Rama: Muzeu Historik i Shkodrës ‘Oso Kuka’, destinacion për të mos u humbur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Muzeu Historik i Shkodrës ”Oso Kuka”.

Rama theksoi se, ky muze është një destinacion për të mos u humbur, me një numër gjithnjë në rritje të interesit të turistëve.

Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Ai përbëhet nga Muzeu qëndror (i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës) dhe ai i Kalasë “Rozafa”.

Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombë­tare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ka kryer edhe veprimtari kërkimore në nivel lokal, duke aktivizuar bashkëpunëtorë të shumtë, specialistë e dashamirës të kulturës. Brenda qytetit ai bashkëpu­non me sukses me Universitetin L. Gurakuqi, bibliotekën “Marin Bar­leti”, Galerinë e Arteve dhe Teatrin “Migjeni”,  dhe me institucione të tjera simotra në Shqipëri e në rajon.

Muzeu organizon periodikisht aktivitete komemorative, konferenca e seminare me tematika të ndryshme. Aktualisht boton revistën “Kumtari” dhe ka ndërmarrë botimin e 10 vëllimeve me materialet e seminarit “Shkodra në shekuj”, ku përfshihen studime në fushat e historisë, arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë e arteve.

Muzeu përbëhet nga seksionet e mëposhtme: në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën, kjo e fundit shërben si fond i studimeve shkencore qe kryen stafi punonjës në veprimtarinë e tij./KultPlus.com

‘N’ Shqypní ká djelm si zâna, që për mbret e troje t’veta…nuk u dhimet gjâja as jeta’

Lahuta e Malcís – Oso Kuka

Zot, ç’ ká thánë njaj Avdi Pasha:

Paska mbetë Shqypnija m’ vasha,

Qysh se s’ léka mbrendë nji djalë,

N’ at Vranine mue sod me m’ dalë,

N’ at Vraninë, m’ at t’zezë terthore,5

Kû mbe’n shkret sá armë mizore,

Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,

Kû mbe’ n vithnat pa bagtí,

Veç prej cubash t’ Malit t’ Zí,

Qi po vrasin djelmt e rí, 10

Qi po mârrin lopët me viça,

Qi po presin dhênt me ogiça,

E po djegin kulla e stane,

E po thájn kaq zêmra nane!

Eh! po,knjazi ke Cetina 15

Ka lshue cubat kah Vranina,

Per me vrá atà e per me pré,

Per me djegun gur e dhé,

Veç si t, nisë degamë me né;

Pse dushmani âsht tue ndersy,20

Tokët e Mbretít per me i msý,

Per me i msý e me i rrembý.

Nji djalë m’ voter t’ m’ ishte llâ,

Paçë m’ i a lânë t’ âmen me fshâ,

Paçë m’ i a lânë motren me kjá: 25

T’ mjeren moter, ehu! pá vllá,

E n’ Vraninë un kjeçë tue e qitun,

Cubat knjazit per m’ i a pritun.

Por mue djalë nuk m’ ká qillue;

E n’ Shqypní nji djalë drangue,30

T’ cillit mos t’ i dhimet jeta

Per Daulet e troje t’ veta,

Fort kerkova e s’ mund e gjeta.–

Kshtû ankoi Pasha turçelí.

Oso kuka paska ndí: 35

Paska ndí,po,e kênka idhnue:

M’ sylah doren paska çue:

Me qitë m’ Pashen ká mendue.

Por i urti kurr nuk ngutet,

Prej burrnís e jo prej tutet, 40

Prandaj Osja ndali doren,

E as m’ e xjerrë s’ e xuer mizoren,

N’ fletë t’ sylahit çatallue;

Veç pá folë s’ mujt me u durue:

Avdì Pashë, tha, mâ kadalë! 45

Mos e thuaj dý herë at fjalë,

Se, per Dî’n e per Imâ’n,

T’bâj qi t’ kjajë e zeza nânë!

T’ bâj qi t’kjajë pa <<exhel>>tý nâna;

Pse n’ Shqypní ká djelm si Zâna, 50

Qi per Mbret e troje t’ veta

Nuk u dhimet gjâja as jeta:

E kû i lypë besa e burrnija,

Kû i lypë Mbreti e i lypë Shqypnija,

Kta mâ t’ parët jânë n’ fushë t’ mejdanit,55

Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:

Janë çelik per tef t’ taganit.

Marre vedit kurr s’ i lâmë!

Pá ksulë m’ krye pa opingë në kâmbë,

Na per Mbret e per Atdhé 60

Per kanû, per besë e Fé,

S’ druem me rá nder pré të thyeshme,

S’ druem me msý kalát e rrmyeshme:

E kahdo qi t’ bjerë Shqyptari,

Shkon rrufeja tue e ndezë zhari,65

Pushkë e besë pse na la i Pari.

E ti tash vjen ktû e na thue:

Se n’ Shqypni nji djalë drangue,

Qi per mbret e troje t’ veta

Nuk i dhimbet gjâja as jeta, 70

Fort kerkova e s’ mund e gjeta…

Por s’ké faj; pse zâni i zí

Aj ká dalë, po, per Shqypní,

qysh se erdh Pasha turçelí,

Qse edhè t ‘ hujve sod Shqyptari 75

Qiri m’ kambë do t’ rrijë qyqari,

Si punue né s, na ká i Pari…

Por po i lâm tash na kto fjalë.

Në Vraninë, qe , un jam tue t’ dalë,

Cubat Knjazit me t’i a ndalë. 80

Veç t’i lypi un dyzet vetë,

Dyzet vetë, po, djelm të letë,

Qi të desin kû t’ zatesin:

Si mund t’léjn veç e n’Shqypn’;

E po t’ ap besen e Zotit, 85

Se, pa u djegë un n’ flakë t’ barotit,

S’ ká me u lshue per t’ gjallë Vranina.

Avdì Pasha kênka çue,

Osos doren ká shterngue:

Aferim, bre,ti Oso Kuka! 90

Se tý t’ thotë fjala edhè duka

Qi ké lé nji sokol malit.

Zgidh kû t’ jetë, po, pika e djalit,

Edhè del ti n’ at rranxë boke:

N’ at Vraninë, kû t’zezat loke,95

Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,

Qi kan kthy rejat n’ gjiní,

Janë tuj t’ pritë si drita diellin.

Foli Pasha. Buzës s’ Cukalit,

N’krye t’javës, dielli kur u çue, 100

Per me shndritë mbí kobe të shekullit,

Kû e perbuzne shuen e drejta,

Qafës s’Kalás, qe, çeta e Osos

Po mêrr rrugen kah Vranina.

Çetë e vogel, por kreshnike: 105

Dyzet vetë mâ s’ janë me t’ njehun:

Djelm te zgiedhun n’mal e n’ vrrî,

Jo per dukë e per pashí,

Por per zêmer e trimní:

Oso kuka na u ká prî. 110

Oso Kuka, ‘i rrfé prej qiellit,

Shoq nuk ká kah vrân e kthiellet.

A she’ i herë, ka’ i bje sokakut,

Se ç’ m’i bâjn t’ gjith tungjatjeta!

Se ç’ permnershem xheverdarja 115

M’ i flakon mbí sup të krahit,

Si ajo rrfeja n’ natë thellimit!

N’ fletë t’ sylahit— folé bollash

Çatallue i ká dý kuburet:

T’ mnershemet motra t’ t’idhtë taganit,120

Qi ndermjet u rri kercnue.

Veshë e mbathë e n’armë shtrengue,

Shtatin div, e sý’ n si zhgjeta,

Oso Kuka n’ jelek arit,

Pash e m’ pash po i bjen pazarit.125

Njitë mbas tij vjen shpata e dekës,

Soko Tona i Gurit t’ Lekës;

Soko Tona, si Valbona,

Larg permendë m’ kto male t’ ona,

Si per bukë n’ shpí t’ tij të ngranme,130

Si per pushkë e besë të dhanme.

Thonë se i ká nja trí nishane,

Trí nishane, me fermane

Per sherbim qi i baka Mbretit

Ktej e andej valen e detit. 135

Mbrapa i shkonin qa’ i biri i t’ mirit,

Taro Pllumi i Jegumirit.

Mandej vînë dý rê mizore,

Dy djelmoça prej Zagore:

Kaçel Doda e Kerrni Gila: 140

Rritun mocë si karajfila.

Ehu! bre Oso, Oso-rrfeja,

Ç’ kan me t’namë dý vasha t’ reja:

Ç’ kan me t’ nam dý bija nane

N’ ato mrize e n’ ato stane, 145

Kúr, kercunat, kan me ndí,

Se ke zgiedhe dy dhandrra t’ ri,

Me i perpjekë me Mal të Zí.

Po a thue e njef njat kime-zí,

Qi e ká ballin si siní, 150

Qi e ká sýnin si duhí,

Qi i ká shpatllat si nji arí?

Aj âsht Çoku i Mar Kolë Dinit

Prej Kabashit t’ Dukagjinit:

Trim i çartun, trim si Zânë, 155

I pá tatë edhè i pá nânë,

Dy gur njitë, thonë, s’ i ká lânë.

Per mbas ktij vjen çeta tjeter,

Do mâ t’ rí, do prap mâ t’ vjeter,

Por t’ gjith mocë me trimëní: 160

Me trimní e me bujarí:

Veç, per dukë e per pashí

Dán mâ n’ shâj njaj Jup Qehaja,

Galo Keqi e Sinanaja,

Vuksan Gjeli e Met Zeneli; 165

E nder t’gjith– porsì hýll drite,

Preng Markola prej Mirdite:

Lypë per pushkë ky e per pleqní

Q’ mêrr prej Shkodre e n’Peshkopí.

Veshë e mbathë e m’ armë shtrengue: 170

Thue se krushq po duen me shkue:

Nja mbas nja’i po i bien Pazarit,

Si ajo rê qi prej Tivarit

Njitet zí terthoreve t’ona,

Per me shkrepe ndokahe t, e vona: 175

Edhè kapen m’ at breg Buene,

Kû n’ nji lunder u rreshtuene.

Vend n’ at lunder t’ gjith kur zune,

Rrqase âsht lundra e veli u nde,

Edhe nise âsht porsi rê, 180

Tuj çá valen nper Liqê:

Tuj çá valen kah Vranina,

Kû po bâte nâm Cetina./KultPlus.com

Projekt për restaurimin e banesës së Oso Kukës në Shkodër

Drejtoria Rajonale Kulturore Shkodër zhvilloi një takim pune me bashkinë Shkodër si dhe me përfaqësues të Muzeut Historik për hartimin e një projekti për restaurimin e banesës së Oso Kukës, sot Muzeu Historik i qytetit.

Banesa e patriotit të famshëm shqiptar, Oso Kuka qëndron si Muze Historik që prej vitit 1947. Në hyrje të portës së madhe, nis udhëtimi nëpër histori, që praj neolitit, antikitetit, Luftës së Parë e të Dytë Botërore, deri në periudhën e komunizmit në Shqipëri.

Shtëpia përmban një kompleks muzeor që rrallëherë e gjen në ndonjë qytet tjetër, me objekte dhe ambiente të cilat tregojnë mënyrën e jetesës në veri të Shqipërisë./KultPlus.com