Komuna e Prishtinës: Deri në fund të vitit do të trajtohen 5000 qen endacakë

Deri në fund të vitit, Komuna e Prishtinës synon t’i trajtojë 5000 qen endacakë, pas lloteve të shpallura për prokurim publik, kështu tha këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Bajram Gecaj.

Gecaj tha se çdo vit janë ndarë nga 70 mijë euro për trajtim të qenve endacakë. Sipas tij, me këtë shumë bëhej trajtimi i rreth 700 qenve, anipse numri në Prishtinë konsiderohet të jetë nga 5000-10000 qen endacakë.

i tha se tani janë ndarë një milion euro për trajtim të problemit me qentë endacakë. Me 6 llotet e fundit ka thënë se numri i qenve të trajtuar do të shkojë nga 720 në rreth 5 mijë sivjet. Sipas tij, mundësitë e keqtrajtimit të procesit të trajtimit janë minimale pasi “do të sigurohet incizimi i kapjes, trajtimit dhe lëshimit, dhe do të vendosen çipa me të gjitha informatat”.

Gecaj në KTV ka folur edhe për një qendër të trajtimit të qenve endacakë, të nisur në Hajvali, ku tha tha se në të do të bëhet trajtimi dhe mbajtja e përkohshme. Pas trajtimit, sipas tij, qentë janë më pak agresivë, por jo krejtësisht joagresivë.

Gecaj ka apeluar që niveli qendror të merret më urgjent me këtë çështje.

Të hënën, një qen endacak kishte sulmuar një 4-vjeçar në kopshtin e një çerdheje në Prishtinë. / KultPlus.com

Qytetarët e Prishtinës të rrezikuar nga qenët endacak, reagon Komuna e Prishtinës

Problemi me qentë endacak mbetet shqetësues për Komunën e Prishtinës, marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetarëve çdo ditë.

Sipas një njoftimit për media nga Komuna e Prishtinës, thuhet se duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi.

Tutje në njoftim thuhet se çështja e qenve endacak duhet të trajtohet dhe zgjidhet në nivel kombëtar dhe në gjithë territorin e Kosovës.

“Duke ditur faktin se këto kafshë migrojnë, kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problemi edhe pse me këtë legjislacion dhe me këto kapacitete buxhetore e njerëzore, komunat nuk kanë mundësi që të përballen vetë me këtë sfidë”, thuhet në njoftim.

Siç thonë ata, Komuna e Prishtinës për zgjidhjen e problemit të qenve endacak është duke punuar në disa drejtime.

“Duke bërë rehabilitimin e gjendjes së tanishme, Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik bën trajtimin e qenve në mënyrë humane siç është e përcaktuar me ligjin në fuqi. Prandaj, qentë endacak zihen në qytet, kontrollohen për sëmundje, vaksinohen apo trajtohen nëse sëmundja është e shërueshme, sterilizohen apo kastrohen në mënyrë që të mbahet nën kontroll shtimi i tyre, mbahen në kujdestari deri në 14 ditë në mënyrë që të socializohen dhe pastaj, veterineri jep urdhër për, lirimin apo eutanazimin nëse qeni është agresiv”.

Në njoftimin e dërguar nga Komuna e Prishtinës po ashtu thuhet se është hartuar një plan operativ dhe është përpiluar harta e rrezikut duke e identifikuar vend ndodhjen e qenve endacak.

“Vazhdimisht identifikohen dhe rrënohen  shtëpitë e braktisura, si dhe  vazhdimisht pastrohen deponitë ilegale në mënyrë që të parandalojmë grumbullimin e  qenve.  Komuna e Prishtinës i ka aktiv edhe numrat emergjent pa pagesë, që janë të hapura 24 orë, ku qytetarët mund të lajmërojnë për çdo parregullsi apo shqetësim që kanë. Numrat janë si më poshtë:

Kodi/Numrat   Lloji i Shërbimit           Qëllimi i përdorimit

0800 122 33    Pa pagesë        Lajmërimi i parregullsive që vërejnë qytetarët

0800 122 44    Pa pagesë        Lajmërimi i parregullsive që vërejnë qytetarët

0800 122 55    Pa pagesë        Lajmërimi i rasteve të rrezikut nga qentë endacak (faza emergjente)”, thuhet tutje në njoftim.

Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës bën të ditur se ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e strehimores për qentë endacak dhe trajtimin e tyre, si dhe është në pritje të lejes mjedisore nga Ministria.

Po ashtu është duke e zbatuar pilot projektin për pesë pikat ushqyese për qentë në territorin e Prishtinës./ KultPlus.com