Picasso: Kur pikturoj e tregoj atë që e kam gjetur, jo atë që po kërkoj

“Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente.

Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.
Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij.

Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.

Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.

Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë.

Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt – e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.

Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.”\albertvataj / KultPlus.com

– Pablo Picasso
(Përktheu: Shpëtim Kelmendi)

Edhe një kryevepër e Picassos në ankand

Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh.

Një kryevepër e piktorit të madh spanjoll, Pablo Picasso do të dalë në shitje për herë të parë në një ankand të shtëpisë Sotheby’s me 28 shkurt në Londër. Piktura e njohur si “Gruaja me beretë dhe fustan me kubëza” është prezantuar tashmë në prag të ankandit të madh. Dhe vepra e Picassos pritet që të jetë oferta kryesore e këtij ankandi dhe pritet të shitet miliona dollarë.

James Mackie, drejtor i departamentit për impresionizëm dhe art modern në shtëpinë e ankandeve e përshkoi këtë vepër si kryeveprën më të madhe të vitit 1937 të krijuar në kohën shumë të rëndësishme të zhvillimit të artistit.

“Mendoj se është njëra prej veprave më të mira të vitit 1937 dhe ishte vit i rëndësishëm i karrierës së Picassos. Ishte viti kur ai krijoi edhe Guernican. E kjo është Marie Therese Walter, muza e tij e artë në vite që do të pasonin. Kjo pikturë është bërë me fuqi të jashtëzakonshme” tha ai.

Edhe një vepër tjetër e Picassos, “Le Matador” po ashtu është në shitje në këtë ankand dhe pritet të shitet deri në 18 milionë funta./ KultPlus.com

Del në ankand shtëpia e fundit e jetës së Picassos

Një vilë në bregdetin francez, ku piktori Pablo Picasso kaloi vitet e fundit të jetës së tij do të dalë në ankand të enjten, episodi i radhës në rrugëtimin e pasurive të patundshme që Riviera Franceze ruan me fshehtësi, ku përzihen bukuria, njerëzit e famshëm dhe pasuri të mëdha.

Aktualisht e vlerësuar me 20,2 milionë euro, pronë e Mougins, pranë Kanës u ble në vitin 1961 nga mjeshtri spanjoll, i cili vdiq 12 vite më vonë më 8 prill 1973.

Pas vdekjes së tij, bashkëshortja e fundit Jacqueline Roque jetoi në këtë shtëpi deri në momentin e vetëvrasjes në 1986. Ishte vajza e tij, Catherine Hutin-Blay e lindur nga martesa e parë, e cila trashëgoi shtëpinë më pas e shiti për një shumë rreth 10 milionë euro.

Përpara Pablo Picassos, kjo shtëpi i përkiste familjes Guinness. Winston Churchill qëndronte rregullisht gjatë periudhës së pushimeve. / KultPlus.com