Edgar Allan Poe, poeti i tmerrit

Edgar Allan Poe, një shkrimtar, poet, e kritik amerikan i tregimeve të shkurtra, i cili është i famshëm për misteret dhe ngjarjet e tmerrshme që krijon në shkrimet e tij.

Trillimi i tij “Vrasjet në Rrugën e Morgut” nisi historinë moderne detektive dhe atmosfera në trillimet e tij të tmerrit është e pakonkurueshme në trillimet amerikane. “Korbi” i tij numërohet ndër poezitë më të njohura në letërsinë kombëtare.

Kontributi më i dukshëm i Poes në letërsinë botërore rrjedh nga metoda analitike që ai praktikoi si autor krijues, ashtu edhe si kritik i veprave të bashkëkohësve të tij.

Synimi i tij i vetëdeklaruar ishte të formulonte ideale rreptësisht artistike në një mjedis që ai mendonte se kishte të bënte tepër me vlerën utilitare të letërsisë, një tendencë që ai e quajti “herezi e Didaktikës”.

Ndërsa pozicioni i Poe-s përfshin kushtet kryesore të estetizmit të pastër, theksi i tij mbi formalizmin letrar ishte i lidhur drejtpërdrejt me idealet e tij filozofike, përmes përdorimit të llogaritur të gjuhës mund të shprehet, edhe pse gjithmonë në mënyrë të papërsosur, një vizion i së vërtetës dhe kushtit thelbësor të ekzistencës njerëzore.

Ndërsa Poe kujtohet më shpesh për trillimet e tij të shkurtra, dashuria e tij e parë si shkrimtar ishte poezia, të cilën ai filloi ta shkruante gjatë adoleshencës së tij.

Vargu i tij i hershëm pasqyron ndikimin e romantikëve të tillë anglezë si Lord Bajroni, John Keats dhe Percy Bysshe Shelley, megjithatë paralajmëron poezinë e tij të mëvonshme e cila demonstron një vështrim subjektiv dhe vizion surrealist, mistik. “Tamerlane” dhe “Al Aaraaf” ilustrojnë evolucionin e Poe nga portretizimi i heronjve bajronikë në përshkrimin e udhëtimeve brenda imagjinatës dhe nënvetëdijes së tij.

Në poezi të tjera “Për Helenën”, “Lenore” dhe “Korbi” në veçanti vëzhgojnë humbjen e bukurisë ideale dhe vështirësinë për ta rimarrë atë.

Këto pjesë zakonisht rrëfehen nga një i ri i cili vajton për vdekjen e parakohshme të të dashurës së tij. “Helen” është një lirikë me tri strofa që është quajtur një nga poezitë më të bukura të dashurisë në gjuhën angleze.

Në “Lenore” paraqet mënyrën se si të vdekurit mbahen mend më mirë, ose duke mbajtur zi ose duke festuar jetën përtej kufijve tokësorë.

Në “Korbi”, Poe bashkon me sukses idealet e tij filozofike dhe estetike. Në këtë pjesë psikologjike, një studiues i ri torturohet emocionalisht nga përsëritja ogurzezë e korbit “kurrë më”.

Charles Baudelaire, poeti francez që përktheu veprat e Poe,  vuri në dukje poezinë e tij “Korbi” duke e cilësuar si me të vërtetë poemën e pagjumësisë së dëshpërimit, që nuk i mungon asgjë, as ethet e ideve, as dhuna e ngjyrave, as arsyetimi i sëmurë, as terrori nxitës, madje as lavdia e çuditshme e vuajtjeve që e bën atë më të tmerrshme.

‘U çudita fort, pa masë

Kur dëgjova Korb të flas

Ndonëse ajo përgjigjie

S’ kishte as kuptim as lidhje;

Se asnjë s’ munt të më thotë

Që nonjë njeri në botë

Gjer tani ka parë shpendë

Mun mi derë t’ odës tij,

Shpend’ a shtazë mi statujë

Mun mi dere t’ odës tij,

T’ emëruar “Kurrë më.”

Ndërsa veprat e tij nuk u vlerësuan në mënyrë të dukshme gjatë jetës së tij, Poe fitoi respektin e duhur si një shkrimtar i talentuar i trillimeve, poet dhe herë pas here ai arrinte një masë të suksesit popullor, veçanërisht pas botimit të “Korbit”.

Identifikimi i Poe me vrasësit dhe të çmendurit e veprave të tij mbijetoi dhe lulëzoi në shekullin e XX-të, në mënyrë të dukshme në formën e studimeve psikoanalitike si ato të Marie Bonaparte dhe Joseph Wood Krutch.

Sot, Poe njihet si një nga paraardhësit kryesorë të letërsisë moderne, si në format e tij, të tilla si trillimet detektive, ashtu edhe në format më komplekse dhe të vetëdijshme, të cilat përfaqësojnë mënyrën thelbësore artistike të shekullit të XX-të. / cbc.al / KultPlus.com