Of Nanë

Poezi nga Bekim Lumi

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Si rr’fe prej qielle

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si ilaç për nerva

Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si barrën e druve përmi shpinë Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si bojaxhi i keq që jam Flok’t me gëlqere të bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke Edhe k’saj here

Si mbi jastëk andrrash Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë

Pashë Zotin

Pashë Ty

Pashë Babën

Pashë Mue

M’fal

Si mëkatar i keq që jam

Po t’lutem shumë

M’fal

Për dhembjet

Për sëmundjet

Për nervat

Për zjarminë

Për brengat

Për borxhet

Për mallin

Për mërzinë

Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme

M’fal

Njimijë herë m’fal

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Of Nanë

Shënim: Këtë poezi e kam shkrue diku në vitin 1996, në një nga ato netët e mallit e të mërzisë, gjatë studimeve në Tiranë (Shqypni), kur, për shkak se Nanën nuk e kisha pa për disa vjet, dojsha me i kërkue falje për shumëçka të thanun e të pathanun në këtë jetë. (bekim lumi) / KultPlus.com

Mbrëmë në Hamam Bar u mblodhën 2340 euro nga artistët për Bekim Lumin

Nën moton Për Bekimin, mbrëmë në Hamam Bar Prishtina u mbajt një mbrëmje artistike me muzikë dhe stand up, nga artistët që kanë marrë iniciativën për të ndihmuar me vlerë monetare regjisorin e mirënjohur Bekim Lumi, për shërim nga kanceri, shkruan KultPlus.

Edona Reshitaj, Visar Kuçi, Art Lokaj, Fatmir Spahiu- Bufi, Dardan Islami, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi e mysafirë të tjerë u ngjitën në skenë për të bërë më atraktive këtë natë ku ishin mbledhur shumë artistë, miq e dashamirë të regjisorit Lumi.

Kjo mbrëmje mblodhi gjithsej 2340 euro për Bekim Lumin ndërsa kjo mbrëmje është në vazhdën e aktiviteteve Për Bekimin.

Ndërkohë javën që vjen do të mbahen edhe disa ngjarje tjera të cilat do të jenë me pagesë të volitshme por që këto shuma të mbledhura do të mund të krjiojnë një vlerë që do t’i dalë në ndihmë Bekimit./ KultPlus.com