Opingat ilire të fotografuara nga Pazari i Shkodrës në vitet ’40

Pazari i Shkodrës, në vitet ’40 – fotografitë sjellë nga Arkivi Qendror paraqesin disa punues opingash ose siç u thonë në gegërisht, apânga.

Këto lloj këpucësh, sipas dëshmive më të hershme arkeologjike u përkasin shek V-IV p.e.s dhe tregojnë, se kanë qenë element i kulturës ilire, sepse dalloheshin nga sandalet e tipit klasik greko-romak dhe më vonë, nga llaptiet e sllavëve.

Dëshmi të mëvonshme janë të shek XVI në disa vepra të Onufrit.

Visheshin nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Greqi (arvanitasit) dhe fshatrat arbëreshë të Italisë.

Ka disa forma të punimit të tyre.

Më të thjeshtat bëheshin prej një cope të vetme lëkure në trajtë katërkëndëshi këndrejtë, ku buzët rudheshin me retra lëkure, duke u afruar pas këmbës e pastaj shtrëngoheshin me gjalma prej leshi.

Ndër variantet e tjera të punimit të opingave dallohen: opinga lope, me retra, me gjuhëzë, opinga me përkresa, me tufëza, me xhufka, opinga me prroqe e të tjera. / KultPlus.com

“Opinga” në Paris

Në gjuhën shqipe shprehja “opingë” ka kuptimin përbuzës “i varfër, i skamur”. Mirëpo, si për të kundërshtuar këtë nivel të ulët të fjalës, patrioti Nikolla Lako themeloi në Paris gazetën “Opinga”, e cila u shqua për jehonën e saj në kryeqytetin francez me ato pak numra që botoi.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shkruan se qëllimi i parë i “Opingës” ishte të informonte publikun perëndimor se populli shqiptar ekzistonte, se shqiptarët nuk ishin thjesht një “nocion gjeografik, jo komb”, se shqiptarët janë të gjallë dhe kufijtë e Shqipërisë duheshin rivendosur në dobi të shqiptarëve.

Siç ka ngjarë shpesh me organe shtypi bashkëkohore me “Opingën”, problemet e financimit bënë që botimi të ndërpritej shpejt.

Në fillim të viteve ’20 të shekullit të shkuar, Lako deshi ta ringjallte gazetën, duke i dhënë tematikë më të përgjithshme dhe, kryesisht, kulturore dhe informative.

Për këtë arsye shtypi shpërndau këtë “Thirrje të Opingës”, që fondi i pasur i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave e ka në fotografi dhe që publiku ka mundësi t’i shoh.

Lako ishte 17 vjeç kur nxori në shtyp gazetën “Shqipëria”, më 1897. Ndërkaq, ishte drejtor i parë i Bibliotekës së Korçës dhe themelues i Muzeut të Shkencave të Natyrës./ KultPlus.com