Holanda do të çmontojë urën historike që të kalojë jahti i Jeff Bezos

Një urë historike në Roterdam të Holandës do të çmontohet në mënyrë që të kalojë superjahti që është ndërtuar për miliarderin dhe themeluesin e Amazon, Jeff Bezos.

Jahti luksoz është ndërtuar nga firma holandeze Oceanco.

Ky mjet lundrimi është 127 metra i gjatë dhe shumë i lartë për të kaluar nën urën Koningshaven.

Një zëdhënës i kryebashkiakut të Roterdamit konfirmoi çmontimin e urës historike për të kaluar jahti, teksa theksoi se e gjithë fatura do të paguhet nga Bezos.

“Është e vetmja rrugë për në det”, tha zëdhënësi i kryebashkiakut. Agjencia e lajmeve AFP citoi zyrën e kryetarit të bashkisë së Roterdam të thoshte se vendet e punës që u krijuan për ndërtimin e superjahtit nxitën miratimin e këtij plani, duke u zotuar se ura do të rindërtohet në formën aktuale./ KultPlus.com