‘Udhëtoni’ në Prizrenin e viteve 50-ta përmes pikturave të mahnitshme të Besim Danjollit

Jeta Zymberi

Përderisa jeni duke shëtitur në qendrën e qytetit të Prizrenit, këto ditë krejt rastësisht keni pasur rastin të shihni po këtë qytet të minimizuar në pikturat e Besim Danjollit përmes të cilave secili mund të bëjë një “udhëtim” në Prizrenin e viteve 50-ta, shkruan KultPlus.

Pikturat të cilat po ekspozoheshin në qendër të qytetit, tërhoqën edhe vëmendjen time, ku e mrekulluar nga ngjyrat e bukuria e tyre, u ndala për t’i soditur nga afër. Por fati tjetër ishte prezenca e piktorit i cili pa hezitim, teksa unë po tregoja interesimin tim për një intervistë së bashku, nisi të më rrëfej për secilën pikturë e historinë që fshihet pas saj.

Qyteti i këtyre pikturave na shpaloste objekte kulturo-historike pa të cilat Prizreni po rrezikon të mbetet dita ditës. Pikërisht këto shkatërrime e ndryshime të qytetit, e kanë shtyrë artistin që përmes pikturës ta ruajë të freskët çdo cep të Prizrenit të vjetër dhe vetë trashëgimin e qytetit, që dikur kishte një qetësi të thellë shpirtërore.

Me ngjyra të ndezura e një freski të jashtëzakonshme, Danjolli na shpalos rrëfime për secilën lagje të vjetër e për jetën e asaj kohe për të cilën ka jo pak nostalgji.

Siç na tregoi vetë piktori, takimi i tij i parë me artin e pikturës ndodhi qysh në klasë të tretë në fillore ku bashkë me nënën e tij arriti të realizojë katër “deneze” me lule e nga ku Danjolli mbeti i mahnitur nga ngjyrat e ndezura e kontrastet të cilat duket se i ka trashëguar nga e ëma. Por, ishte mosha 5 vjeçare kur Danjolli realizoi portretin e shokut të tij dhe udhëtimi në botën e artit vazhdoi rrjedhimisht.

Ky pasion që me kohë u shndërrua në profesion, e bëri piktorin që në letrën e bardhë të vendosë qytete të ndryshme, portrete e gjithçka tjetër që linte mbresë te ai. Por vendlindjen, krejt pavëmendshëm ai kishte harruar ta ngjyrosë me brushën e tij. Një vërejtje nga shoku i tij për këtë “moskujdes” e ngacmoi mendjen dhe shpirtin e Danjollit i cili iu kthye rrënjëve për ta jetësuar vendlindjen në mënyrën më të mirë, atë të viteve 50-ta.

Ngjyrat e ndezura në pikturat e tij tregojnë për gjallërinë e popullatës dhe jetës në këtë qytet.

“Përmes pikturave mundohem të paraqes një qytet plot gjallëri, plot civilizim e që në emër të zhvillimit urban janë degraduar shumë pjesë të qytetit të cilat kanë pasur dhe ende kanë një vlerë shpirtërore poashtu edhe ekonomike në pikëpamjen e turizmit. E disa nga objektet mund të përtërihen në mënyrë që të plotësohen vlerat e qytetit”, vlerëson Danjolli për KultPlus.

Në disa nga pikturat e Danjollit, pasqyrohet edhe jeta e përbashkët e grupeve etnike e fetare në Prizren, të cilat piktori i sheh pasuri të përbashkët të qytetit.

“Paraqitja e etnive të ndryshme të cilat kanë jetuar dhe jetojnë ende sot, unë i shoh si pasuri të përbashkët dhe si shpirt kozmopolit të qytetit të cilat në periudha të ndryshme kanë tentuar të reduktojnë me procese të ndryshme presioni, për “pastrim etnik” dhe përcaktim të kulturës, e që ka rezultuar me represione të ndryshme”, thotë Danjolli.

Qyteti që e frymëzon kaq shumë, dita ditës po shkatërrohet me apo pa dashje, e kjo veç sa po e shtynë edhe më shumë piktorin që këto vlera ti “konservojë” në pikturat e tij.

“E dhimbshme është të shkatërrohen vlerat shumë-shekullore!”

Shumë nga objektet e shkatërruara sot, janë të përfshira në pikturat e Danjollit, e dhimbja e tij për këto objekte që sot nuk janë, përmbushet kur të paktën i takon në veprat e artit.

“Janë aq shumë, jo vetëm objekte, por edhe sheshe dhe tregje, si dhe rendi i dyqaneve dhe shtëpive të cilat janë tretur. Ura e Arastes (ura e dytë e gurit), hanet gjatë bregut të lumit, pastaj restaurimi i keq i hamamit si dhe restaurimi i hamamit të dytë dhe sahat kullës, etj.

Në gjithë koleksionin e tij të pasur është e vështirë të zgjedhësh më të mirën, por për piktorin pamja ku shihet kalaja, xhamia e Sinan Pashës, Kisha Ortodokse Shqiptare, hanet, hambari i drithërave, ura e gurit dhe shtëpitë pranë lumit, është një prej pikturave me një rëndësi të veçantë për vetë faktin se brenda vetes ngërthen histori e objekte tejet të rëndësishme.

Krejt për fund, Danjolli ka treguar që interesimi për këto piktura të cilat janë edhe në shitje, është shumë i madh, por që ai i drejtohet me një kërkesë edhe institucioneve përkatëse për krijimin e një bagazhi të piktorëve në një galeri të artit të cilën deri më tani nuk e kanë. / KultPlus.com

Ismail Lulani, një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar

Janë bërë sot 18 vite nga vdekja e Ismail Lulani, një ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës.

Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Ismail Lulani lindi më 1933 në Tuz, Mal të Zi në moshën 69 vjeçare në qytetin e Shkodrës, Shqipëri. Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1967 mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike ‘Prek Jakova’) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit Shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në krijimtarinë e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, pejzash, portret e natyra të qeta. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë:

  • Në vitin 1979 i jepet titulli “Piktor i Merituar”
  • Në vitin 1989 i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”
  • I është akorduar titulli “Naim Frashri I klasit të Parë”
  • Në vitin 1999 në Biennialen e Romës për Artet Visive merr çmimi i dytë dhe i jepet medalja e argjentë, me tabllon (Ikja në Egjipt)
  • Pas vdekjes, në 70 vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës” i cili iu dorëzua të shoqes së artistit.

Ismail Lulani morri pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si: Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marrë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Lulani vdiq më 6 tetor të 2002 duke mbetur një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar. / KultPlus.com / KultPlus.com

Veprat e Arbnor Karalitit në Artsy.net, tregu më i madh virtual i artit në botë

Artsy është tregu më i madh virtual i artit në botë. Platformë kjo me mbi 1 milion vepra arti nga artistë ikonikë dhe artistë në zhvillim, të prezantuar nga mbi 4000 galeri dhe kompani të larta ankandi në mbi 100 vende te botes.

https://www.artsy.net/search?term=arbnor+karaliti

Instituti Shqiptar në New York i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në Artsy, punës që bënë artisti Arbnor Karaliti.

Instituti Shqiptar në New York është një institucion artistik dhe kulturor që mbështet, prodhon dhe prezanton spektër të plotë të arteve performuese, arteve vizuele dhe kulturës bashkëkohore.

https://www.albanianinstitute.org/artist/arbnor-karaliti/

Arbnor Karaliti (lindur më 1996, Gjilan, Kosovë) është artist vizual që jeton dhe vepron në Prishtinë.

“Si Artist, praktika ime krijuese trajtohet nga piktura në mediumet e reja, për të gjetur dhe formuar një identitet artistik si proces i njohjes së vetvetes përmes artit. Dhe duke e bërë atë, unë besoj se e dimë kush jemi ne. Në këtë kontekst unë përdorë vaj dhe pëlhurë për të komunikuar me publikun nëpërmjet vrojtimit të personazheve të mia, duke bërë një analizë të pozitës së tyre fizike e subjektit shpirtërore, si metafizike për ekzistencën në hapësirë dhe kohë për shkakun dhe efektin e tyre”, thotë Karaliti për KultPlus.

Puna e tij është e ndikuar nga përvojat personale, problemet ekzistenciale siç janë izolimi ose tabu të ndryshme. Ndërsa, mënyra e tij teknike e të punuarit është e ndarë në faza si në pikturë ashtu edhe në mediat e reja.

“Në pikturë fillimisht skicoj me një vijë të kuqe e cila më ndihmon të vendosë subjektin tim nëpërmjet personazhit dhe të ndajë planet nga prapavija. Kështu duke përdorur vaj e terpentinë, vazhdoj të ripikturoj gjithë hapësirën si një lloj gdhendje derisa të arrij tek faza finale e karakterit dhe gjërave tjera.”

“Kurse tek mediet e reja, zgjedhë fillimisht problemin e pastaj gjatë procesit të hulumtimit, vendosë për mediumin të cilin përdorë, si instalacion, video apo materiale të gatshme, të cilat i përshtaten hapësirës ekspozuese dhe transmetojnë më së miri atë përvojë time personale si rezultat i reagimeve drejt marrëdhënieve shoqërore.”

Arbnori fëmijërinë e kaloi në një fshat mes maleve, të quajtur Zllatar. Ai ndjeki Gjimnazin për Matematikë dhe Informatikë në “Kuvendi i Arbërit” Ferizaj. Në vitin 2019 përfundoi studimet për Pikturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. / KultPlus.com

Helmeta dhe shpata e Skënderbeut, inspirim për piktorin Gazmend Freitag

Në vitin 2014 piktori Gazmend Freitag ka vizituar armët e Skënderbeut në muzeun historik në Vjenë. Kur e pa helmetën dhe shpatën e Skënderbeut e përshkroi një rrëqethje e madhe dhe e gjatë në tërë trupin, shkruan KultPlus.

“Ishte një ndjenjë lumturie e pa përjetuar kurrë më parë, para ndonjë objekti apo elementi kombëtarë. M’u duk sikur e takova vet Skënderbeun! Ishte një takim imi me Skënderbeun pas 500 vjetësh”, pohon piktori.

Pas këtij takimi shpirtëror në të u pasqyrua një frymëzim i madh për t’i pikturuar armët e tij.

“Nga fotot e bëra, që i shikoja gjithmonë,  ku dy vjet më vonë, pra në janar të vitit 2017, fillova të pikturoj me vaj që edhe zgjati gjysmë viti. Përgjatë procesit të pikturimit të armëve të Skënderbeut kam qenë i përmbushur me atë energjinë pozitive që morra nga vizita që isha në muzeum, ku qëndrova me orë të tëra.

Më preokupon edhe sot për pasardhësit e tij, kush janë dhe kah janë të shpërndarë nëpër botë”, thotë artisti.

Ai tutje pohon se është shumë i lidhur shpirtërisht me heroin tonë legjendar Skënderbeun, po ashtu edhe me shumë figura tjera kombëtare e që janë inspirim për punën që ai bën.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve, i këtij populli të lashtë dhe me histori shumë të veçantë, është figura më e madhe, është figura me të cilën identifikohen shqiptarët, është figura që i bën krenar, që i frymëzon në të gjitha fushat, pra edhe në art. Gjatë pesë shekujve, Skënderbeu ka qenë gjithmonë figura që i ka bërë bashkë shqiptarët, që i ka frymëzuar me atdhedashuri, me vullnet dhe me përkushtim për t’u bashkuar, sepse, siç thoshte edhe vetë Skënderbeu, të bashkuar bëhemi më të forte”, thotë për fund Gazmend Freitag. / KultPlus.com

Piktori shqiptar dhuron dy vepra të tij për një spital në Greqi

Piktori shqiptar Kristo Dëfrim Hasa, ka vendosur që dy piktura të tij t’ia dhurojë spitalit të qytetit Amaliada të Greqisë, ku jeton prej 30 vitesh.

Hasa e ka cilësuar këtë si një gjest simbolik sipas tij, për të dhënë një kontribut në këto ditë të vështira sidomos për sistemin shëndetësor.

Piktori është shprehur se i ka ngelur në mendje një shprehje e presidentit amerikan John F. Kennedy e cila thotë, “mos shiko çfarë bën atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun” dhe sipas mundësive të tij modeste ka dhuruar dy punimet që do të vendosen në pavijonin e ri.

Më përpara Hasa ka dhuruar punime të tij në spitalin e Gramshit, qytet ku kishte planifikuar të hapte dhe një ekspozitë me punimet e tij, së shpejti.

Gjatë ceremonisë së mbajtur me këtë rast drejtoresha e spitali të Amaladias, Irini Aggelaku e ka falenderuar piktorin shqiptar për dhuratën e tij.

Gjesti i piktorit shqiptar është pasqyruar edhe në mediet lokale greke./ atsh/ KultPlus.com

19 vjet nga ikja në amshim e piktorit të shquar, Fatmir Haxhiu

Fatmir Haxhiu është njëri ndër piktorët më të shquar shqiptar, shkruan KultPlus.

Ai lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku piktori do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.

Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.

Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Haxhiu është aktiv me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”, po ashtu krijon shumë ilustrime me emocion dramatik.

Gjatë karrierës së tij të pasur, Haxhiu, nderohet me shumë cmime të rëndësishme, përfshirë Çmimin e Republikës së shkallës së parë dhe të tretë. Gjithashtu atij iu ndanë titujt e lartë “Piktor i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”

E, veprat e tij u bënë popullore pasi që ai i botoi ato nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera. /KultPlus.com