Promovohet libri ‘Kosova-histori e shkurtër’ në Podujevë

Shteti i Kosovës riktheu barasphën e rrënuar të historisë shqiptare që vendosi Konferenca e Londrës.

Promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” u prit me interesim në Podujevë. Në bibliotekën e qytetit ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Shpëtim Bulliqi, të cilit, autori ia dhuroi librin bashkë me “Kosovën” në tre vëllime në anglisht. Pjesë e këtij promovimi ishte edhe prezantimi i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” (botimi i plotësuar), që këto ditë doli nga shtypi, me ç’rast, nga donatori, farmacisti Milaim Abdullahu, iu dhura një pjesë e tirazhit Bibliotekës së qytetit dhe të pranishmëve.

Redaktori dhe botuesi i librit Nazmi Rrahmani, veprën “Kosova – histori e shkurtër” e quajti sintezë të Kosovës në tetë vëllime, e cila në aspektin praktik dhe shkencor, paraqet vazhdimësinë e punës së tij për shkrimin e një historie autoriale jashtë koncepteve ideologjike dhe limiteve që historiografisë shqiptare i vinë nga historiogrefia e Beogradit. Vepra e Buxhovit, theksoi Rrahmani, është e një rëndësie të veçantë, meqë ka vendosur disa standarde të natyrës shqyrtuese dhe rishqyrtuese, veçmas që lidhen me lashtësinë pellazge, rolin e mbretërisë së Dardanisë dhe të Maqedonisë në antikitet si shtylla të saj dhe të tjera të anashkaluara ose të injoruara për interesa të ndryshme politike, që doemos historiografia shqiptare duhet t’i përfill, pa marrë parasysh sjelljen e pakuptueshme “inerte” ndaj saj. Këtë e bën të domosdoshme edhe fakti se, në saje të kësaj vepre dhe depërtimit në qendra të rëndësishme shkencore dhe universitare botërore, tashmë kanë filluar të përfillen nga jashtë dhe të thyejnë gënjeshtrat dhe falsifikimet tjera për shqiptarët nga historiogrfia serbe.

Në fjalën e rastit, autori, pos tjerash u ndal edhe te viti 1913 si dhe mosmarrëveshjet shqiptare të natyrës politike dhe diplomatike me shtetin për afër një shekull që në njëfarë formë vazhdojnë edhe në kohën tonë në raport me dy shtetet shqiptare. Natyrisht se kjo (mos)marrëveshje me shtetin ose së voni edhe me dy shtetet shqiptare lidhet me raportet antihistorike që krijoi Konferenca e Londrës kur krijimi i shtetit të përgjysmuar shqiptarë dhe lënia e trungut të saj jashtë, qendrën historike (Kosovën dhe Maqedoninë bashkë me Epirin) e kthyen në periferi, ndërsa mbetjen tjetër e kthyen në qendër. Këtë realitet me pasoja tragjike për popullatën etnike shqiptare që u shkëput nga tërësia, e cila iu nënshtrua programeve të njohura hegjemoniste nga Beogradi dhe Athina për asimilimin ose rrënimin e strukturës etnike nëpërmes shpronësimeve, shpërnguljeve dhe masave të tjera të etnocideve, kulturocideve e deri te gjenocidet, megjithatë e ndërpreu krijimi i shtetit të Kosovës në vitin 2008, i pranuar ndërkombëtarisht, që njëherësh riktheu baraspeshën e rrënuar të historisë shqiptare që vendosi konferenca e Londrës, zhvillim ky që sipas autorit paraqet të arriturën më të madhe të këtij shekulli. Kështu që, sot dy shtete shqiptare në Ballkan (Shqipëria dhe Kosovë), në njëfarë mënyre korrigjuan padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve nga Kriza Lindore e këndej kur hapësira etnike e tyre nën Perandorinë Osmane zuri të bëhet pre e vendeve fqinje (Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë).

Sipas autorit, vendosja e baraspeshës historike shqiptare me krijimin e dy shteteve shqiptare, nuk ka zhvendosur sa duhet dhe si duhet pasojat e mentaliteteve midis “periferisë si qendër dhe qendrës si periferi”, ngaqë logjika e bashkimit kombëtar, si kundërpërgjigje Shqipërisë londineze, mbetet në kornizat ideologjike të shekullit të kaluar, pra te fokusimi te një shtet i përbashkët shqiptar,jashtë realiteteve politike, diplomatike në kuadër të rrethanave gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Natyrisht se diskursi i historiografisë institucionale nga Shqipëria, i vendosur mbi kornizat e njohura ideologjike të shtetit komunist si dhe diktati i historiografisë serbo-ruse që ushtrohet sot e gjithëditën te një pjesë e historianëve shqiptarë, ka ndikuar që realitetet londineze të përkthehen “në fakte historike” mbi logjikën shtetërore, me ç’rast, nga historia shqiptare është përjashtuar pjesa më e madhe e trungut (Maqedonia antike, Epiri), ndërsa është minimizuar deri në absurditet Dardania si qendër e antikitetit. Ky shtrembërim antihistorik ka ushqyer edhe reaksionin në formën e parullës “Kosova është Shqipëri”, që si kundër reaksion do të duhej të kishte paradigmën “Shqipëria është Kosovës”, me çka jo vetëm që do të neutralizohej anatema e të ashtuquajturës “Shqipëri e madhe” me konotacione të dëmshme politike, por do të krijohej edhe pamja e drejtë dhe e plotë e historisë shqiptare nga lashtësia si një tërësi, ku Dardania, Maqedonia, Epiri dhe pjesët tjera të Ilirikut, krijojnë trungun etnik, shoqëror-politik dhe kulturor, në vend se të amputohen prej saj pjesët kryesore, siç është vepruar nga historiografia institucionale e shtetit shqiptar, së cilës autori thekson, se i është kundërpërgjigjur me “Kosovën” në tetë vëllime dhe si e tillë, e përkthyer në anglisht në SHBA, e futur si literaturë në universitetet amerikane dhe të shumë vendeve të botës, paraqet pamjen e një Shqipërie të natyrshme, ku Kosova (Dardania) shfaqen si epiqendër e saj.

Por, sipas, autorit, krijimi i shtetit të Kosovës si projekt perëndimor, që njëherësh riktheu baraspeshën e rrënuar shqiptare nga Konferenca e Londrës, nuk ia ka dalë sa duhet të korrigjojë edhe pikëpamjet antihistorike midis realiteteve të reja shtetërore shqiptare. Kështu që, këtu zë fill edhe ai moskuptimi tjetër absurd i shqiptarëve me shtetin shqiptar në dëm të shteteve shqiptare, gjë që viteve të fundit, u pasqyrua këtyre me prapaskenat kundër shtetit të Kosovës, që u zhvilluan në trekëndëshin Beograd-Tiranë-Prishtinë, nga elita të caktuara politike te të tri vendeve, që për moto kishin gjoja “normalizimin e raporteve historike shqiptaro-serbe”, e që në të vërtetë hapnin një pazar në dëm të shtetit të Kosovës, ku arnimet dhe çarrnimet e territoreve (si shkëmbime, korrigjime e të ndryshme), hapnin mundësi për krijimin e Serbisë së Madhe! / KultPlus.com

Gjobitet kryesindikalisti për organizimin e protestës ku u kërkua lirimi i mjekut Hoti

Kryetari i Sindikatës së Qendrës Kryesore Familjare të Podujevës, Sheqir Maliqi, është gjobitur me 200 euro për organizim të protestës në kohë pandemie nga Inspektorati Sanitar dhe 100 nga Policia e Kosovës.

Në mëngjesin e së premtes, punëtorët shëndetësorë protestuan kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime dy personave pas orarit të punës.

Ata kanë marshuar edhe para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.

Gjatë këtyre aktiviteteve, nuk janë ofruar shërbime shëndetësore. / Koha.net / KultPlus.com

Protestojnë mjekët në Podujevë për doktorin që se trajtoi pacientin, kërkojnë lirimin e tij

Punëtorët shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë protestuar kundër suspendimit dhe arrestimit të pulmologut Ibrahim Hoti, i cili kishte refuzuar t’u ofrojë shërbime dy të moshuarve pas orarit të punës.

Ata kanë filluar protestën para QKMF-së, ndërsa kanë marshuar fillimisht para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Podujevë.

Të njëjtit kërkojnë lirimin e pulmologut Ibrahim Hoti, pasi ai është arrestuar mbrëmë pasi kishte refuzuar të trajtoi një pacient duke përdorur edhe gjuhë të vrazhdë.

“Deri në lirimin e dr. Ibrahim Hoti. Nuk lëvizim nga kërkesa jonë”, ka shkruar njëri nga kolegët e Hotit në facebook.” / KultPlus.com

MKRS-ja me investime të shumta në Komunën e Podujevës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar Komunën e Podujevës me qëllim të përurimit të fushës multifunksionale sportive në Kërpimeh, ku Ministria ka investuar 25 mijë euro dhe të nisjes së punimeve për fushën tjetër multifunksionale sportive në Siboc të Podujevës, projekt të cilin e investon vet komuna.

Po ashtu, ministrja vizitoi edhe stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti”, në Podujevë, në të cilin janë duke u zhvilluar punimet e fazës së dytë dhe ministria po investon 750 mijë euro. Kurse në fazën e tretë do të investohen edhe 1 milion euro dhe fusha e stadiumit do të bëhet me bari natyral ashtu edhe siç kërkohet sipas standardeve. Në projektin e investimeve në këtë stadium janë paraparë edhe rregullimi i tribunave dhe ndriçimit, ndër shumë detaje tjera.

Ministrja Dumoshi me këtë rast vlerësoi se MKRS-ja e ka përkushtimin për zhvillimin e sportit ku përfitues në rend të parë janë të rinjtë, sportistët aktiv dhe qytetarët e komunitetit të kësaj rrethine.

“Përkushtimi im si ministre do të vazhdojë do jetë në secilën komunë, në çdo cep të Kosovës, për avancimin e sportit, por edhe në kulturë e në rini. Kjo është vizita ime e katërt në komunën e Podujevës me qëllim të fillimit, inspektimit dhe përurimit të shumë projekteve sportive”, tha ndër të tjera ministrja.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ashtu siç ka bashkëpunim të shkëlqyer me Komunën e Podujevës, një bashkëpunim të tillë e ka me të gjitha komunat e Kosovës pa përjashtim, në shumë projekte në fushat në të cilat janë në domenin e MKRS-së.

Ndërkaq, u.d. kryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se këto projekte sportive janë në interes të qytetarëve të këtyre lokaliteteve dhe do të plotësojnë hapësirat e munguara për aktivitete sportive.

Rudari e falënderoi ministren dhe MKRS-në për tërë përkrahjen që ka treguar ministria për realizimin e projekteve të ndryshme, e këtyre në Kërpimeh e Siboc, dhe në stadiumin e qytetit në veçanti./ KultPlus.com

Rrugës së rrezikshme malore për t’u shkolluar

Aurela dhe Melesa Feta, nxënëse të klasës së tretë nga Penuha e Podujevës, bëjnë çdo ditë nga 30 minuta këmbë për të ndjekur mësimet në fshatin Buricë.

Këto 9-vjeçare nuk e kanë pasur fatin të kenë shkollë në fshatin e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, janë të detyruara të ecin malit për të vijuar shkollimin.

Rreziku më i madh për to dhe 40 nxënës të tjerë të Penuhës shfaqet gjatë stinës së dimrit, kur shpeshherë gjatë rrugës u shfaqen qen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dëshira më e madhe për këta nxënës është ndërtimi i një shkolle në fshatin e tyre. Aktualisht zgjidhje të domosdoshme e shohin rregullimin e rrugës dhe sigurimin e transportit për në fshatin fqinj.

“Unë dhe vajza e axhës, Aurela, në ora 08:15 nisemi për në shkollë, kurse në ora 09:00 e fillojmë mësimin. Çdoherë udhëtojmë këmbë. Bëhemi bashkë edhe me fëmijët e tjerë dhe nisemi për në shkollë, sepse kur jemi më pak frikësohemi ”, thotë Melesa.

Rruga përmes malit

Rreth 30 minuta deri në fshatin Buricë i bën çdo ditë edhe Elina Zhdrella, nxënëse e klasës së shtatë. Ajo tregon se në raste të rralla, kur prindi i saj ka mundësi, e dërgon me veturë, por në shumicën e herëve ajo duhet të shkojë në këmbë.

Me veturë nga Penuha në Buricë bëjnë disa minuta, sepse duhet të kalohen disa fshatra. Kjo, meqë rruga përmes malit është e pakalueshme për vetura.

“Me shku me veturë duhet me u sillë rreth e rreth, sepse këndej kah shkojmë këmbë është problem pasi rruga është shumë e keqe e nuk del kerri. Jemi të detyruar të shkojmë këmbë, sepse nuk kemi tjetër zgjidhje. Dimrit frikësohemi shumë, sepse shpesh na dalin qen”, rrëfen Zhdrella./ KultPlus.com