‘Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë’

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Duke qenë i tillë, fjala e tij është e pavdekshme dhe thëniet e tij duket sikur janë shkruar sot.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Konicës:

-Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë. Është turp që prej kësi krimbash të mundohet një komb trimash”.

-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’

-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.

-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.

-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

– Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

– Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897)

– Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

– E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

– Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

– Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

– Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

– Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

– Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

– Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

– Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

– Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

– Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

– Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

– Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

– Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

– Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

– Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

–  Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

– Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).

– Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).

– Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).

– Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901). / KultPlus.com

Shkrimtarja amerikane në librin e saj “Majat e Shalës”: Do të doja shumë të isha një shqiptare e Malësisë

Ekspedita e Rose Wilder Lane, një shkrimtareje amerikane e cila në vitet e 20-ta vendos së bashku me ekipin e saj të vizitojë Shqipërinë, më saktësisht viset malore të saj, duke marrë përsipër rreziqet e shumta të asaj kohe, është e përmbledhur në librin “Majta e Shalës”, shkruan KultPlus.

Rose së bashku me disa miq të saj shqiptar, ndër ta edhe Rrok Perolli, funksionar i qeverisë shqiptare i cili shoqëron ekipin e saj deri në Theth të Shkodrës, vise të pa eksploruara më herët nga të huajt madje edhe nga vet shqiptarët, kishin realizuar këtë ekspedit që për të mbetet ndër më të veçantat.

Libri i cili në fakt është një udhëtim disa ditor në Malësinë e Shkodrës na prezanton me të vërtetat e popullit shqiptar i cili ishte shumë pak i njohur për botën e jashtme ose thënë më saktë i njohur për egërsinë dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili ishte ligji i vetëm në thellësinë e malësisë, atje ku vështirë mund të depërtoje.

Por, ajo çka e bën librin “Majat e Shalës”, që mund të thuhet pa frikë, se është libri më i mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje i Roze Lane-t, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske. Më konkretisht, Lane shprehet: “e tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”

Për librin në fjalë, Rose shprehet se: “kjo vepër nuk përmban ndonjë aspekt ku mund të ketë ndikime politike apo diçka tjetër e cila mund të keqinterpretohet apo trajtohet ndryshe, kjo vepër  është një rrëfim pa ngjyrime politike apo të bazuar nga rrëfime dhe tregime të ngjashme për shqiptarët, këtu mund të shohim diçka të ndjerë dhe përjetuar nga vetë unë dhe ekipi im së bashku me miqtë e mi shqiptarë të cilët bënë të mundur rrëfimin tim.”

Në këtë vepër përshkruhen doket dhe zakonet e shqiptarëve, rrëfimet e mahnitshme folklorike, përrallat me zana dhe ore, këngët e trimërisë dhe ato të dashurisë, veshja e malësoreve shqiptarë, mikpritja dhe portreti i atyre njerëzve të cilët shpalosin një botë në vete, një epokë që në Evropë dhe përtej oqeanit kishte përfunduar kohë më parë.

Këta njerëz shpalosin atë që Evropa e kishte fshehur dhe mohuar për dekada dhe Shqipëria ishte bërë pre e shumë tryezave të rrumbullakëta në kontinentin e vjetër.

“Sikur të udhëtoja në kohë, do të doja shumë të kisha qenë një shqiptare e Malësisë së Shqipërisë në këto vite. Do të kisha pasur fatin të jem pjesë e një populli të varfër nga jetesa dhe ekonomia por të pasur shpirtërisht”, shprehet Rose në një nga rrëfimet e saj.

Ky libër dhe kjo ekspeditë e një gruaje, shkrimtare, gazetare, Miss Lejn i tregon botës se si kanë qenë në të vërtetë shqiptarët, njerëz bujar, mikpritës të dashur dhe me një dashuri të madhe për token, traditat dhe shkollimin, dëshira e madhe për t’u arsimuar, sa herë përmendej shkolla vërehej menjëherë një entuziazëm në sytë e tyre, dëshira e tyre për të mësuar dhe shkruar ishte e madhe edhe pse kushtet në të cilën jetonin ishin të mjerueshme… kishin mendje fisnike. Mysafirët ishin të respektuar, ndërsa gjakmarrja mbizotëronte, ishte ligji i vetëm në Malësi, armikun e kishin afër, duhej të mbroheshin disi, edhe pse ligji i Kanunit ishte vetë jeta për ta.

Këto janë vetëm disa nga tregimet që shkrimtarja amerikane ja rrëfen botës për një popull që ndoshta pak njihej atë botë. / KultPlus.com