Diskutim mbi librin ditar e poezi të Drita Çomos, poetes së përndjekur që në moshën 16-vjeçare

Në muajin e Gruas, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, diskutoi në Klubin e Librit – Mësojmë nga e kaluara, librin ditar e poezi, “Dritë që vjen nga humnera” të  Drita Çomos, si dhe zbuloi për herë të parë për publikun pjesë nga dosja e survejimit që Ish-Sigurimi i Shtetit nisi ndaj gjimnazistes 16-vjeçare.

Drita Çomo u lind në Tiranë në 19 mars të vitit 1958. Në nëntor 1960, në moshën dyvjeçare, u internua, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishova dhe dënimit të të atit, Maqo Çomo dy ish-funksionarë të pushtetit komunist, të cilët si shumë të tjerë, i përndoqi lufta e brendshme partiake.

Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi u internua në Cërrik, ku dhe mbaroi shkollën e mesme, por për shkak të sëmundjes së rëndë dhe të keqdashjes, nuk arriti të kryente maturën.

Vdiq fill e vetme në moshë fare të re, më 19 shkurt 1981, në Spitalin Onkologjik të Tiranës, ku as në grahmat e fundit nuk iu lejua që të kishte pranë të ëmën. Ajo la të shkruar një ditar, i cili është dëshmi për ngjarjet e ndodhura në izolim si dhe dhjetëra poema e poezi të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe shprese, të cilat u bënë pjesë e diskutimeve në Klubin e Librit, mbajtur në praninë e profesorëve dhe mësuesve të historisë, gjuhës dhe letërsisë, mikes së saj të rinisë, aktores së mirënjohur Rajmonda Bulku dhe vëllait të saj, Petrit Çomo.

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula tha me këtë rast se: “Libri që la pas Drita Çomo dhe dosja e survejimit që hapet për herë të parë, për studiuesit, me lejen e familjarëve,  vjen në përkujtim të 8 Marsit për të nderuar përpjekjet e vajzave dhe grave në komunizëm.

Klubi i librit targeton mësuesit dhe mundohet që përmes memuaristikës dhe lidhjes me dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit t’i japim mësuesve jo vetëm fakte historike, por edhe kontekst, përjetim, për t’u hedhur në një platformë për diskutim.

Libri i Drita Çomos është si ajo lulja që do ta këpusësh, po mbas asaj luleje na dalin rrënjë të thella e të thella, për fatin e historisë së saj, raportet që ajo krijoi me njerëzit, shpresa e saj për të jetuar, fati tragjik i dy prindërve që ëndërruan një ëndërr të bukur, por që për fatin e keq nuk rezultoi aq e bukur, por edhe i bëri viktimë. Le të urojmë që kohë të tilla mos të përsëriten më”.

Aktivitetit vijoi nën moderimin e Prof. Dr. Aljula Jubani, e cila tha se : “çdo rast i veçantë që na krijon mundësinë të njohim mendje të kthjellta dhe shpirtra të epërm, si Drita Çomo, është jo vetëm shërbim për të njohur të vërtetën e një jete, por për të ndriçuar sot të rinjtë, me modelet më të mira njerëzore, që nga terri më i madh të kohës na ndrijnë edhe sot”.

Dr Edlir Orhani nga  AIDSSH bëri një paraqitje të gjetjeve arkivore nga dosja  e përndjekjes së hartuar nga Ish-Sigurimi i Shtetit, si dhe disa  momente nga dosja e krijuar mbi nënën e saj Liri Belishova.

“Dosja është hapur kur ajo kishte mbushur 16 vjeç dhe vazhdonte vitin e dytë të gjimnazit në qytetin e Cërrikut ku ajo banonte e internuar me të ëmën Liri Belishova dhe të vëllain, Petrit Çomo. Dosja nis me një shënim të operativit të sektorit të hekurudhës Fier-Ballsh, ku gjimnazi i saj  mori pjesë në aksionin për ndërtimin e hekurudhës në periudhën qershor 1974.

Survejimi i famijes dhe të dhënat me Teknikë Operative (përgjim të bisedave nëne e bijë në shtëpi) ishin të mjaftueshme, sipas sigurimit që Drita Çomo të vendosej në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë. Ndaj saj u hartua dhe miratua edhe plani i masave agjenturalo-operative”, ku në bashkëpunin përfshiheshin edhe nxënës të klasës së saj, të cilët raportonin për mendimet jashtë klisheve ideologjike dhe referatet që Drita krijonte sipas temave të orës së letërssië, apo edhe të fizikës. Në datën 1.4.1977 merret vendimi për arkivimin e dosjes 2A për shkak të sëmundjes. Por përsëri tre vjet më vonë ndërsa lëngonte në shtratin e vdekjes në 30.11.1980 jepet vendimi për ta marrë në përpunim 2B me asyen se shfaq tendencën “për agjitacion e propagandë armiqësore, për drejtimin antiparti duke marrë masa për kontrollin e saj.” Me vdekjen e saj dosja arkivohet në datën 18.3.1983.”

MSc Elona Baçi, AIDSSH, në prezantimin e saj solli një qasje mes librit dhe dokumenteve arkivore duke theksuar se : “Duke evidentuar faktet, duke vendosur përballë kujtimeve të saj dhe dokumentat arkivore të kohës, ne thellohemi tek e vërteta dhe iu kudërvihemi faktet të rreme, që ndërtoi regjimi diktatorial mbi të ashtuquajturit armiq. Faktet që nuk plotësohen nga dokumentet arkivore, plotësohen nga dëshmia e Dritës në ditarin e botuar, ku mekanizmi i Sigurimit të Shtetit shfaq natyrën e tij të vërtetë, -siç thotë edhe Kadare – egërsinë e tejskajshme, egërsinë e errësirës, mungesë mëshire”.

Petrit Çomo, vëllai i Drita Çomos solli disa dëshmi nga jeta në internim dhe vitet e kaluara me Dritën. “Mua më vjen mirë që ajo kujtohet edhe pse vdiq e re. Ajo la pas këto krijime që e kthyen historinë e saj në qëndër të vëmendjes dhe uroj që edhe për të tjerë, si ajo që nuk patën fat të realizoheshin për shkak të pengesave ideologjike të ketë sa më shumë ngjarje të tilla kujtese.”

Rajmonda Bulku, aktorja e njohur dhe e dashur për publikun, shoqe e rinisë së Drita Çomos, risolli për të pranishmit kujtimet dhe mbresa nga shoqëria e saj: “Drita sa jetë të shkurtër pati po aq edhe jehonë. Në atë kohë,  akoma nuk kishin ardhur vitet 90, ajo ishte një zë i fuqishëm në atë kohë, ajo ishte fuqishëm në atë qytet, ishte fuqishëm në shoqëri , ajo ishte fuqishëm në kujtimet tona. Ishte shumë intelektuale, shumë e kulturuar, ne merrnim dhe jepnim libra. Burrneshë, fliste hapur. Ka bërë veprime shumë të guximshme. Kemi qenë njëherë në një aksion në Fier. Ishim 15 vjeç dhe kishim 2 djem të një ruseje, babin të futur në burg, inxhinier. Dhe ai kishte vajtur të takonte babin e tij në burgun e Ballshit që ishte afër se aty po bënim dhe ne. I bënë një mbledhje të tmerrshme atje atij djali, e persekutuan, ne që rrinim të gjithë. Si vajte ti te armiku në burg? Vetëm Drita guxoi, nga ne, që në atë kohë nuk mund të të mbronte një njeri që ishte  persekutuar vetë sepse rrënohej fare. Dhe vetëm ajo guxoi. Dhe i tha atyre thjesht me atë mençurinë e vet dhe thjeshtësinë : Çfarë ka bërë Aliosha sepse ka vajtur të takojë babanë në burg, babanë e tij”.

Dr Migena Kapllani, mësuese në shkollën “Konstantin Kristoforidhi”, Elbasan, solli një refleksion për poezinë- mesazh të Çomos “Po mësoj të jetoj për ata që do të vijnë”.

Prof. asoc Dr Andi Pinari , Fakulteti i Historisë, Tiranë foli mbi rëndësinë që ka memuaristika në edukimin të rinjve me respekt për identitetin dhe historinë kombëtare. “Ajo e bën më të lehtë përpunimin e informacionit nga studentët ashtu sikurse na tregon edhe detaje të cilat përgjithësisht librat e historisë së përgjithshme nuk i përmbahen, por edhe lidhjen si të thuash personin me historinë personale. Historitë personale me historinë e madhe kolektive. Kështu që besoj se janë gjithmonë një burim i mirë edhe frymëzimi për tu studiuar më thellë, por edhe informacioni që pastaj mund t’i vishet historisë së madhe së përgjithshme.”

Autoriteti po punon me libra memuarë dhe historik që prekin ngjarje të patrajtuara të periudhës 1994-1991, me qëllim që programi i KLUBI I LIBRIT-“Mësojmë nga e kaluara” të shtrihet gjerësisht te mësuesit dhe nxënësit e arsimit parauniversitar./atsh/KultPlus.com

Shtëpia Botuese ‘Drita’ prezanton botimet e vitit 2023 në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’

Mbrëmjen e 22 shkurtit, në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’ që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza ne Prishtinë, Shtepia Botuese ‘Drita’ prezantoi botimet e vitit 2023, shkruan KultPlus.

Në ambientet e ngrohta të bibliotekës ‘Ernest Koliqi’ i pari fjalën e mori Don Fatmir Koliqi i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen.

“Më lejoni që si përgjejës i Shtëpisë Botuese ‘Drita’ të bëj një prezantim të shkurtër  të ‘Dritës’. Shtëpia jonë botuese është organi i ipeshkvisë sonë, e cila që nga vitet e 90-ta, ka filluar të botojë libra, kryesisht nga lëmi i shkencave humane, botime të kulturës shqiptare dhe kulturës së krishterë ndër ne. Ajo që në fillimet e saja, së pari si revistë e më vonë edhe si shtëpi botuese ka si moto ‘Drita lufton kundër errësirës kur ndriçon’. Botimet janë të ndara në seri botimesh, që aktualisht janë 11 seri. Ajo ndër vite i ka rifreskuar këto seri, disa prej tyre i ka bashkuar apo shkrirë e disa i ka krijuar të reja. Prej këtyre serive janë botuar 148 tituj’, u shpreh Koliqi.

Shtëpia botuese Drita, vitin e kaluar, në bashkëpunim me shtëpinë botuese ‘Alfabet’ Ka botuar njërën ndër librat me vepra të shekullit njëzet: Hyrje në Krishterim, të gjitha krahasitë. Për të folur për këtë libër, i pranjishëm në këtë panel ishte pronari i shtëpisë botuese ‘Alfabet’, Krisë Shkrupi.

“Kjo vepër ka mbetë si doracak kryesor për këtë landë që është shumë e rëndësishme për me e lidhë filozofinë me teologjinë dhe mbetet e tillë si vepër. Është shumë mirë e shkruar, shumë mirë e strukturuar, shumë mirë janë sqaruar dhe shpeshherë me aq kollajtësi termet ose temat, të cilat janë shumë të vështira të teologjisë ose të filozofisë, saqë është për mahnitj edhe për këtë arsye e kam shumë përcjellë, për këtë arsye e kam vendosur që kjo vepër më vonë më u përkthye në gjuhën shqipe”, tha para të pranishmëve Krisë Shkupi.

Shtëpia Botuese ‘Drita’, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në shkup kanë botuar librin e Don Lush Gjergjit ‘Nënë Tereza, dashuria në veprim’, në tri gjuhë. Për këtë vepër, i ftuar të flaës në këtë panel ishte drejtori i institutit, Skender Hasani.

“Ky libër në mënyrë shkencore i argumenton prezencën iliro-arbëroro-shqiptare në këto treva dhe sidomos të Shkupit. Dhe ne po mundohemi që ky liber të jetë edhe vëllimi i parë i historisë së shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi Hasani në fjalimin e tij.

Ndërkaq, për të folur për librat, Martirët: Ekumenizmi i Gjakut dhe librin Etika e Syçeltësisë, fjalën e mori Don Lush Gjergji.

‘Këto letra që i ka zbërthyer në mënyrë të janë zakonshme dhe janë botuar edhe në gjuhën italishte, e tash së fundi edhe në gjuhën shqipe na japin një porosi të jashtëzakonshme, se pa qetësi nuk mund as të besojmë edhe më pak të jetojmë dhe të dëshmojmë. Ja, për këto dy vepra që kanë karakter teologjik, e ata që nuk e kanë përfunduar teologjinë kanë frikë që të lexojnë, po u tregoj që janë një lloj meze që nese i merrni në dorë, do të keni të vështirë t’i lëshoni prapë’, u shpreh Don Lush Gjergji.

E krejt në fund, para të pranishmëve një fjalë rasti e morën edhe autorët e librave./KultPlus.com

Për Ditën e Flamurit, Nagip Tashi vjen me ekspozitën “Rrënjë”

Në Bibliotekën “Ernest Kolliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, Nagip Tashi do të prezantojë ekspozitën e tij të radhës “Rrënjë”, që këtë herë do të prezantohet në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Rrënjë”, përfshinë 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti.

Ekspozita e Nagip Tashit do të hapet më 28 Nëntor në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, në ora 17:00 dhe kjo ekspozitë që do të prezantohet, veprat e saj janë të punuara dru, stil tashmë i njohur i Nagip Tashit i cili nxjerr portretet nga copëza të drurit.

Kjo ekspozitë organizohet nga “Drita” dhe “KultPlus”. Ekspozita do të rri e hapur deri më 2 dhjetor./ KultPlus.com

“Drita” premierë në ‘PriFest’, një luftë e dhimbshme ndërmjet hakmarrjes dhe dëshirës për falje

Era Berisha

Një histori e dhimbshme në Kosovë ku konflikti i zgjedhjes ndërmjet faljes dhe hakmarrjes vihet në një piedestal që nuk ka të ndalur, është ajo që ka jetësuar mbrëmë premierën e filmit “Drita” me regji të Daniel Kruglikov në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘. Ndonëse, është krejtësisht ndryshe nga ajo se çfarë publiku kosovar është mësuar të shoh, filmi i stilit ndërkombëtar, mbushi boshllëkun e një zbrazëtie që ka kohë pa u prekur, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 19:00, ishin njerëzit e shumtë të cilët po mbushnin sallën në Kino Armatë, duke zënë vendet e tyre të posaçme. Pas fikjes së dritave, nën terrin që kaploi vendin, filmi gjeti fillimin e tij.

E cilësuar si një poemë kinematografike për një dashuri të humbur, “Drita” është një dramë në gjuhën shqipe që shpërfaq anët më të errëta të aktit të hakmarrjes. Filmi vë në fokus dashurinë mes Dritës (Arta Dobroshi) dhe Flamurit (Genc Jakupi) në një kohë të trazuar. Por, vdekja e Dritës është krejt ajo që dërgon drejt vorbullës së dhunës, si e vetmja përgjigje kundrejt padrejtësive të shumta.

Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Flamuri e di mirë se kush është vrasësi i saj, por cikli shkatërrues i vendos të dy rivalët përballë njëri-tjetrit, aty ku dhuna lëshohet mbi trupin e tyre dhe lufton për mbijetesë.

Lufta shpirtërore e Flamurit midis dashurisë, urrejtjes, hakmarrjes dhe faljes është pika kryesore nëpërmjet së cilës zhvillohet drama. Në atdheun e tij, Flamuri fillon të luftojë me kujtimet, me fajin dhe instinktin primar që e qon drejt hakmarrjes, një reagim ky që shpërfaq ambientin në të cilin ai është rritur.

Lufta është krejt ajo se çfarë ka njohur Flamuri, ndërsa pretendimet si: “Me marr gjak, me marr hak”, apo “Sy për sy”, veçse e bëjnë hakmarrjen, zgjidhjen më të lehtë e më të ndershme që ekziston ndonjëherë. Nëpërmjet kuadrove të ndryshme, të shumta e të llojllojshme, filmi mëton të tregoj se si mund të tejkalohet kjo dallgë vicioze.  

“Drita” është një copëz historie që shpalos luftën e traditën dhe njëkohësisht flet për nevojën për ndryshim me ç’rast shfaq fuqinë e dashurisë, si arma më e fuqishme në mesin e heshtjes, derdhjes së gjakut dhe vrasjes.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet e shumta ato që dëgjoheshin në publik. E në mesin e tyre ishin edhe ato të ekipit të filmit ‘Drita’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

Bashkë-producenti Armond Morina, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe i ftoi të gjithë për një koktej rasti.

Ndërkaq, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth filmit ’Drita’, e pranishme ishte vetëm aktorja Arta Dobroshi.

“Karakteri i personazhit Drita është arsyeja që ia kemi vendos emrin filmit. Më duket se filmi është i dedikuar ndaj faljes dhe falja është një gjë me shumë rëndësi, andaj edhe mesazhi kryesor është se jeta duhet të vazhdoj përpara. Filmi është plotësisht shpirtëror dhe as ndoshta nuk mund ta shpjegoj, sepse është krijuar në atë mënyrë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjatë kohës së provave, kasti i aktorëve ka pasur edhe ndikim në atë se çfarë thuhet në film.

“Sikurse është monologu im në fillim, që i bashkëngjitet edhe videos së refugjatëve. Të gjithë ne kemi qenë shumë të lirë në krijim. Kamera ishte edhe karakter vetë, andaj roli i tij është pothuajse i një personazhi. Ishte një improvizim total”, ka thënë Doborshi.

Krejt në fund, ajo tregon se filmi “Drita” është thjesht një shprehje që vjen nga brendësia shpirtërore dhe del në imazh.

“Regjisori është me prejardhje ruse dhe kur i shohim filmat rusisht të vjetër, e kanë njëfarë ‘voice-over’ që ne e kemi bërë në film, veçse në të njëjtën kohë nuk kemi pasur shumë rregulla në mënyrën e xhirimit. Nuk tregohet një mesazh që duhet me patjetër të merret, por është thjesht një shprehje e shpirtit që del në imazh. Dhe kjo është e bukura e artit”, përfundon Dobroshi.

Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.

I xhiruar në nëntor të vitit 2018, “Drita” sjell në rolet kryesore aktorët si: Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.

Producentë të filmit janë: Shkumbin Jakupi, Armond Morina dhe Genc Jakupi, ndërsa producent ekzekutiv është Steve Mcqueen (regjisori i filmave ‘12 Years a Slave’, ‘Shame’, ‘Hunger’). / KultPlus.com

Agjencia Kombëtare e Diasporës sjell grupin arbëresh “Shega” në Tiranë

Më 25 gusht 2021, në orën 20:00, Grupi “Shega” do të zhvillojë koncert tek “Reja” në Tiranë. Koncerti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, në kuadër të ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditave kombëtare. Grupi i të rinjve arbëresh do të prezantojnë për publikun një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe nga albumi i tyre i parë.

Grupi “Shega” është themeluar nga Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë. Pak ditë më parë grupi përuroi albumin e tyre të parë me të njëjtin emër. Albumi është një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe prej një grupi të rinjësh, të cilët na përcjellin në një udhëtim të mallit të rrënjëve dhe një kulture të jetuar me sy të rinj.

“Shega” është albumi i parë i bendit me të njëjtin emër, nga katundi arbëresh Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), në Sicili. Shega është fruti i ri i muzikës arbëreshe: shumësia e kokrrave dhe njësia e frutit kujton një komunitet; ai arbëresh, që pas pesë shekujsh jo vetëm ruan gjuhën, kulturën e traditat e të parëve, por edhe di të jetë bashkëkohor. Kjo është shega: një mbledhje këngësh në gjuhë arbëreshe prej një grupi të rinjësh, të cilët na përcjellin në një udhëtim të mallit të rrënjëve dhe një kulturë të jetuar me sy të rinj.

Në mozaikun e 9 këngëve të Shegës, gjenden këngë dashurie (Drita, Arianna), tekste ku lidhen përvojat biografike e pamje sociale (Niko, Jarruri hera – feat. Hardiinusah), atmosfera misterioze (Kalivar), hymne të vëllazërisë e poezi udhëtimi (Botë e Paqe, Lumturi – homazh poetit arbëresh Paskal Renda), kënga ironike (Zëmbra jime) dhe ripërpunimi i një kënge tradicionale arbëreshe (Qifti). Muzika pop/folk e bendit arbëresh shega është autentike dhe e tejkalon me emocion cdo pengesë gjuhësore, duke marrë insipirim nga jeta e përditëshme e duke i dhënë dritë një kulture minoritare që në itali sot e kësaj dite nuk është e njohur si duhet.

Bandën muzikore “Shega” e themeluan disa të rinj e të reja nga Hora e Arbëreshëvet të Sicilisë. Fshati i tyre, Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) qe themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para pesë shekujsh dhe ende sot e kësaj dite ruan gjuhën, adetet, zakonet, kulturën e traditat arbëreshe.

Në vitin 2014 ata themeluan grupin me emrin “The Daggs”, pastaj filluan të shkruajnë tekste për këngët e tyre, në gjuhën arbëreshe. Në nëntor të vitit 2015 “pagëzimi” i tyre, në Suns Europe, festivali evropian i këngës në gjuhë minoritare (Cagliari). Edhe pse grup i ri, sukseset e tyre s’kanë të ndalur, kështu, në maj të vitit 2017 në Festivalin që mbahet në Favara (Agrigento) fitojnë OPP. Këtu nderohen me “Çmimin e Festivalit”. Ky çmim iu dha zemër atyre për të bërë hapat e mëtejme, ata regjistruan këngën e parë të tyre, me emrin e bukur “Drita”.

Me artin e tyre muzikor, ata shumë shpejtë kapërcyen kufijtë lokalë, krahinorë e shtetërorë. Në janar të vitit 2018 përfaqësojnë muzikën arbëreshe bashkëkohore në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë, të ftuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Në maj të vitit 2020 publikojnë videoklipin e parë “Lumturi”, një homazh për poetin arbëresh Paskal Rendas, i përberë me imazhet e tour-it të parë të bendit në fshatrat arbëreshe në Kalabri.

Në repertorin e grupit “Shega” zënë vend të rëndësishëm këngët “Drita”, “Lumturi”, Arianna” e shumë këngë të tjera të cilat kanë lënë mbresa të thella te publiku arbëresh, shqiptar dhe italian. / KultPlus.com

Pas publikimit të albumit, grupi arbëresh ‘Shega’ me koncerte në Kosovë e Shqipëri

Grupi muzikor arbëresh “Shega” do të nisë koncertet me Shqipërinë dhe Kosovën.

Një javë më parë grupi publikoi edhe albumin e parë me këngë arbëreshe.

Tashmë është publikuar dhe axhenda e koncerteve. Më 22 gusht grupi do të performojë në Mitrovicë në Green Fest, e më pas më 25 gusht Tek Reja në Tiranë.

Më 27 gusht grupi do të rikthehet në Kosovë ku do të performojnë në Prishtinë, në Rock United Fest, për tu rikthyer sërish në Shqipëri më 29 gusht në Dhërmi.

Grupi do të perfmojë këngët e albumit të ri si “Drita”, “Lumturi” dhe “Arianne”, të cilat janë regjistruar gjatë muajit qershor në studio muzikore.

Grupi Shega janë 5 të rinj arbëreshë nga ngulimi “Hora e Arbëreshëvet” janë bërë bashkë në sajë të pasionit për muzikën dhe për gjuhën e mëmës, të ruajtur prej gjashtë shekujsh. / KultPlus.com

‘Qyteti i dritareve’ ndriçohet nga zbukurimet e fundvitit

Vendi i njohur si “qyteti i dritareve” ka filluar të marrë një pamje tjetër. Berati u ndriçua nga dritat dhe zbukurimet e tjera të fundvitit, shkruan KultPlus.

Pas një periudhe të vështirë në përballje me pandeminë Covid-19, qyteti i Beratit ka filluar të ketë aromë të fundvitit. Këtë e ka arritur nëpërmjet zbukurimit të qytetit në pjesë të ndryshme, e që ia kanë falur një pamje magjepsëse.

Në sheshin e këtij qyteti mbrëmë kanë marrë vendet e tyre dritat e shumta, teksa që ato janë vendosur edhe në dy urat mbi lumin “Osum” Urën e Goricës dhe Urën e Varur.

Pema e vitit të ri ende nuk është përfunduar në këtë qytet, ndërkaq shumë vende tjera janë duke planifikuar që t’i ndriçojnë sa më parë vendet publike për festat e fundvitit. / KultPlus.com

Drita e humb zyrtarisht ndeshjen në tavolinë

UEFA ka vendosur që ndeshja e anuluar ndërmjet Linfieldit dhe Dritës t’i takojë ekipit irlandezo verior me rezultat zyrtar prej 3 me 0, ka konfirmuar Drita përmes faqes zyrtare në Facebook.

“Sapo jemi njoftuar nga organet e UEFA-se që shkalla e Apelit ka vendosur që ne kemi humbur ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0”, ka thënë Drita.

Drita ka shprehur habinë për këtë vendim të UEFA-s.

“Një vendim i habitshëm nga një institucion siç është UEFA, një vendim me kaq nxitim dhe pa kërkuar asnjë sqarim apo deklaratë shtesë nga klubi jonë”, shkruan Drita.

Drita ka shtuar tutje se arsyeja kryesore e këtij vendimi është sepse ndeshja nuk ka mundur të shtyhet më shumë se tre ditë (14 gusht), e ku sipas vendimit thuhet se autoritetet zvicerane kanë kërkuar karantinim për 10 ditët në vazhdim për ekipin tonë, e “shumë arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me ne si klub por me organizatorin e këtij kompeticioni e që ka qenë vet UEFA, organizatore”.

“Jemi thellësisht të indinjuar nga ky vendim i papritur dhe subjektiv. Tani neve si klub na mbetet që këtë çështje ta dorëzojmë në duart e avokatëve për t’i ndjekur deri në fund të gjitha rrugët ligjore”, thuhet në njoftimin e Dritës.

Ky vendim i UEFA-s vjen pasi një lojtar i Dritës ka rezultuar pozitiv me koronavirus. /KultPlus.com

Një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë, vjen përmes filmit “Drita”

Sarandë Selimi

Në janar të vitit 1999 në njërin nga qytet e Kosovës ne shohim Dritën, një grua të izoluar. Ajo nuhatë që lufta që po zhvillohet nëpër fshatra po vije edhe në qytet. Fillimi është një memorie historike, një perspektivë e atyre që kanë jetuar nëpër banesat kolektive të kohës.

Më skenar të Armend Smajlit e regji të Rita Krasniqit, “Drita”, filmi i metrazhit të shkurtër i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, tashmë është në përfundim të procesit. Me një ekip me emra të njohur në kinematografinë shqiptare, ky është skenari i parë për film i aktorit Armend Smajli, i cili në një intervistë për KultPlus, shpalosi disa detaje interesante që kanë të bëjnë me filmin, dhe me jetësimin e tij, në ndonjërin ekran të festivaleve ndërkombëtare.

“Më gëzon fakti që në këtë periudhë jam sfiduar edhe me një fushë të re artistike.
Inspirimi, rrugëtimi dhe tregimi për skenarin është shumë më i gjatë sesa filmi por ne besojmë se të gjitha ato copëza të menduara e të imagjinuara do të shfaqen në ekran”, thotë Smajli, i cili vazhdon të tregojë për KultPus, se “Drita”, në fund të janarit të viti 2018-të do të jetë i përfunduar.

“Fundi janarit 2018 filmi do të jetë i përfunduar. Dhe do të shohim edhe në biseda me QKK, do të aplikojmë nëpër festivale dhe të shohim se ku do të kemi fatin ta japim premierën botërore”, u shpreh për KultPlus, Smajli.

Filmi më producent vetë skenaristin Armend Smajli, ka sjellë një kastë aktorësh si: : Irena Cahani, Alban Ukaj, Bislim Muçaj, Florieta Bajraktari. “DOP” e filmit është Sevdije Kastrati ndërsa produkcioni “EVA Film”./ KultPlus.com