‘Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar’

Poezi nga Viktor Hygo

Të uroj më së pari të duash
E duke dashur, do të të duan edhe ty
Dhe ata që s’të duan, harroji
E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!

Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar
Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu
Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend
Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik
Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm
Tek i cili ti mund të besosh padyshim
Pse jeta vetë është e tillë.

Të uroj gjithashtu të kesh armiq
Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh.
E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre
Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë,
Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.

Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt
E në çaste të vështira
Kur asgjë nuk shkon si duhet
Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.

Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë
Jo me ata që lajthisin pak
Sepse kjo është e lehtë
Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm
Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde
Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.

Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri
Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë
E kur rritur të jesh
Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri
E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit
Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.

Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo!
Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë!
E kështu të çmosh
Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë
Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.

Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë
Një farë të vockël fare
E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj
Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.

Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para
Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë
E që së paku një herë në vit të reflektosh
Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!”
Për ta bërë të qartë e të njohur:

Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur
Gjithçka që dashuron

E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar
E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi

Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë
E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë.
Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen
Edhe sikur rraskapitur të jeni

Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar
të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty
Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!/KultPlus.com

Këngë e vjetër e rinisë

Poezi nga Viktor Hygo

Përktheu: Romeo Çollaku

Për Rozën gjë nuk kisha ndjerë,
kur vajtëm bashkë ne në ahishtë;
në tym po flisnim e në erë,
për çfarë mend s’mbajtkam pikërisht.

I ftohtë unë isha porsi gurët;
tek hidhja hapat krejt hutaq,
për lulet flisja dhe për drurët:
vështrimi i saj më thosh: «Veç kaq?»

Po bëhej strehë për ne ograja,
ndrinin mbi vesë margaritarë;
unë veshët te mëllenjat mbaja,
ajo te bilbilat gjyzarë.

Çunak që s’dija unë nga ndjenjat,
njëzet ajo, pothuaj grua,
këndonin bilbilat, mëllenjat
ndërkaq në degë për të dhe mua.

E zgjati shtatin të këputë
me dorën e bukur në pemë
një mjedër a nuk di se ç’frutë:
s’ia pashë dot llërën e bardhemë.

Mbi butësinë porsi mëndafsh
të myshqeve rrëshqisnin përrej,
natyra flinte mbushur afsh
korijes së heshtur gjer tej.

Sandales rripat ia liroi
dhe këmbkën zbathi që ta zhytë
në ujin akull të një përroi,
por s’di se ku më bridhnin sytë.

Të artën fjalë s’ma thoshte goja,
përhumbshëm veç e ndiqja pas;
herë tek ofshante e shikoja,
herë buzën tek vinte në gas.

E humba duarsh, domosdo;
dhe, tek po iknim nga ai vend,
«Harroje» më pat thënë ajo.
Por unë atë veç kam në mend. / KultPlus.com