Of Nanë

Poezi nga Bekim Lumi

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Si rr’fe prej qielle

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si ilaç për nerva

Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si barrën e druve përmi shpinë Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere të bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si mbi jastëk andrrash Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë

Pashë Zotin

Pashë Ty

Pashë Babën

Pashë Mue

M’fal

Si mëkatar i keq që jam

Po t’lutem shumë

M’fal

Për dhembjet

Për sëmundjet

Për nervat

Për zjarminë

Për brengat

Për borxhet

Për mallin

Për mërzinë

Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme

M’fal

Njimijë herë m’fal

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Shënim: Këtë poezi e kam shkrue diku në vitin 1996, në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë (Shqypni), kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun në këtë jetë. (bekim lumi) / KultPlus.com