Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se prej 3 ditësh vijojnë gërmimet, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër. Gërmimet arkeologjike do të vijojnë përgjatë gjithë muajit korrik.
Gërmimet synojnë të identifikojnë fazat më të hershme të ndërtimit të kalasë, duke kontribuar në pasurimin e njohurive shkencore dhe të ofertës kulturore për vizitorët.
Zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shek. V–VI pas Kr.), si dhe materiale të tjera karakteristike të kësaj kohe, prova të rëndësishme që dokumentohen për herë të parë dhe që hedhin dritë mbi origjinën e monumentit.
Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO. /atsh/ KultPlus.com
