‘Vdekja po m’i pi purot’

Poezi nga Charles Bukowski

ta dini; sërish jam këtu, i dehur,
po e dëgjoj Çajkovskin në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47 vjetësh,
kur isha shkrimtar që vdiste urie,
e ja tash këtu prapë,
e tash kam fituar famë të pjesërishme si shkrimtar,
e vdekja bredh nëpër këtë dhomë,
poshtë-lart duke m’i pirë purot e mia,
dhe verën time me gllënjka të vockëla,
derisa Çajku me ngulm merr hakun me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë,
e i gjithë fati që pata pasur qe,
ai që zaret i pata hedhur bash ashtu si duhej:

vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;

fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në
shtëpi mallrash.

mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them,
e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon me ngadalë në 2
pas mesnate dhe sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e
kam mashtruar: i kam pasur
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër./KultPlus.com

‘Nëpërmjet shpirtit’

Poezi nga Charles Bukowski

Nëpërmjet shpirtit

Ai e kalon shpirtin

si një thikë

dhe unë i sondoj peisazhet

herë i zymtë, herë i vrerosur

ku korbecë të zinj katran

krrokin kaq me zë të lartë

sa të gërvishtin muret e zemrës.

Kalon nëpër kopshte të këndshme

zbukuruar me margarita të bardha

dhe ngrohur nga një diell i vakët pranverë.

Por kur linfa e saj

Arrin kulmin shpërthen

gjethja njolloset.

Tampon i vetëm për të tillë plagë…/KultPlus.com

‘Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj…’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh,
janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj,
po s’të kërkoj./KultPlus.com