Familja shqiptare që i dha 6 kryeministra Perandorisë Osmane

Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane vetëm familja Qyprili i dha 6 kryeministra Perandorisë.

Në fejtonin për vezirët shqiptarë që kanë shërbyer në Perandorinë Osmane, një vend me rëndësi zë familja e njohur e Roshnikut të Beratit, e njohur si familja e Qyprillinjve.

Fejtoni për vezirët kokëprerë me origjinë shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane ka të bëjë kryesisht me vezirët, të cilëve u është prerë koka, ndërsa vezirët nga kjo familje, nuk pësuan fatin e bashkëvendësve të tyre.

Ky shkrim i autorit Abedin Kaja ka për qëllim prezantimin e biografive të pesë vezirëve ndër më të mëdhenjtë e më të njohurit të Perandorisë Osmane, i shkruar me rastin e botimit të librit: “Dinastia e Qyprillinjve në Perandorinë Osmane” .

Dinastia e Qyprillinjve fillon me kryevezirin (kryeministër) e Perandorisë Osmane:

1. Qyprilli Mehmet Pasha në vitet 1656-1661,

2 Qyprilli Fazil Ahmet Pasha (1661-1676),

3. Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683),

4. Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691),

5. Qyprilli Hysen Pasha (1698-1702),

6. Qyprilli Numan Pasha (1710, dy muaj e tre ditë) dhe përfundon me

Fuad Qyprilli zëvendës-kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm i Turqisë moderne.

Ndër të parët e kësaj familje me rol të rëndësishëm qeverisës është Qyprilli Mehmet Pasha (1656-1661). Veziri i madh, përuroi një periudhë qëndrueshmërie të qeverisjes, e cila u shoqërua me rivendosjen e prestigjit të Perandorisë Osmane në të gjitha fushat.

Fazil Qyprilli Pasha njihet si mbrojtës i njërës prej figurave të njohura hebraike, Zabata Zevi, që në vitin 1666 e shpalli veten si Mesia i Ri. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. Ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate), si në Stamboll, ashtu edhe në Qyprilli.

Qyprilli Fazil Mustafa Pasha, ai ishte djali i Vezirit të parë Mehmet Qyprili dhe shërbeu 2 vjet e 3 muaj. Ishte djali i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës.

Dr. Prof. Fuad Qyprilli, drejtues i Turqisë moderne. Fuad Qyprilli ishte njëri ndër të mëdhenjtë e familjes së famshme të Qyprillinjve. Mori edukim të zgjedhur.

U tërhoq pas kulturës perëndimore, letërsisë otomane dhe asaj evropiane. Fliste disa gjuhë: turqisht, frëngjisht, greqisht, persisht dhe arabisht. Fuad Qyprilli ka qenë mik i Mustafa Qemalit (Ataturku).

Në fakt, kush më pak e kush më shumë, të gjithë Qyprillinjtë kanë hyrë në historinë e Perandorisë Otomane si ndërtues të mëdhenj. Ata kanë ndërtuar në fshatin e tyre dhe fshatrat përreth një xhami, ura, banja, një mulli të madh bloje çezma etj.

Për shkak të zhvillimit ekonomik e kulturor, në kohën e tyre Roshniku kishte hyrë në zonë e zhvilluar dhe quhej kaza (qytezë).

Për t’u përmendur janë edhe ndërtimet e pamundura civile në mbarë perandorinë, si xhamitë, vakëfet, shkollat (këto të fundit, sidomos në kohën e Ahmet Fadil Qyprilliut), tregjet, etj, shumë nga të cilat mbajnë ende emrin e Qyprillinjve.

Që me ngjitjen e Ahmet Pashës në kreun e ekzekutivit, familja e Qyprillinjve u vendos në Kostandinopojë, në shtëpinë (pallatin) e Qyprillinjve, që gjendet pikërisht në buzë të Bosforit.

Pranë pallatit, që ekziston dhe sot e kësaj dite, gjendet edhe biblioteka e Qyprillinjve, e cila mbetet akoma një ndër bibliotekat më të famshme të Stambollit. /KultPlus.com

Shqiptarë të famshëm në Perandorinë Osmane

Është e dëshmuar se shqiptarët qenë për 500 vite pjesë integrale dhe e pandarë e Perandorisë Osmane. Përgjatë këtyre viteve shqiptarët kanë luajtur rol tepër të rëndësishëm e po thuaj të pazëvendësueshëm në shumë aspekte të kësaj perandorie kolosale. Roli i shqiptarëve ishte i rëndësishëm jo vetëm në politikë, ekonomi, ushtri, administratë a gjyqësor, por edhe në art, shkencë e kulturë. Pikërisht për këtë të fundit, po fillojmë një seri shkrimesh mbi personalitetet kulmore me origjinë shqiptare që kanë dhënë kontribut të shquar në kuadër të qytetërimit osman që kulmin e tij e arriti në shekujt XVI-XVII.

Jahja bej Dukagjini (1498-1582)

Jahja bej Dukagjini i njohur edhe si Dukaginzâde Yahyâ bey apo Taşlicali Yahyâ bey me origjinë nga veriu i Shqipërisë, konkretisht sipas Robert Elsie-t, pasaardhës i familjes së madhe Dukagjini, territoret e së cilës familje përfshinin territore malore pranë Bjeshkëve të Nemuna. Qysh herët u rekrutua nga sistemi i devshirmesë, sistem ky që e dërgoi në Stamboll. Përgjatë gjithë shkollimit në rrugën për t’u bërë jeniçer, ai u dallua me trimëri, aftësi e mençuri. Këto tipare i mundësuan atij që të ketë më shumë liri, të cilën ai e përdori për t’u njohur me veprat e Kadri Efendiut, Ibn Kemalit, Nishandji Tadji-zade Dja’fer Çelebiut, Pargalı Ibrahim Pashës, dhe İskender Çelebiut.

Përveç se poet i shquar, Jahja bej Dukagjini u dallua për aftësitë e tij ushtarake. Si për të na e kujtuar këtë, Sami Frashëri shumë vite pas, shkruan : “ishte i shpatës (luftëtar) dhe i penës (shkrimtar).” Jahja bej Dukagjini njihet se ka marrë pjesë gjatë rinisë së tij në Betejën e Çaldiranit të 23 gushtit 1514 të udhëhequr nga Sulltan Selimi I (1512-1520) , gjithashtu në Luftën Otomane-Mamluke të 1516-17, dhe në ekspeditën e Bagdadit të vitit 1535 nën Sulejmanin I Ligjvënësin (1520-1566). Pikërisht këto vite ishin vitet më të ndritshme të kësaj perandorie. Megjithë trimërinë që e karakterizonte, ai u bë më tepër i njohur në mesin e shtetasve të Perandorisë, pikërisht për shkak të poezive të tij madhështore. Madje në këto poezi ai ishte i vetëdijshëm për origjinën e tij shqiptare dhe e pohonte vazhdimisht në vargjet e tij, gjë që nuk kishte ndodhur me shumicën e të rekrutuarve të sistemit të Devshirmesë që zakonisht zveniteshin nga ndjenjat kombëtare.

Në poezinë e tij “Trëndafili i ndritur” dëshmonte para botës se ishte me origjinë shqiptare:

“Farefisi im rrjedh nga paria shqiptare,
Sojin e kam prej princërve të Dukagjinit
Sado që u bëra rob i osmanëve
Nuk e fsheh dot
Lumturine time që gëzoj,
Krenohem duke luftuar në fushëbeteja
Me flamur të kuq në dorë…”

Edhe në një rast tjetër në përmbledhjen “Thesare të fshehura”, si rrallë kush në Perandorinë Osmane, madje me krenari, ai shkruante mbi prejardhjen e tij, mbi shqiptarët, e mbi vendin që tashmë e kishte lënë e kishte shumë mall:

“Raca shqiptare është raca ime,
Mbarë populli mban shpatën pranë,
Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë,
Të ngrënë shtëpitë mes shkëmbinjve,
Kjo është dhunti e racës shqiptare,
Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.“

Sipas studiuesve turq, aspekti më i rëndësishëm i Taşlicali Yahyâ bey është se ai ishte njëri nga pionerët e poetëve që shkroi poezi në letërsinë turke me stil të tij, stil ky i kuptuar nga populli si dhe i shkruar në gjuhë amtare larg nga ndikimi i shembujve të të shkruarit në gjuhën perse që në atë kohë ishte shumë e përhapur në Stamboll. Shumë osmanlinj madje i kishin zili duke u shprehur se poeti i cili sipas tyre erdhi nga një vend i varfër e i shkretë si Shqipëria, kishte poezi e libra të pakrahasueshem me të tjerët.

Sipas E.J.W. Gibb, poezia e këtij autori ka qenë aq interesante sa ishte jeta e tij poashtu. Madje Gibbi, orientalist skocez, Dukagjinin e fut në mesin e poetëve më eminentë të shekullit XVI.

Pa e zgjatur shumë, do përmendim edhe disa nga veprat e tij më të mëdha për të cilat vlerësohen edhe sot e kësaj dite.

Şah ü Geda – Mbreti dhe lypësi

Yusuf ve Züleyha – Jusufi dhe Zylejhaja

Gencine-i Raz – Thesari i fshehtë

Gülşen-i Envar – Kopshti i trëndafilave

Kitab-ı Usul – Libri i procedurave

E veçantë mbetet edhe një vepër me 2000 vargje e quajtur “Suleymanname” që i kushtohet udhëheqësit të asaj kohe, Sulltan Sulejmanit (1520-1566). Kjo vepër si duket mbeti e papërfunduar.

Madje është shumë e famshme elegjia që Jahja Bej Dukagjini i ka kushtuar Shehzade Mustafasë, djalit të ekzekutuar të Sulltan Sulejmanit. Fill pas kësaj dhe akuzave të rënda që mori nga oborri perandorak, ai si për t’u shfajësuar u përgjgj : “ Ne e dënojmë atë me padishahun, por e vajtojmë me popullin”. Kjo përgjigjje dëshmonte se kemi të bëjmë me një mendje gjeniale që edhe në situata shumë të ndërlikuara gjente zgjidhje.

Për fund iu mbetet studiuesve shqiptarë të fillojnë të hulumtojnë për këtë personalitet të madh për të cilin pak është shtruar e ka shumë nevojë të shkruhet në gjuhën shqipe. Ky shkrim më shumë ka për qëllim nxitjen e studimeve më të thelluara për këtë personalitet shumë të rrallë me përmasa botërore. / KultPlus.com

Nga Valdrin Rrahmani

Ana e errët e Perandorisë Osmane

Sulltanët e hershëm osmanë nuk e praktikonin zakonin ku djali i madh trashëgon gjithçka. Si rezultat, vëllezërit e ndryshëm pretendonin fronin. Perandoria u mbush me pretendues, të cilët gjenin strehë në shtete armike dhe i shkaktonin probleme perandorisë për vite me radhë…

Kur Mehmed Pushtuesi rrethoi Kostandinopojën, xhaxhai i tij luftoi kundër tij që nga muret. Mehmedi e zgjidhi problemin me mizorinë e tij të zakonshme. Kur mori fronin, e ekzekutoi pjesën më të madhe të të afërmve meshkuj, duke përfshirë edhe një vëlla foshnjë që e mbyti në djep. Më pas, nxori ligjin famëkeq: “Cilido prej bijve të mi që do të marrë Sulltanatin, për hir të rregullit të botës, do të vrasë vëllezërit e tij. Shumica e Ulemave e lejojnë këtë. Pra, le të veprojë në këtë mënyrë”.

Nga kjo pikë e tutje, çdo sulltani i ri duhej ta merrte fronin duke vrarë të gjithë të afërmit e tij meshkuj.

Kështu, Mehmedi III shkuli mjekrën e tij nga hidhërimi, kur vëllai më i vogël iu lut për mëshirë. Por, ai “nuk iu përgjigj kurrë as edhe me një fjalë”, dhe djali u ekzekutua së bashku me 18 vëllezër të tjerë. Pamja e 19 trupave të tyre që vërtiteshin rrugëve, bëri të qajë gjithë Stambollin.

Por, edhe pas raundit të parë të vrasjeve, të afërmit e sulltanit nuk ishin të sigurt. Sulejmani i Madhërishëm shikonte në heshtje nga prapa një dritareje si djali i tij mbytej me një tel harku, pasi djali ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani nuk ndihej i sigurt.

Edhe për sulltanin, jeta në Topkapi mund të ishte mbytëse deri në ekstrem. Konsiderohej e pahijshme për sulltanin që të fliste shumë, kështu që u fut një formë e gjuhës së shenjave dhe sundimtari e kalonte shumicën e kohës i rrethuar nga një heshtje e plotë.

Mustafai I e pa të pamundur ta duronte këtë dhe u përpoq që ta ndalojë, por veziri i tij refuzoi ta lejojë. Mustafai shumë shpejt u çmend.

Intrigat në pallat ishin të zakonshme, teksa vezirët, oborrtarët, eunukët luftonin për pushtet. Për 130 vjet gratë e haremit fituan një ndikim të madh dhe periudha u bë e njohur si “sulltanati i grave.”

Dragomani (Kryepërkthyesi) ishte gjithmonë i pushtetshëm dhe gjithmonë ishte grek.

Eunukët ndaheshin përgjatë linjave racore, dhe krye-eunuku i zi dhe krye-eunuku i bardhë ishin rivalë. I zënë shpesh në mes të kësaj çmendurie, sulltani ndiqej kudo ku shkonte.

Ahmeti III i shkroi vezirit të tij të madh, duke u ankuar: “Nëse unë shkoj në një nga dhomat, 40 vetë janë vënë rresht; nëse më duhet të vesh pantallonat, nuk ndihem aspak rehat. Shpata-mbajtësi duhet t’i lërë të largohen. Mbani vetëm tre apo katër burra që të jem rehat”.

Politika e vëllavrasjes në Perandorinë Osmane nuk ishte popullore mes publikut apo klerit, dhe ajo u braktis në heshtje kur Ahmedi I vdiq papritmas në vitin 1617. Në vend të kësaj, trashëgimtarët e mundshëm për fronin u mbyllën në Pallatin Topkapi në Stamboll, në apartamente që njiheshin si kafazet. Një princ i Perandorisë Osmane mund të kalonte tërë jetën e tij i burgosur në kafaz, i monitoruar vazhdimisht nga rojet. Burgimi ishte zakonisht luksoz, por i zbatuar në mënyrë rigoroze, dhe shumë princa u çmendën nga mërzia ose u bënë të varur nga alkooli.

Kur një sulltan i ri shkonte në Portën e Lumturisë për të marrë besnikërinë e vezirëve, kjo mund të ishte hera e parë që dilte jashtë, pas disa dekadash, gjë e cila nuk ishte përgatitja ideale për një sundimtar.

Kërcënimi i ekzekutimit ishte konstant. Në vitin 1621, Myftiu i Madh refuzoi të lejojë Osmanin II që të mbyste vëllain e tij. Por, kryegjykatësi i Ballkanit nxitoi për të dhënë një kundëropinion dhe princi u mbyt gjithsesi. Vet Osmani u përmbys më pas nga ushtria, të cilës iu desh që të nxjerrë vëllain e tij të mbijetuar nga kafazi, duke hequr çatinë dhe duke e ngritur me një litar. I gjori kishte ndejtur dy ditë pa ushqim apo ujë dhe ishte shumë vonë për të qenë i vetëdijshëm se ishte bërë sulltan.

Gjykata e parë e Pallatit Topkapi ishte një vend i tmerrshëm. Aty spikasnin dy shtylla ku ekspozoheshin kokat e prera dhe një burim i veçantë vetëm për ekzekutuesit, që të lanin duart.

Gjatë spastrimeve periodike në pallat, gjuhët e njerëzve bëheshin pirg, ndërsa një top i veçantë ushtonte çdo herë që një trup hidhej në det. Osmanët as nuk e morën mundimin që të krijonin një trupë xhelatësh. Në vend të kësaj, kjo detyrë u ra kopshtarëve të pallatit, të cilët e ndanin kohën e tyre mes vrasjeve dhe krijimit të shumë prej luleve të bukura që ne njohim sot.

Shumicës së viktimave të tyre, thjeshtë u pritej koka. Por, ishte e ndaluar që të derdhej gjaku i familjes mbretërore dhe zyrtarëve të nivelit të lartë, kështu që ata mbyteshin derisa jepnin shpirt.

Si rezultat, kryekopshtari ishte gjithmonë një njeri trupmadh, muskuloz, i aftë për të mbytur një vezir për vdekje me të marrë njoftimin.

Në ditët e para të qeverisjes, zyrtarët e sulltanit të ri krenoheshin me bindjen e tyre ndaj tekave të tij dhe ishte e zakonshme që ata të përballeshin qetë-qetë me ekzekutimin.

Veziri i famshëm, Kara Mustafai, ishte shumë i respektuar për shkak se e përshëndeti ekzekutuesin e tij me një “Ashtu qoftë!” të përulur. Më pas, u ul në gjunjë që ai t’i vendoste telin përreth qafës.

Por, në vitet e mëvonshme, standardet ranë. Ali Pashën, i cili luftoi aq shumë kundër njerëzve të Sulltanit, e vranë me plumba nga poshtë dyshemesë së shtëpisë së tij.

Në Perandorinë osmane, kishte një mënyrë për një zyrtar besnik, që t’i shpëtonte zemërimit të sulltanit. Duke filluar në fund të shekullit të XVIII-të, u bë zakon që një vezir i madh i dënuar, mund t’i shpëtonte fatit tragjik, duke mundur një kopshtar në një garë nëpër kopshtet e pallatit.

Zyrtari thirrej në një takim me krye-kopshtarin dhe pas shkëmbimit të përshëndetjeve, vezirit do t’i dorëzohej një gotë sherbet e mbuluar me akull. Në qoftë se ajo ishte e bardhë, sulltani i kishte ofruar atij edhe një shans. Në qoftë se ajo ishte e kuqe, ai do të ekzekutohej. Sapo shihte sherbetin, veziri duhej të niste vrapin me sprint.

Ai vraponte nëpër kopshtet e pallatit, nëpër hijet e selvive dhe rreshtave me tulipanë, i ndjekur nga sytë e fshehur prapa portave dhe dritareve të haremit. Gara përfundonte tek Porta e Tregut të Peshkut në anën tjetër të pallatit. Nëse veziri mbërrinte tek porta përpara kryekopshtarit, ai thjeshtë dërgohej në mërgim dhe nuk vritej.

Por, kryekopshtari ishte më i ri dhe më i fortë, dhe zakonisht ndodhte që ai e priste me litarin e tij të mëndafshtë. Kështu që, shumë pak vezirë ia dolën, duke përfshirë Haxhi Sali Pashën, veziri i fundit që u përball me garën e vdekjes. Ai u përgëzua dhe më pas u bë guvernator province.

Pavarësisht se teorikisht ishin të dytët pas sulltanit, vezirët e mëdhenj zakonisht ekzekutoheshin ose i hidheshin turmës kur diçka shkonte keq. Nga kjo ka ardhur shprehja “kokë turku”.

Sulltan Selimi ndryshoi aq shumë vezirë të mëdhenj, saqë filloi të mbajë një ditar.

Vezirëve u duhej gjithashtu që të qetësonin popullin e Stambollit, të cilët ishin të prirur të marshonin në pallat dhe të kërkonin ekzekutime, sa herë që diçka shkonte keq. Një vizitor britanik i shekullit të XVIII-të vërente se “kur një ministër këtu nuk u pëlqen njerëzve, brenda tre orësh ai hiqet zvarrë dhe i presin krahët, kokën dhe këmbët”.

Njerëzit nuk kishin frikë të sulmonin pallatin nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin. Në vitin 1730, një ushtar i rreckosur me emrin Patrona Ali udhëhoqi një turmë që hyri në pallat dhe mori kontrollin e perandorisë për disa muaj.

Ai u qëllua për vdekje, pasi u përpoq që të bënte sundimtar të Vllahisë, një kasap të cilit i kishte para borxh.

Haremi Perandorak përbëhej nga deri 2000 gra, shumica prej të cilave të blera apo rrëmbyera si skllave, që shërbenin si gra apo konkubina të Sulltanit. Ata mbaheshin të mbyllura, dhe nëse një burrë u hidhte sytë, kjo ishte vdekja e tij.

Vetë Haremi ruhej dhe drejtohej nga Kryeeunuku i Zi, i cili me kalimin e kohës e shndërroi pozicionin e tij në një prej forcave më të pushtetshme të Perandorisë.

Ka pak informacion për ngjarjet brenda mureve. Thuhet se aty ka patur kaq shumë konkubina, saqë disa prej tyre as nuk arrinin ndonjëherë ta shihnin Sulltanin. Të tjera ia dilnin të fitonin edhe ndikim në drejtimin e punëve të Perandorisë.

Sulejmani i Madhërishëm ra çmendurisht në dashuri me një polake të quajtur Rokselana, u martua me të, dhe e bëri kryekëshilltare. Ndikimi i Rokselanës ishte kaq i madh, saqë një Vezir i Madh dërgoi piratin Barbarosa në një mision të dëshpëruar, për të rrëmbyer bukurinë italiane Giulia Gonzaga, me besimin se vetëm ajo do të mund t’i afrohej sharmit të Rokselanës. Plani u zbulua nga një italian i guximshëm, i cili hyri në shtëpinë e Giulias dhe e mori me kalë, përpara se të vinin piratët.

Pasi e falënderoi që e shpëtoi, Giulia thuhet se kërkoi që ai të vritej, për shkak se e kishte parë me këmishë nate.

Ky veprim e bëri të fitojë admirimin e gjithë Italisë.

Ish-konkubina Kosem arriti edhe më shumë ndikim se sa Rokselana. Me kalimin e kohës ajo udhëhoqi perandorinë në emër të birit apo nipit. Derisa ndeshi në nusen e saj, Turhan, e cila urdhëroi që vjehrra të mbytej me një perde, përpara se t’i merrte vendin.

Një nga karakteristikat më famëkeqe të sundimit të hershëm osman ishte devsirmeja (“thirrja”), një haraç që paguhej me djem të rinj nga shtete të krishterë të Perandorisë. Shumica e djemve regjistroheshin në Korpusin e Jeniçerëve, ushtria e skllevërve-ushtarë që ishin në ballë të pushtimeve osmane.

Haraçi kërkohej jo rregullisht, por në varësi të nevojave që mund të kishte për fuqi punëtore dhe në shënjestër ishin djem të moshës 12-14 vjeç, kryesisht nga Ballkani.

Zyrtarët osmanë mblidhnin të gjithë djemtë në fshat dhe kontrollonin emrat e tyre me regjistrat e pagëzimit nga kishat vendase. Ata pastaj zgjidhnin më të fortët. Djemtë më pas grupoheshin dhe marshonin për në Stamboll, teksa më të dobëtit vdisnin rrugës.

Osmanët prodhonin një përshkrim të detajuar të çdo djali, në mënyrë që ata të gjurmoheshin, nëse arratiseshin.

Në Stamboll djemtë bëheshin synet dhe konvertoheshin me forcë në Islam. Më të pashmit apo inteligjentët dërgoheshin në pallat, ku trajnoheshin për t’u bashkuar me elitën perandorake. Këta djem mund të aspironin për të arritur gradat më të larta dhe shumë u bënë pashallarë ose vezirë.

Pjesa tjetër e djemve u bashkoheshin jeniçerëve. Së pari, ata dërgoheshin për të punuar në një fermë për tetë vjet, ku mësonin turqisht dhe bëheshin më të fortë. Në të njëzetat bëheshin formalisht jeniçerë, ushtarë elitarë të perandorisë dhe i nënshtroheshin disiplinës së hekurt dhe indoktrinimit.

Ka pasur përjashtime për haraçet. Ishte e ndaluar për të marrë fëmijën e vetëm të një familje, apo bijtë e atyre të cilët kishin shërbyer më parë në ushtri. Sistemi i haraçit mori fund në fillim të shekullit të XVIII.