Poetja shqiptare Irma Kurti fituese e konkursit “Universum Academy” në Zvicër

Poetja shqiptare, Irma Kurti është vlerësuar me çmim të parë në Konkursin Ndërkombëtar “Universum Academy” në Zvicër në seksionin e poezisë së botuar.

Ajo konkuroi me librin me poezi në gjuhën italiane: “In una stanza con i ricordi” (Në një dhomë me kujtimet), i botuar në vitin 2019 nga Pedrazzi Editore.

Lajmin e bëri të ditur vetë poetja, përmes një postimi në llogarinë e saj personale në rrjetin social Facebook, ku u shpreh mjaft e gëzuar për marrjen e këtij çmimi.

“Jam e gëzuar për marrjen e këtij çmimi jo vetëm pse është një vlerësim për krijimtarinë time” thotë ajo, “po edhe pse isha e pranishme në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve, që ndonëse me vonesë, për arsye të pandemisë, u organizua në Montesilvano, Pescara, pak ditë më parë. Këtë çmim ia dedikoj prindërve të mi, Hasan e Sherife Kurti për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë në çdo hap të rrugëtimit të gjatë letrar, por gjithashtu të gjithë dashamirësve, që më ndjekin e më inkurajojnë në këtë udhëtim të bukur e të vështirë”, shprehet Kurti në postimin e saj në Facebook.

Irma Kurti ka botuar 20 libra në gjuhën shqipe 12 libra në italisht, ndër të cilat poezi, tregime e romane. Librat e saj janë përkthyer dhe në gjuhën angleze, spanjolle, rumune etj. / KultPlus.com

Ndërroi jetë poetja e famshme irlandeze, Eavan Boland

Dje pasdite ndërroi jetë poetesha e njohur irlandeze, Eavan Boland, në moshën 75-vjeçare.

Boland, e cila vdiq nga një atak kardiak në shtëpinë e saj në Dublin, ka qenë edhe  profesoreshë në Universitetin e Stanfordit në SHBA.

Ajo ishte anëtare e Akademisë Mbretërore të Irlandës.

E lindur në Dublin në 1944, Boland ishte pioniere e këtij arti në ishull.

Poezia e saj dokumentoi jetën e grave irlandeze përgjatë historisë.

Ajo shkroi për konfliktin në Irlandën e Veriut te ”The War Horse” (1975) dhe gjithashtu pavdekshmërinë e tragjedisë së urisë në Irlandëe e viteve 1840 në poezinë e saj “Quarantine”.

Poezia e saj u mësua në shkollat ​​irlandeze dhe ishte edhe pjesë e provimeve.

Librat e saj të fundit ishin “New Collected Poems” (2013) dhe “A Woman without a Country” (2014).

“Fillova të shkruaja në një Irlandë ku fjalët ‘grua’ dhe fjala ‘poet’ dukej se ishin në një lloj kundërshtimi magnetik me njëra-tjetrën”, ka thënë dikur Boland. /KultPlus.com