e kuptoi se duhej vetëm punë dhe rezultatet e shkëlqyera do ishin të prekshme.

Ajo ka fituar një mori medaljesh, të cilat qëndrojnë varur në murin e dhomës së saj dhe për të cilat ndjehet shumë krenare çdo ditë. Në vitin 2017 ishte dekoruar me medalje të argjendtë në kampionatin Europian të Notit për Personat me Sindromën Down, i cili u mbajt në Francë. Një medalje tjetër që qëndron në mur është ndarë nga Federata e Notit të Kosovës. Në vitin 2018 ajo ishte shpallë “Sportistja e vitit”.

Ndërsa vetëm një vit më pas, klubi i notit “Termopan”, në të cilin Medina edhe ushtronte asokohe, në bashkëpunim me Federatën e Notit dhe Down Syndrome Kosova kishin organizuar garat e notit për personat me Sindromën Down në Kosovë. Në mesin e shumë pjesëmarrësve, të vendeve si: Amerika, Suedia, Britania e Madhe dhe vende të tjera, triumfoi në dy stile të notit. Stilin krol në distancë prej 100m dhe atë delfin në distancë prej 50m, duke mposhtur pjesëmarrës të rreth 12 shteteve. Nga ajo garë Medina doli me dy medalje të arta.

Nga të gjitha medaljet që ka marrë, ajo që i ngjallë më së shumti krenari është medalja që e cilëson si dashurinë e parë, e që mbetet përgjithmonë kujtimi më i bukur në karrierën e saj si sportiste. Sa herë e shikon këtë medalje, në mend i vjen i ati.

“Ky moment më kujtohet gjithmonë dhe më frymëzon të vazhdoj tutje me notin. E babi më ka qëndruar prapa gjithmonë”, thotë ajo.

Mbështetja e pakursyer e dhënë gjatë gjithë formimit të saj si sportiste nga familja, dëshmon se sa e nevojshme është për personat me Sindrom Down zgjatja e dorës së ndihmës.

Përveç se notare e shkëlqyeshme, Medina gjithashtu është shumë e mirë edhe në skijim. Që është shumë e suksesshme edhe në këtë sport, Medina e dëshmon duke na treguar që ka fituar edhe disa medalje nga  garat ndërkombëtare në të cilat kishte marrë pjesë.

Ajo për revistën ZA ndanë përvojën e saj si pjesëmarrëse në Lojërat Botërore Dimërore, të cilat zhvillohen në kuadër të Olimpiadës Speciale në Austri. Aty e fitoi vendin e dytë duke marrë me vete ndjenjën e triumfit dhe medaljen e argjendtë në Kosovë. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë edhe në garën “Ski Alpine”, e cila u mbajt në Korenë e Jugut, nga e cila mori mirënjohje si pjesëmarrëse nga Kosova.

Ndjenja që i jep triumfi pas çdo gare, për të është e pazëvendësueshme. Këtu e gjen edhe motivin. Nxitja më e madhe për sukses e gjen kur vështron medaljet e marra pothuajse në secilën garë. Në të njëjtën kohë, rrugëtimi i saj përplot sfida e suksese është inspirues për të tjerë persona me Sindromon Down.

Madje, figura e saj i ka ndihmuar edhe kauzës së përgjithshme të shoqatës Down Syndrome Kosova, e themeluar në mars të vitit 2007, nga prindërit e fëmijëve me 47 kromozome.

Medina asnjëherë nuk dështon së surprizuari rrethin e saj apo këdo që ajo takon. Vazhdimisht kërkon më shumë nga vetja, në mënyrë që ditët e saja të jenë plotë adrenalinë dhe gjallëri. Përveç notit dhe skijimit, është edhe një pianiste shumë e mirë. Ajo di t’i kompozojë bukur e këndshëm gjithsej 140 vepra në piano.

“Unë e adhuroj pianon”, shprehet ajo përplot entuziazëm për instrumentin të cilin e zotëron.

Ditët e Medinës e kanë një rutinë. Mëngjesin e nis me një filxhan kafeje të cilin e shijon më fort po qe se e ëma i bën shoqëri kurdo që mundet. Më pas e pret puna.

Që prej Marsit të këtij viti, ajo është duke e kryer një punë praktike, në pjesën e administratës të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës. Pjesën tjetër të ditës e kalon në ambientet e shoqatës Down Syndrome Kosova ku është e angazhuar si asistente administrative.

Hapësirat e shoqatës i japin ndjenjën e  shtëpisë. Aty ndjehet plotësisht vetvetja. Punët e përditshme që kryejnë nuk i shkaktojnë lodhje asnjëherë. Përkundrazi, ato i japin vullnet që t’i drejtohet portës së shoqatës çdo ditë me shumë lumturi dhe pa një fije përtese.

“Shoqet më të mira i kam koleget. Sidomos drejtoreshën, – E kam afër zemrës tem”, shprehet ajo përplot dashuri për mikeshat e zyrës.

Pavarësisht jetës normale që Medina zhvillon, ajo shprehet se ende vëren shikimet paragjykuese rrugëve të qytetit. Kjo e pengon me raste. Ajo rrëfen se bezdiset shumë kur të tjerët e paragjykojnë ose e shikojnë ndryshe dhe për t’ua dëshmuar syve paragjykues se personat me Sindromën Down nuk janë të dobët ose të paaftë, ajo vazhdimisht endet e vetme për t’i kryer obligimet e saja ditore.

E ndodhur në mes një rrethi që e ka paragjykuar për atë që është, Medina është shndërruar edhe në një flamurtare të informimit për Sindromin Down. Kujdeset që t’iu tregojë pjesëtarëve të shoqërisë që nuk janë të informuar për këtë punë, se çfarë nënkupton saktësisht sindromi dhe arma e saj ndaj paragjykimeve është vetëm mirësjellja. 

“Po më doket më ndryshe. Më shohin ndryshe. Më pengon. Unë jam me Down Syndrome, edhe di me jau shpjegu tjerve çka është”, shpjegon Medina.

Intervista e nisur herët në mëngjes duhej të përfundonte ndonëse Medina kishte shumë gjëra për të ndarë. Dita përpara do të ishte tejet e zënë me punë, siç edhe na e tregoi në agjendën e saj që e mbanë të shënuar në një fletore ku liston detyrat.

Vajza me një ekstra kromozom, është një ekstra dëshmi që një diagnozë gjenetike nuk e përcakton të ardhmen e askujt. Ekzistenca e saj heshtur i bën thirrje shoqërisë që t’i shohë këta persona dhe t’i trajtojë njëlloj me pjesën tjetër të shoqërisë, pavarësisht mënyrës se si është e ndërtuar gjenetika e tyre.

“Shihemi prapë”, na tha Medina, e sigurt që kjo s’do të ishte vizita e fundit në adresë të saj. /KultPlus.com

No photo description available.

Në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’ thyhet rekord botëror në not

Në Lojërat Olimpike të Tokios është shënuar rekord botëror në not individual. Kjo është shënuar në ditën e shtatë të Olimpiadës.

Tatjana Schoenmaker e Afrikës së Jugut e fitoi disiplinën 200 metra bretkosë në konkurrencën e femrave me kohën 2:18:95 sekonda, duke e thyer rekordin prej 2:19:11 të vendosur nga Rikke Moller Pedersen të Danimarkës. Danezja e vendosi atë rekord në Kampionatin Botëror 2013 në Barcelonë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i morën dy medaljet tjera. Lilly King e mori të argjendtën me kohën 2:19:92, ndërsa të bronztën e fitoi Annie Lazor me kohën 2:20:84. / KultPlus.com