Bashkëpunimi ndërinstitucional plotëson nevojat e shkollave shqipe në Diasporë

Një bashkëpunim ndërinstitucional, midis Qendrës së Botimeve për Diasporën, Divizionit të Arsimit të Kosovës dhe konsullatave të të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, do të plotësojë kërkesat e shkollave shqipe në Diasporë për pajisjen me tekste shkollore dhe plotësuese për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

174 tekste shkollore dhe të mësimit plotësues janë dërguar falas nga QBD-ja dhe janë paracaktuar për mësimdhënien në shkollat e gjuhës shqipe në Parma të Italisë. Mjetet e shkollës tashmë kanë mbërritur dhe mund të përdoren nga mësuesit në Parma të Italisë.

Më datë 26 shtator 2020 rinis për të 12-in vit radhazi viti i ri shkollor në Parma. Drejtori i shkollës së gjuhës e kulturës shqiptare “Scanderbeg-Parma” z. Durim Lika, i shoqëruar nga aktivisti z. Bujar Tabaku, tërhoqën librat të ardhur enkas për këtë qëllim nga Qendra e Botimeve për Diasporën nga Tirana dhe nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Përfaqësueset e QBD-së u pritën nga konsullja e Republikës së Shqipërisë në Milano, zonja Anila Pojani dhe nga zv. konsullja e Republikës së Kosovës, znj. Gjylymsere Kundja. / KultPlus.com

QBD boton falas përrallat dy gjuhëshe shqip-anglisht për fëmijët në Diasporë

Përrallat shumë të dashura për fëmijët “Pitër Pani” dhe “Bukuroshja e fjetur”, tashmë vijnë në botimin dygjuhësh shqip dhe anglisht, si pjesë e serisë “Klasikët Dygjuhësh” – projekt i Qendrës së Botimeve për Diasporën.

Vëllimi, i sjellë në shqip nga Parid Teferiçi, është i pajisur me ilustrime shumë të këndshme, tekst të thjeshtë dhe me fjalët më të përdorshme në dy gjuhë që lehtësojnë mësimin e gjuhës në mënyrë argëtuese. Metoda krahasuese ndihmon në ngulitjen e fjalëve të reja dhe të fjalive të thjeshta në tërësi. Libri i shkarkueshëm në versionin digjital mund të përdoret edhe nga mësuesi gjatë orës së mësimit.

Kjo seri, shumë e dobishme e mirëpritur dhe e përshëndetur nga shqiptarët e Diasporës, përfshin përrallat më të bukura, botuar në një vëllim dygjuhësh, dhe synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve shqiptarë të rritur në mërgatë që gjuhën shqipe e mësojnë paralelisht me gjuhën e vendit, apo si gjuhë të dytë.

Botimi dygjuhësh, shqip dhe anglisht, “Piter Pani” dhe “Bukuroshja e fjetur”, është falas për fëmijët shqiptarë të Diasporës dhe falas në versionin online për të gjithë. / KultPlus.com

https://drive.google.com/file/d/1r1YWqY15g5ZtBvAY_xowD1_Y6pEfMfoi/view

QBD publikon fjalorin fjalorin dygjuhësh për fëmijë, shqip-frëngjisht

Qendra e Botimeve për Diasporën vë në dispozicion të fëmijëve në Diasporë, një tjetër fjalor dygjuhësh për fëmijë: fjalorin shqip-frëngjisht, në formatin e-book.

Fjalori, shumë i dobishëm për mësuesit dhe fëmijët në Diasporë dhe jo vetëm, mund të shkarkohet falas për të gjithë në faqen zyrtare të QBD.

Fjalori dygjuhësh për fëmijë është konceptuar për fëmijë të moshës deri në 6 vjeç dhe shoqërohet me ilustrime të përzgjedhura me kujdes për t’i qartësuar dhe për t’i konkretizuar edhe më shumë fjalët duke i bërë ato edhe më të kuptueshme për fëmijët.

Ky fjalor synon t’u japë fëmijëve të Diasporës një lëndë të pasur për të përmirësuar njohuritë e tyre në gjuhën shqipe, por gjithashtu mund të jetë shumë i vlefshëm edhe në procesin e mësimdhënies.

Kliko për të shkarkuar fjalorin për fëmijë shqip-frëngjisht. / KultPlus.com

https://drive.google.com/file/d/1QSL1Sjh9Oam7UieT2R62DyVoEbi8An-H/view