Recetë

Poezi nga Ilire Zajmi

Zgjodha të jem gruaja që do të bëhesha
kokëfortë, egoiste, tekanjoze, mace e çmendur
për trupin dëshirat ëndrrat e mia
pa dyshuar kurrë te vetja
mora gjithmonë atë që më takonte
pa hequr dorë në emër të ndonjë marrëzie
e ruajta me xhelozi diçka të shenjtë brenda vetes.

Por të bëhesh gruaja që do
do të thotë të kalosh nëpër vrimën e gjilpërës
të shkelësh mbi dhimbjet e tua si mbi varret e armiqve
të gjesh forcë në dobësi
të qeshesh kur të thyhet shpirti në thërrime
të ngritesh sa herë dikush ta përmbys botën
në emër të një dreq morali a kanuni

Të bëhem e sinqertë
të bëhesh gruaja që do
është një detyrë shtëpie tepër e vështirë
por unë që nga zanafilla u përbetova
të bëhesha ajo që dua.
Bëjeni edhe ju! / KultPlus.com

“Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh, e në mbrëmje s‘harron kush je”



Poezi nga Ilire Zajmi

Leksion

Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh
në drekë me buzëgaz të pret e në mbrëmje s ‘harron kush je
dashuro një burrë që frymon për ty
je vegim i tij i parë e i fundit
dashuro një burrë që të puth papritur
një burrë të hareshëm që nuk e njeh trishtimin
dashuro një burrë që respekton lirinë tënde
e vlerëson zgjedhjet e tua
dashuro një burrë që të pranon
ashtu siç je, e brishtë e guximshme unike
dashuro një burrë që e ka kuptuar
që gjithçka që e rrethon je ti
e nëse nuk e gjen atëherë dashuro jetën
se vlen të dashurosh çfarëdo burri.